Jeta e kryeqytetit në film
Tirana në sytë e një regjisori, pjesë e domosdoshme e realizimit të çdo filmi në “Tirana 48 Hour Film Project”… Si është? Çfarë evidenton gjithsecili…? Në edicionin e parë vitin që shkoi, 288 kineastë të rinj sollën alternativa dhe larmi të jetës së Tiranës… Por jo vetëm kaq, ky projekt është një dritare e madhe për çdo artist të ri që bëhet pjesë e një gare që nuk mbaron në Shqipëri. Rasti i Gent Bejkos, që konkurroi në “Miami International Film Festival” këtë mars ishte evident. Më tej Festivali i Madh i Kanës, ku një seksion i posaçëm iu rezervua pikërisht filmave të “48 Hour Film Project”… Ndërsa është çelur regjistrimi për edicionin e dytë të këtij kompeticioni të rëndësishëm në Tiranë, në një bisedë me drejtorin e tij, artistin Robert Aliaj, kemi vënë në dukje disa nga qasjet e këtij festivali, frymën që merr nga qyteti dhe vëmendjen që i sjell Tiranës përmes pjesëmarrjes në dy eventet botërore të sipërpërmendura!
Duke qenë se kushti kryesor i pjesëmarrjes në "Tirana 48 Hour Film Project” është promovimi i imazhit të Tiranës në të gjithë filmat konkurrentë, a keni gjetur suport nga Bashkia e Tiranës?
“Tirana 48 Hour Film Project”, përveç dimensionit të tij internacional dhe eksperiencës së mrekullueshme që ka krijuar në të gjitha kryeqytetet që organizohet, është futur tashmë në axhendën e aktiviteteve më të rëndësishme të vitit, në qytetet përkatëse. Një gjë e tillë nuk ndodhi me ne vitin e kaluar, kur Bashkia e Tiranës e pati këtë shans dhe nuk e konsideroi atë me gjithë varfërinë e jetës kulturore të kryeqytetit. Mos harrojmë që edicioni i parë i “Tirana 48 Hour Film Project” mobilizoi 288 kineastë të rinj dhe studentë, shifër që e bën atë pa dyshim evenimentin kulturor më masiv të qytetit të Tiranës, shifrat flasin vetë. U krijuan 28 grupe filmike, u prodhuan 18 filma të rinj, dhe si përfundim Shqipëria me Tiranën e saj u përfaqësua me dy filma në Miami International Film Festival, nga ku, 14 prej filmave më të mirë të vitit në shkallë ndërkombëtare, do të shfaqen në seksionin e filmave të shkurtër të Festivalit Ndërkombëtar të Kanës. Unë nuk dyshoj fare në suportin që Bashkia e Tiranës do të japë për “Tirana 48 Hour Film Project” 2011.
Çfarë Tirane kanë sjellë regjisorët e vjetshëm në “Tirana 48 Hour Film Project”?
Në “Tirana 48 Hour Film Project” 2010° Tirana u prezantua me të gjitha dimensionet e saj. Regjisorët mund të kufizohen vetëm nga fantazia e tyre, sepse nuk ka asnjë orientim që do të përcaktojë mënyrën sesi. E rëndësishme është që Tirana të jetë e identifikueshme lehtë. Filmi fitues trajtonte një konflikt familjar tipik tiranas, marrëdhënie sipërfaqësore, gënjeshtra, kriza sociale , ekonomike, politike, homoseksualiteti si tabu…
Cili ishte rrugëtimi i filmit fitues të vitit të kaluar?
Rrugëtimi i filmit fitues “Çifti perfekt”, i grupit “Albartist” me regji të Gent Bejkos, bëri udhëtimin e premtuar nga organizatorët, duke përfaqësuar Tiranën dhe Shqipërinë në “Miami International Film Festival” nga 12 deri më 18 mars të këtij viti, ku konkurroi për çmimin e madh dhe për pjesëmarrjen në një prezantim special të tij në Festivalin e Kanës. Pra, “Tirana 48 Hour Film Project” është një dritare dhe një trampolinë ideale e paimagjinueshme për talentet e reja.
Cilat janë pritshmëritë e këtij viti?
Interesi për pjesëmarrje në këtë festival është tepër i madh, aplikimet për t’u regjistruar kanë filluar tashmë në faqen zyrtare: http://www.48hourfilm.com/tirane/ . Unë u bëj thirrje të gjithëve, bashkisë, pushtetit, shoqërisë civile dhe të gjitha institucioneve të kontribuojnë me mundësitë e tyre në këtë përpjekje titanike për të krijuar një platformë ideale kreative për talentet e reja dhe për ta përmirësuar imazhin e Tiranës sonë!
Detaje
Festivali
Tirana ”48 Hour Film Project” është një fenomen kulturor botëror dhe një institucion internacional, që organizohet në 81 qytete të botës me një sukses të jashtëzakonshëm, duke u ofruar kineastëve të rinj dhe të talentuar mundësinë për t’u shprehur, duke u siguruar vizibilitetin botëror dhe lidhje me festivalet më prestigjioze të filmit në botë, si Festivali i Cannes, ku fituesit do të prezantohen në një seksion të veçantë. Festivali do të zhvillohet në Tiranë më 21 - 23 tetor 2011.
Në shifra
Në 10 vjet më shumë se 13 000 filma janë realizuar nga 218 000 njerëz në 100 qytete përreth botës. Kjo përkthehet në 1 330 orë filma të përfunduar. Në vitin 2010 në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Maimi 180 filmave nga 50 qytetet e gjithë botës morën pjesë 6 shfaqje. 14 filmat më të mirë u shfaqën në një seksion të veçantë në maj gjatë Festivalit të Filmit në Kanë. Gjatë vitit 2011, gjithashtu, 100 qytete në 6 kontinente do të mirëpresin “48 Hour Film Project”.