Tijaniq: I pari përgjegjës për Kosovën është princ Llazari

I pari përgjegjës për Kosovën është princi Llazar dhe rezultatet e punës së tij, tha në një internistë për gazetën Blic drejtori i përgjithshëm i televizionit publik serb RTS, Aleksandar Tijaniq. Në pyetjen se a është zgjidhur nyja e Kosovës me marrëveshjen e Brukselit (Thaçi-Daçiq), Tijaniq u përgjigj se nyja e Kosovës është zgjidhur atëherë kur çeta e Gurkave të Britanisë së Madhe (më 12 qershor 1999) hyri në territorin e Kosovës.
Tijaniq dikur ka qenë edhe këshilltar i Vojisllav Koshtunicës, kurse në pyetjen nëse pajtohet me deklaratën e tij se pushteti i tashëm e ka dorëzuar Kosovën ai u përgjigj se çdo komb normal ka nga një Koshtunicë dhe të tjerët. “Vetëm përpjesëtimi është në pyetje. I pari në serinë e përgjegjësve për Kosovën është princi Llazar dhe rezultatet e tij të punës. Në fund të zinxhirit jemi ne, me betimet në Kosovë dhe me refuzimin që të jetojmë atje. Për 13 vjet të sundimit të Millosheviqit, ai arriti t’i kthejë në Kosovë vetëm 1 300 familje (ky natyrisht aty nuk llogarit familjet e refugjatëve serbë të ikur nga Kroacia, Shqipëria e vise të tjera të ish-Jugosllavisë). Ndoshta ne serbët do të pranonim të kthehemi masivisht në ato vise të mrekullueshme, me kusht që dikush me një shkop magjik, pa gjak dhe pa vuajtje, t’i përzë të gjithë shqiptarët matanë Bjeshkëve të Nemuna. Si ata që i kemi mësuar të jenë jugosllavë ashtu edhe ata që i kemi detyruar të jenës erbë. E pamundshme”.
Ndërkaq, i pyetur se përse e çmon nënkryetarin e parë të qeverisë serbe, Aleksandar Vuçiqin dhe cilat stereotipe i ka rrënuar ai, Tijaniq është përgjigjur: Ai e ka thyer stereotipin për të djathtën serbe, e cila sipas definicionit është konsideruar antievropiane. Pastaj e ka thyer frikën nga tajkunët, që konsideroheshin si pronarë dhe drejtues të shtetit. Këtë efekt e ka arritur duke bërë një pyetje fare të thjeshtë – “E si e ke fituar milionin e parë”. Pastaj e ka thyer stereotipin për serbët të cilët negociojnë në pafundësi, kur negociojnë nuk duan të nënshkruajnë, kur e nënshkruajnë nuk duan të përmbushin atë për çka është rënë dakord. Pastaj bindjen e përgjithshme serbe se me shqiptarë kurrë nuk do të ketë negociata. Ai e ka zhgënjyer shumëkënd me vlerësimin se për arsye të problemeve serbe dhe Kosovës, megjithë paralajmërimet e serbëve “të mirinformuar” dhe “të rëndësishëm” për intervenimin e “vëllezërve tanë”, rusët kurrë nuk do të hynë në konflikt me Amerikën shkaku i Kosovës. Fare në fund, ai ka pasur guxim që historinë tonë të adhuruar, ashtu si duam ne ta shpjegojmë, ta zëvendësojë me çështje ekonomike”./Indeksonline./