E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana 1988; Për darkë me agjentin sekret



- Kë po sheh ashtu, s’ka hyrë njeri… - tha Morpurgo.

- Po shoh detin, - iu përgjigj Fiora Listri, drejtoresha e Institutit Italian të Kulturës.

- Ah, detin. Do e kuptosh që shpejt do lodhesh edhe nga ai.

Hotel “Adriatiku”, i veçuar nga qyteti i Durrësit, frekuentohej nga të huaj dhe drejtues të partisë. Një paralelepiped mbi rërë i cili në errësirën e natës dukej edhe më hijerëndë.

Atë natë, ishin zënë fare pak tavolina dhe zërat kumbonin në ato hapësira të bardha e të mëdha, nëpër shkallë, kolona dhe në tavanet jashtë mase të larta.

Në atë vend, të gjerë në vetvete, por shtypës sa s’bëhej më, sidoqoftë kishte një përtej: deti, me zhurmën e vet të pareshtur dhe shkumën e bardhë të valëve, mbante mbi vete vezullimin e pakufi të yjve. Asnjë diktator nuk mund t’ia ulte zërin fuqisë së detit.

Morpurgo shtrëngonte buzët, sikur mbante me zor ndonjë inat, ndonjë nga ato revoltat e ndrydhura e të pashpërthyera kurrë ndaj ndonjë fuqie. E në këtë rast nuk ishte deti. Mendonte se vetëm një budallai mund t’i shkonte ndër mend të mposhtte atë forcë të ligë. Kësisoj, çdo lloj lufte do të qe e kotë. Ai nuk ishte edhe aq i trashë. U kujtua se aty kishte shkuar me mendimin që ta shpinte në shtrat. Mbrëmja e parë që dilnin vetëm. Ndoshta, kishte ardhur çasti që të hapte ca muhabete më pak të mërzitshme. Por tashmë, ajo ia kishte nisur me të vetat dhe nuk e dëgjonte.

- Të lodhem nga deti? Atje tej është Itaka, Uliksi që kthehet në shtëpi.

Ai mbante sytë mbi pjatë i bezdisur.

- Nuk të pëlqen Odiseja?

Vështrimi i Morpurgos shkëlqeu nga një urrejtje e hapur.

- Mos duhet të flasim gjë me detyrim për libra? Nuk jam intelektual… Në shtëpi do të kthehem vetëm për të dalë në pension. Këtu jemi thjesht se na kanë emëruar. ǒhyn aventura? Uliksi ishte një i privilegjuar. - Shtrëngoi me dhëmbë buzët e mëdha, që e bënte të dukej joshës aq sa mund të jetë një peshkaqen.

- E kuptoj… Por edhe ti do kesh qenë një herë i vogël dhe do e kesh lexuar Salgarin…

- Im atë ishte punëtor, në shtëpinë time nuk kishte libra. Nga Piemonte deti nuk duket, madje nuk e merr as me mend…

- Si te kënga e Paolo Kontes…

- E kush është?

Fiora u bë pishman që kishte ngulmuar ca si shumë me pikëpyetje. E dinte fare mirë se ndodheshin aty pasi ai duhej t’i bënte disa pyetje asaj. Qysh në fillim kishte vendosur ta pranonte lojën. Deri më tani, Morpurgo nuk para ia kishte varur. Me sa duket, e kishte klasifikuar te personat jo të rrezikshëm. Në njëfarë mase i kishte ardhur pak si keq që nuk kishte hyrë në listën e tij të të dyshuarve. Në Tiranë, certifikata e pafajshmërisë ishte aty-aty me atë të budallallëkut.

E megjithatë, askush nuk kishte besim tek ajo, as ambasadori që nuk i zbulonte asgjë kontekstit politik, e as shqiptarët që e merrnin për spiune. Të qe e mundur që vetëm Morpurgo të kishte besim?

Sapo kishte vënë këmbën, ai i kishte bërë pyetje më se konkrete. Ato lidheshin me opinionet e saj politike dhe me punën e të vëllait. Pastaj, kurrgjë. Ai gjithnjë i dinte që të gjitha. Prandaj dhe të gjithë ia kishin frikën. Mos ndoshta nëpër arkiva kishte zbuluar ndonjë gjë për të kaluarën e saj në lëvizjen studentore dhe pastaj në sindikatën e artistëve? Fuqia e arkivave është e ngadaltë, por e sigurt. Si e gjykatave. Të mendoje se kishte ende njerëz që e ndanin botën në bardhezi, pa ngjyrime, që s’kanë dyshime, të jepte siguri.

