Tinguj violine në TOB
Violinistja e orkestrës së Teatrit të Operës dhe Baletit, Nevila Dergjini, propozon një mbrëmje nën tingujt e violinës. Sot, në orën 20:00, në hollin e TOB-it, ajo interpreton pjesë nga Johan Brahms, Francis Poulenc dhe Maurice Ravel. Shoqëron në piano Fatma Spahiu.
Bluzi italian i "Terrible Friends"
Grupi muzikor italian "Terrible Friends" ofron për publikun shqiptar disa nga pjesët më të mira të muzikës Blues, Funk and Soul. Banda, e cilësuar si më e mira e muzikës bluz në Itali për vitin 2008-të, interpreton sot në "Rei, jo vetëm jazz club". Kjo bandë, e krijuar në vitin 2004, përbëhet nga Mattia Barbieri (bateri) Diego Ventura (Bas) dhe Andrea Bozzetto (piano) dhe Beppe Nicolosi (vokal).
Fushata blen "Migjenin", teatri i Shkodrës bëhet metropolitan
Teatri "Migjeni" në Shkodër ka marrë statusin e Teatrit Metropolitan. Kjo është bërë e ditur të premten nga bashkia e qytetit, e cila ka në administrim këtë teatër.
Ka qenë vetë Kryeministri Berisha, i cili pak ditë më parë ka firmosur urdhrin për ndryshimin e statusit të "Migjenit", duke i dhënë atij statusin "Teatër Metropolitan", pas propozimit që bashkia kishte bërë pranë Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, bazuar në historikun dhe kontributin që teatri i Shkodrës ka dhënë për mbi 60 vjet në artin skenik lokal dhe kombëtar. Me marrjen e këtij statusi pretendohet se "Migjeni" do të ketë një trajtim tjetër.
Kjo situatë mund të ndryshojë mbi bazën e akteve nënligjore që duhet të ndjekin vendimin e Këshillit të Ministrave. Sipas drejtuesve të "Migjenit", ky teatër e ka fituar këtë status sepse ka një veprimtari artistike mbi 55-vjeçare, ka fituar çmime të para në festivale kombëtare, ka marrë pjesë në veprimtari ndërkombëtare dhe është vlerësuar me çmime, ka shfaqur mbi 200 premiera.
Këto "kritere" rezulton që teatri në fjalë t'i ketë përmbushur, por askush nuk merr në konsideratë gjendjen e tij në ditët e sotme. Me zor prodhohet një shfaqje në vit dhe ata aktorë që kanë mbetur, pajtohen në punë me raste.