Greva e doganierëve grekë paralizon Kapshticën
Gjatë dy ditëve, në pikën kufitare nuk kaluan as këmbësorë
Greva 48-orëshe e doganierëve grekë paralizon lëvizjet ndërkufitare në doganën e Kapshticës. Që nga mëngjesi i ditës së enjte, kur nga pala greke u njoftua për ndërprerjen e punës në shenjë proteste të doganierëve grekë që kërkojnë rritje të rrogave, në këtë pikë të kalimit kufitar thuajse janë bllokuar të gjitha lëvizjet e mjeteve, madje edhe të njerëzve. Greva e doganierëve grekë, që filloi në orën 07:00 të mëngjesit të së enjtes, ka vazhduar sipas paralajmërimit dhe ka përfunduar vetëm në orët e para të mëngjesit të sotëm. Gjatë kësaj kohe, lëvizjet e mjeteve drejt doganës së Kapshticës, si nga ana greke edhe nga ajo shqiptare kanë qenë shumë të pakta. Kjo për faktin se janë hasur mjaft vështirësi dhe vonesa në kryerjen e procedurave të kalimit kufitar, ngaqë doganierët grekë e kanë ndërprerë punën. Sipas njoftimit të palës greke, gjatë zhvillimit të grevës do të lejohej kalimi në të dyja anët e kufirit i udhëtareve dhe i rasteve urgjente me automjete. Por edhe kjo nuk ka ndodhur dhe lëvizjet ndërkufitare në Kapshticë janë rralluar së tepërmi pasi të interesuarit, që kanë dashur të kalojnë kufirin, janë kthyer mbrapa. Ata udhëtarë të paktë, të cilëve u është dashur të kalojnë patjetër në kufi, mësohet se e kanë kaluar doganën si këmbësorë, duke marrë mjete të rastit. Ndërkaq, është bllokuar tërësisht lëvizja e mjeteve të transportit të mallrave në këtë doganë dhe shumë prej tyre janë në pritje në zonën kufitare derisa të përfundojë greva e doganierëve dhe lëvizja në kufi t’i kthehet normalitetit.
#