Në trupin diplomatik të Tiranës, gjithsecili e dinte mirë se nga cili krah duhej të qëndronte, madje, para së gjithash dinte se në këtë botë kishte dy anë ku njeriu duhej të zgjidhte njërën prej tyre. Po ajo, nga ç’anë qëndronte?

Iu kujtua piktura e Spanjoletit, makthi i saj shpeshtë: Apoloni që rrjep të gjallë Marsian, nga zilia për atë bari me dhunti, që guxoi të fitonte garën me të, perëndinë e muzikës. I mbështjellë me pelerinë të kuqe, që përshkon diagonalisht tej e tej pikturën, Apoloni është indiferent ndaj gjakut që rrjedh nga trupi i bariut të shqyer. Britmat e Marsit thërrasin shikuesin që të rebelohet, që të mos pranojë të merret në mbrojtje nga ai mantel i kuq, nga ku buron gjak i pafajshëm. Nëse ajo do t’ia tregonte këtë makth, Morpurgo do ta kishte tallur me siguri. Buzëqeshi me vete, ndërsa burri përballë saj e pandehu si sinjal që i jepej atij, andaj mori zemër.

Duhej një tjetër shkundje, pasi shpotitja ndaj kulturës nuk e kishte inatosur. Nuk po krijohej tendosje dhe pa një çikë të tillë, shtrati të largohet gjithnjë e më tepër. Kishte ngut, një ngut të mallkuar.

Po të ishte për të, në Tiranë nuk kishte asnjë emergjencë, e megjithatë, nga Roma i kishin bërë presion në lidhje me atë grua. Trajtim të veçantë: ka një vëlla deputet të PKI-së, Partia Komuniste Italiane. Rezulton se edhe ajo është anëtare (po këto gjëra ai i dinte që në fillim). I kishin thënë të verifikonte marrëdhëniet e saj me opozitarët e regjimit, të sqaronte përse kishte ardhur në Tiranë, të zbulonte pikat e saj të dobëta (dëshirat seksuale, veset, ambiciet, rutinën e përditshme). Duhej të raportonte çdo pesëmbëdhjetë ditë.

Ka mundësi që Ministria e Jashtme ta kishte vonuar përcjelljen te Shërbimet e Fshehta të emërimit të saj, kësisoj ata kishin pasur pak kohë për të vlerësuar personin. Përciptësi diplomatësh! Për fat që tani, në krye të Shërbimeve, ishte një admiral, i cili kishte shpluhurosur dhe kishte përmirësuar marrëdhëniet me Ministrinë e Jashtme, të Mbrojtjes dhe Këshillin e Ministrave, në nivel krerësh, natyrisht. Po si mund t’u bëje derman zvarritjeve burokratike të atyre strukturave? Në ambasadën franceze, subjekti do të kishte ardhur bashkë me skedën e tij, të përgatitur që më parë. Të vjen plasja kur sheh se si kushërinjtë, ata gjela kapadainj, i bëjnë kaq saktë gjërat.

S’ke ç’bën. Do punonte mirë si gjithnjë. Kjo kishte rëndësi, e kurrgjë tjetër. ǒi kishte thënë ajo zuska që hiqej si e ditur: “Mos nuk ke qenë kurrë i vogël?” Ndoshta i duhej të fillonte prej andej, të shtirej sikur i kishte ngelur hatri.

Fiora nuk e shikonte, por vështronte detin e trazuar në errësirën e natës.

- Mendon ende për Salgarin? Mua nuk më ka pëlqyer kurrë. Ndoshta ngaqë e lexova kur ia kisha hipur anijes… Kur ke hequr mbi kurriz nga dy shtrëngata të mira, të humbet ca entuziazmi për tregime deti…

- Ah, ke qenë në Marinë? - sytë e Fiorës vetëtinë nga kërshëria.

- Jo, ç’thua, ndihmoja babanë të nxirrte rrjetat, në Liguria.

- Sikur me the se kishte qenë punëtor në Piemonte? - ironizoi Fiora.

- Po, po, e thashë dhe është e vërtetë, unë them gjithnjë të vërtetën. - E vërteta i shkonte për mbarë, në ato pak gjëra që zbulonte nga vetja. Për të mos u ngatërruar si gënjeshtarët e rëndomtë. - Ndryshe nga ju…

- Ju kush?

- Lëre… pastaj, je tepër e re për të ditur betejat e punëtorëve të Torinos në vitet pesëdhjetë… - u ngërdhesh ai në një mënyrë jo edhe aq joshëse. - Kur u kthye nga lufta, im atë ishte bërë socialist dhe te FIAT-i nuk e donin. E dëbuan nga puna për një grevë që nuk shkoi edhe aq mirë, kështu që iu kthye zanatit të familjes.

