E Shtunë, 31 Tetor 2026

Timo Flloko, triumf tek "Apollon 08"

Aktori Timo Flloko fiton Çmimin e Madh në Festivalin e Aktrimit "Apollon 08", që u zhvillua këto ditë në Fier. Këtë vlerësim, aktori që fare pak është njohur si protagonist i skenës, pasi më shumë ka folur me gjuhën e filmit, e mori për rolin e Edi Karbones, në pjesën tashmë të njohur "Pamje nga Ura" me regji të Albert Mingës.

Aktori kosovar, Çun Lajçi, mori Çmimin Special të festivalit. Ai foli me mjaft superlativa për fituesin Timo Flloko, por do të sulmonte, sipas tij, përfaqësimin e dobët të trupave në këtë eveniment kulturor. Lajçi nuk gjeti kurajë për të veçuar trupën apo aktorin më të dobët, por tha se festivalin e shpëtoi trupa e Teatrit Kombëtar. Pra, "Pamje nga Ura".

Më tej, çmimin e Aktores Protagoniste e mori Yllka Mujo, edhe kjo pjesë e trupës së Teatrit Kombëtar, me rolin e Beatriçes te "Pamje nga Ura".

Çmimin e Karrierës do ta merrte aktori Luftar Paja, i cili tha: Nuk e di se si do të zvogëloj këtë borxh të madh që i kam publikut të Fierit dhe vendit, përulem para tij".

Çmimin e Deputantes joprotagoniste do ta merrte Sanie Hoti, që erdhi me trupën e Durrësit.

Përplasja

Dy nga aktorët që pretendonin për Çmimin e Madh të edicionit të sivjetshëm të Festivalit të Aktrimit, ishin kosovari Çun Lajçi dhe Timo Flloko. Dy net para ndarjes së çmimeve, të dy aktorët u shprehën se kanë rivalitet të fortë. "Unë luaj në fushën e kundërshtarit, aq më shumë që pak kam luajtur në teatër. Gëzoj ta marrë këtë çmim pavarësisht vlerësimeve që kam dëgjuar për Çunin e Kosovës", do të shprehej Flloko për "Shqip". Ndërkohë që rivali i tij Lajçi, edhe pse dy net më parë ishte shprehur se "do të fitoj mbi Fllokon", tha për gazetën menjëherë pas marrjes së çmimit: "Flloko ishte aktor i madh. E meritonte pas lojës që prezantoi".

Por nuk fshihej dot: shumëkush nga përfaqësuesit dhe garuesit në festival u pezmatua nga çmimet e dhëna prej jurisë. Festivali i Aktrimit "Apollon 08" nisi me entuziazëm dhe miqësi mes aktorëve dhe pretenduesve për çmim, por në fund, pas ndarjes së trofeve, pati edhe "sulme", që kanë një motiv: egoizmin e madh që ekziston tek e gjithë kasta e artistëve dhe aq më shumë e aktorëve. Këta të fundit, me një mjeshtëri po aktoriale, shkëmbyen edhe batuta mediatike të piperta e plot ironi.

Gjithsesi, çmimet shkuan sipas një gjykimi artistësh, por çmimi më i madh që iu dha të gjithë pjesëmarrësve të sivjetshëm, ishte i duartrokitjeve të spektatorit, i cili nuk mungoi për asnjë nga ditët e këtij festivali.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›