Shkon për peshkim, humbet dorën
SHKODËR - Shkon për peshkim, por mbetet i plagosur duke humbur njërën dorë. Sipas policisë, rreth orës 6:00 të mëngjesit të së premtes, Mark Koçeku lindur në fshatin Nënplep të komunës Shosh dhe banues në lagjen "Kiras" në qytetin e Shkodrës, është vetëplagosur aksidentalisht me lëndë plasëse.
Ngjarja ka ndodhur në lumin pranë fshatit Nënplep dhe nga shpjegimet që policia i ka marrë të dëmtuarit, mësohet se ky ka pohuar se kishte shkuar për të kontrolluar rrjetat e vendosura për peshk dhe në breg të lumit, tek disa shkurre, ka gjetur një lëndë plasëse si dinamit, të cilën e ka marrë në dorë.
Por ajo i ka shpërthyer, duke i shkaktuar plagë në njërën dorë dhe këputjen e tjetrës. I dëmtuari ndodhet në repartin e reanimacionit në spitalin e Shkodrës, jashtë rrezikut për jetën. Ndaj tij ka nisur hetimi për përdorim të lëndëve plasëse.
-----------------------------------------------------------------------------------------
Përplaset me shtyllën, plagoset 28-vjeçari
SHKODËR - Përplasja e një motoçiklete me tirantin mbajtës të shtyllës telefonike ka sjellë plagosjen e drejtuesit të saj, ndërsa ka shpëtuar pasagjerja që udhëtonte me të. Aksidenti ka ndodhur në aksin rrugor Shkodër- Lezhë në vendin e quajtur Bahçallëk.
Një motorçikletë tip "Lifan" pa targa që drejtohej nga 28-vjeçari Xhevahir Kullashi, lindur e banues në fshatin Barbullush, ka dalë nga rruga pasi drejtuesi i saj ka humbur kontrollin e drejtimit të mjetit.
Motoçikleta është përplasur me tirantin mbajtës të shtyllës telefonike dhe për pasojë 28-vjeçari është dëmtuar dhe është dërguar fillimisht në spitalin e Shkodrës e më pas në Tiranë. Ndërsa shtetësja Lumturie Kullashi, 32 vjeçe, që udhëtonte si pasagjere, nuk ka pësuar dëmtime. Sipas policisë, Xhevahiri do të ndiqet në gjendje të lirë me akuzën e drejtimit të mjetit pa dëshmi aftësie.
-------------------------------------------------------------------------------------------------
Të përndjekurit: Të nxitohet me dëmshpërblimet
SHKODËR - "Ritmet e dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë duhet të përshpejtohen, pasi me këto ritme ky kompensim nuk do të mund të realizohet as pas 8 vjetësh". Kështu është shprehur drejtori i Institutit të të Përndjekurve Politikë, Simon Miraka, gjatë një takimi të zhviluar me të përndjekurit politikë të Shkodrës.
Sipas Mirakës, 1 korriku është afati përfundimtar i dorëzimit të dosjeve për kompensim, numri i të cilave është rritur pasi ka ndryshuar ligji dhe një kompensim të tillë e përfitojnë dhe trashëgimtarët e të pushkatuarve pa gjyq. Për këtë ai ka bërë thirrje që ata që nuk i kanë plotësuar dokumentet të nxitojnë.
Por sipas Mirakës, ritmet me të cilat po bëhet dëmshpërblimi i ish-të përndjekurve janë të ngadalta dhe ato duhen përshpejtuar nga institucionet përkatëse të shtetit, pasi janë 17 500 dosje të dorëzuara që presin, por me një ritëm të tillë ky proces nuk mbaron as për 8 vjet.