- Po deti ç’lidhej me Piemonten?

- Xhenova, për ne që jemi nga zona e poshtme e fushës së… Ah e ditke që ç’ke me të kush ishte Paolo Konte! Përveç se gënjeshtar, ishte edhe gojëkyçur. Apo mos po e vinte gjë në lojë?

- Në familjen e nënës sime kanë qenë peshkatarë prej tetë brezash. Jo si këta kanibalët këtu, që çobanë kanë qenë e çobanë do të mbeten. Regjimi i internon e i degdis në punë të detyruar, por këta po dele mbeten. Vazhdojnë të pandehin se deti është armik, se andej do t’u vijnë pushtuesit. E ke parë në Durrës statujën e atij burrit me pushkë? Pushka është drejtuar nga deti. Nuk kanë për të ndryshuar kurrë, nuk duan të ndihmohen që të ndryshojnë. Humbasim kohën kot.

Fiora u habit se sa kollaj e pa e vrarë shumë mendjen, Morpurgo e hidhte llafin te detyrat e tij sekrete.

- Edhe ata bursistët e tu… mësojnë gjëra që nuk ua nxë koka. Edhe nëse ndokush prej tyre arrin të marrë vesh ndopak, prapëseprapë kot është, nuk kanë ku t’i përdorin. E di se në Itali studentët e tu kontrollohen, se duhet të bëjnë raportim në ambasadë çdo javë? Edhe shërbyesja jote, ajo spiunia e vogël, të cilës ti i dhuron kremra për të hequr qimet, ç’do bëjë ajo kur ti do të kesh ikur? Ju u bëni vetëm keq këtyre njerëzve, do t’i luani mendsh. Kush komandon, do të komandojë për gjithnjë. Është kot të kundërvihesh.

Buzëqeshi i trishtuar duke zbuluar dhëmbët e bardhë e të mëdhenj. Harroi krejt se fytyra i shëmtohej sa s’ka më e i bëhej si e ndonjë qeni të tërbuar.

- Të shkon ndonjëherë në mend që nuk është e njëjta gjë nëse ndryshojnë ata që komandojnë, para së gjithash nëse në pushtet vijnë klasa shoqërore të tjera nga ato që sundojnë në këtë moment? - e provokoi Flora.

Ai e vështroi drejt e në sy dhe ia plasi:

- Mos kishin pasur gjë të drejtë Brigadat e Kuqe në atë kohë?

Ra një heshtje kërcënuese.

- Fundamentalistë të padurueshëm, - shkrofëtiu Fiora rëndë dhe papritur. - Mjaft të vëresh stilin e gjuhës së tyre për të kuptuar se ç’soj fodullësh dhe harbutësh të pashërueshëm kanë qenë. Tani më vjen të plas që na qenkan bërë edhe pishman e na u kërkuakan falje pas pilafit viktimave. Të na kërkonin edhe neve, të majtëve, për belatë që ka kanë hapur me ato dëliret qesharake të madhështisë vetmitare! - U nevrikos me veten për seriozitetin e tepruar dhe ndërroi stil. - Njerëz të mbaruar! Në mos për tjetër, sepse kanë humbur, pasi u treguan shumë tahmaqarë, - e mbylli me ironi.

- Po sikur të kishin fituar? - dukej se agjentit sekret i kishte interesuar fraza që kishte thënë ajo.

- Njerëzit si puna ime do ishin në burg, pa dyshim. - Me të nuk mund të bëhej shaka, ishte më e prerë se brigadistët. Por edhe ajo po i përgjigjej ca si tepër seriozisht.

Morpurgo druhej se ato pyetje si të marra nga librat e shkollës do ta bënin të dukej si budalla. Më mirë, kështu, pasi ajo do e nënvlerësonte. “Asgjë tjetër, më shumë se mendjemadhësia, - mendoi me lodhje dhe përçmim, - i bën të cenueshëm njerëzit. Edhe gratë, vetëkuptohet.”

- Kam vënë re se më në fund të erdhi gazeta ku je abonuar, kështu që nuk do qahesh më se nuk ke informacione, - tha për ta provokuar.

- Po tallesh tani? Informacione për gjendjen e këtushme, gazetat italiane nuk botojnë. Duhet të m’i jepni ju, që të mos vërtitem kuturu si qorri në kopshtin me kaktuse.

