E Diel, 1 Nëntor 2026

Komunën e Skenderajt do ta udhëheqë nënkryetari Nura

Partisë Demokratike të Kosovës nuk i ka ecur puna mirë nëpër komuna të Kosovës. Për arsye të ndryshme, disa nga kryetarët e komunave që vijnë nga radhët e PDK-së, janë detyruar të tërhiqen nga postet zyrtare. Pa kryetar Komune ka mbetur së paku për 30 ditë edhe Skenderaj. Kryetari i saj, Sami Lushtaku gjendet në arrest shtëpiak për shkak se ndaj tij EULEX-i ka nisur hetimet për dyshime se ai kishte kryer krime gjatë luftës në Kosovë, raporton KTV.

Ligji për qeverisje lokale përcakton se në rast të mungesës së kryetarit, Komunën e udhëheq nënkryetari, në rastin e Skenderajt nënkryetari Fadil Nura. Sami Lushtaku, pos dyshimeve për krime lufte, ballafaqohet edhe me një proces tjetër gjyqësor, i njohur si rasti “BIRN”.

Nuk është vetëm Komuna e Skenderajt, vendi ku kryetarët ballafaqohen me drejtësinë dhe për pasojë nuk mund të ushtrojnë detyrat e tyre. Nga 14 komuna, sa ka nën qeverisje Partia Demokratike e Kosovës, gati gjysma kanë rënë ndesh me ligjin - Xhabir Zharku e Bajrush Xhemajli, derisa disa krerë të tjerë të komunave që vijnë nga radhët e PDK-së hetohen edhe për vepra korruptive./Indeksonline./ 
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›