Tinguj nga Çajkovski, në koncertin e Orkestrës Simfonike të RTSH
Muaji shkurt do të sjellë në skenën e arteve, një tjetër koncert të Orkestrës Simfonike të RTSH. Koncerti i radhës i sezonit artistik do të vijë në datën 5 shkurt. Të ftuar në këtë koncert do të jetë solistja Kristina Petrollari në piano dhe dirigjenti vietnamez Le Fi Fi. Në këtë koncert do të interpretohen vepra nga Thoma Gaqi, Çajkovski, Daydreams etj. Orkestra Simfonike e RTSH edhe para disa ditësh solli një tjetër koncert të bukur në skenën e Akademisë së Arteve,
ku për publikun u interpretuan sërish vepra nga kompozitorë të njohur botërorë. Ndërkohë që nga data e krijimit të saj dhe deri tani ku formacion orkestral ka dhënë shumë koncerte. Misioni i saj ishin regjistrimet muzikore të veprave të para të kompozitorëve shqiptarë, si Abdulla Grimci, Vath Çangu e më pas veprat e kompozitorve të tjerë: Jakova, Zadeja, Harapi, Daija, Lara, Gaci, Ibrahimi, te brezat e rinj Dizdari, Kushta, Laro,Gaqi, Peçi, Zacharian, Tili, Mullahi, Shupo ..e deri tek akoma më të rinjtë Tole, Tukiçi, Dergjini, Sina etj. Të gjithë lartësuan artin muzikor dhe rriten nivelin interpretative të Orkestrës Simfonike të RTSH. Në drejtimin e dirigjentëve të saj të parë si M. Krante e S. Gjoni dhe më pas të dirigjenteve F. Deda, E. Krantja, E. Koço, R.Teqja, J. Barbullushi, B. Llapaj, A. Lepuri, P.Afezolli, O.Arapi. Orkestra Simfonike e RTSH ka interpretuar me shumë sukses vepra të literaturës botërore klasike, romantike dhe bashkëkohore. Përkrah dirigjenteve Shqiptare, Orkestrën Simfonike e kanë dirizhuar Hikmet Shimshek nga Turqia, Leonid Nikolayev nga Rusia, Doron Solomon nga Izraeli, Massimo Bernard nga Italia e shumë dirigjentë të tjerë nga Gjermania, Greqia, Amerika, Suedia, Norvegjia, Rusia, Japonia, Anglia, Polonia, etj. Me Orkestrën Simfonike të RTSH-së, kanë interpretuar instrumentiste soliste shqiptare si Madhi, Shiroka, Shestani, Kristidhi, motrat Tartari, Papavrami, vellëzerit Gjezi, Skenderi, Spahiu, Prosi, Ripo, vëllezerit Papadhimitri, Dizdari etj.