- Merru me ambasadorin, ai është shefi, - e provokoi Morpurgo. - …nëse bëhemi miq, t’i jap unë informacionet që të duhen. - Ishte një lëvizje e ujdisur mirë, tamam si nëpër libra. Do t’i kalonte informacione të pavërteta, që pastaj të shihte ç’do bënte ajo. Sidoqoftë, të merrej me atë grua, për të ishte kohë e humbur, kjo bënte mu… por Roma ngulmonte.

- Të thashë, mos më vër në lojë, Morpurgo… Megjithatë, po, kam lexuar një artikull të bukur që më dha zemër. Fliste për ç’po ndodh në Bashkimin Sovjetik… thoshte që nuk merret vesh se çfarë bën presidenti, pasi ecën mbi një tapet me shpresa dhe nuk gjen një mjet më të thjeshtë transporti. E bukur, apo jo?

- Poezi!... Për mua, ai është vetëm një njeri krejt normal, prandaj edhe duhet të shqetësohemi. Me përbindëshat e një kohe ishte më kollaj kur i kishim armiq. Ne preferojmë që asgjë të mos ndryshojë, vetëm e vetëm që të mos vihet në rrezik ekuilibri botëror.

- Ne? - ia mbajti Fiora, duke u ndier tepër dinake. Më shumë se ai.

Morpugo u kujtua se duhej ta magjepste, ta sillte bisedën në tema më pak konfliktuale. Vështroi matanë xhamave. Nata ishte e zymtë si fytyra e kamerierëve. Nuk dukej as shkuma e bardhë e valëve. Thellësia e dystë thyhej vetëm nga zhurma e detit.

Deti. Mund të ishte një argument, një si urë lidhjeje mes tyre. Por pastaj duhej parë një çikë se cila urë të çonte drejt kofshëve të saj të rrumbullakëta.

Vendosi të tregohej i vrazhdë. Me tipat romantikë, vrazhdësia ka efekt të sigurt. Fiorës nuk ia kishte thënë, por deti atij i kallte frikën. Qysh nga koha e kursit, kur ata maskarenjtë e kishin hedhur në ujë... Por në fund, ia kishte dalë mbanë. Admirali vetë e kishte uruar atë, djalin e një punëtori.

Kishte llogaritur gjithçka, kohën, vendin, ambientin. Por në atë çast, nuk do kishte dashur të hidhej, të gabonte. Ndoshta nuk ishte në lartësinë e duhur ngaqë po e vriste shumë mendjen. Ndoshta po e shtynte. Po shtynte çastin e sulmit. Një refuzim tjetër nuk do ta pranonte.

Në Romë, do shkonte mirë çfarëdolloj përgjigjeje. Po pranoi do të thotë se është vërtet zuskë dhe atëherë do ta orientonte hetimin në pika të tjera dhe do e ruante atë informacion për ndonjë shantazh të ndonjë natyre tjetër. Nëse refuzon, do vazhdojë të hetojë mbi këtë pikë: mund të ishte lesbike ose tepër e djallëzuar. Nuk duhej harruar se edhe agjentët e anës tjetër e shfrytëzojnë seksin për të marrë informacionet e tyre. Sidoqoftë do kalonte te pikat e tjera.

Vetëm se për të nuk do të ishte e njëjta gjë. Kurrë. Refuzimin nuk do ta duronte. S’kishte gjë më të poshtër sesa kur i thoshin jo. Edhe pse bëhej fjalë për punë. Edhe kur puna ishte bërë mirë, atë e bezdiste kur i thoshin jo. Këtë roman ai nuk po e kuptonte.

Sa ishte bërë që po heshtnin?

Vendosi mos t’ia shqiste sytë, nuk duhej ta humbiste vëmendjen, teksa Fiora pinte atë verën shqiptare që më e shpifur s’bëhej, e që ajo e shkonte me ngadalë sikur të ishte ndonjë barbera e vyer. Tani që kishte hequr xhaketën, nga këmisha e zezë e hapur i dilnin dy gjinj të bardhë dëborë dhe të rrumbullakët. Nuk mbante sutjena. Mbase nuk e kishte vënë re se të gjithë kamerierët ia kishin ngulur sytë mu atje.

Apo mbase e bënte edhe nergut.

Ky mendim më në fund e ndezi.

Në atë takim vetëm për vetëm me të, ajo kishte veshur atë këmishë aq të hapur. Ato që thoshte ishin dëngla. U ndie i siguruar. “Freno, freno, Morpurgo! Shkopin e kërcimit e ke gati, vetëm se duhet ta lyesh me pak shkumës te maja”. Duhej të ishte delikat, t’i shkonte pas fijes. Propozimi për t’u palluar duhej të vinte më i fortë, si një uppercut të cilës mund t’i shmangesh me zor të madh.

- Meqë nuk je tipi i misionares së pafajshme dhe nuk dukesh edhe aq e interesuar për paratë, a nuk më thua se ç’do në këtë vend të mjerë si ky? - O Zot, sa zor i vinte nga këto rëndomtësira prej filmash amerikanë. - Si ka mundësi që nuk jep mësim në Universitet apo… - Nuk shpresonte që ajo do t’i jepte elementë të rinj për skedën, por që të bënte pyetje gjithë kohën, ishte mënyra e tij e zakonshme e të biseduarit.

Fiora u përgjigj duke lëvizur në karrige dhe duke zbuluar këmbët.

- Në fakt, shkruaj… shkruaj për televizionet, për teatrot… madje tani po mendoj për libretin e një opere dhe ky vend mund të më frymëzojë. Është i pasur në muzikë polifonike… Njëlloj si opera me të cilën jam marrë shumë kohë më parë.

- Kur isha i vogël, nëna më shpinte në opera.

Fiora po ligështohej dhe për pak ishte gati t’i rrëfente historinë libretit të refuzuar, një dështim të cilin ende nuk e kishte tretur. Se ku kishte lexuar diku që mes të xhelatit dhe viktimës vendosej një lidhje e caktuar, disi intime. Doli mbi impulsin në mënyrë që të mos humbiste autoritetin.

- Më interesojnë ritmet, vallet, këngët e tyre polifonike, më duhet të hyj brenda për t’u frymëzuar… E kupton?

“Kuptoj, kuptoj që gënjen, - mendoi me hidhërim Morpurgo. - Vë dorën në zjarr nëse ky është motivi për të cilin ke ardhur këtu, vogëlushe. Ke ardhur për ambicie, për të shpëtuar nga ndonjë dashuri e prishur, për t’u ndier e rëndësishme. Ose je vërtet e djallëzuar dhe këtë historinë e muzikës popullore do ta përdorësh si sebep për t’u futur pa teklif mes njerëzve, t’u bësh pyetje e të vendosësh kontakte”. U ndie gati i gëzuar nga ideja se do ta sfidonte edhe në rrafsh intelektual. Strategjia për ta çuar në shtrat nuk ndryshonte, ama sjellja e vrazhdë që vlente për femrat romantike, ishte e përsosur edhe për këtë tip intelektualeje. Pastaj, nëse donte të ishte i sinqertë edhe me veten, nuk para njihte ndonjë tjetër lloj sistemi.

Vrau ca mendjen nëse ajo ishte kështu edhe jashtë punës, por s’gjeti gjë. Duhej të kthehej pas, si në kohërat kur donte t’i fitonte zemrën së shoqes. Sa për të tjerat… eh… jo të gjitha mund të quheshin punë, në kuptimin e ngushtë të fjalës. Jo të gjitha ishin të porositura. Nganjëherë, pragu mes punës dhe dëshirës ishte tejet i hollë… Por për këtë nuk donte të mendonte. Jo tani.

- Nuk do të të japin leje, vë bast, - pohoi ashpërsisht.

- Leje për çfarë?

- Të gjezdisësh nëpër Shqipëri. Në qytet s’ke gjë tjetër veç atyre të zakonshmeve për turistë. Duhet të shkosh nëpër fshatra, të zbresësh në jug e që është e ndaluar, plot me baza ushtarake… e rrezikshme madje. Sidoqoftë problemi është i zgjidhur qysh në fillim... Nuk ke për të qullosur gjë. Më vjen keq për muzikën tënde polifonike, por duhet të heqësh dorë.

- Marrke vesh edhe nga muzika përveç detit? - Me të, gjithçka ishte e mundur, madje edhe që të kuptonte muzikën. Kishte njëfarë kulture, edhe pse e fshihte me kujdes. Një lloj understatement, ku ajo përpiqej pa ia dalë dot mbanë, Në rastin e Morpurgos, bëhej fjalë më tepër për një marifet i cili megjithatë, ishte i kuptueshëm nga të dy. I vetmi deri në atë çast.

- Të të jepja unë mësime muzike… e si do guxoja! Ti shkruan për muzikantët, kupton ato shenjat qesharake, të pakuptueshme, bardhezi…

- Eh, sa për shenja komike e të pakuptueshme, ty nuk duhet të ta kalojë kush.

- ǒdo të thotë? Kush e thotë? - e trashi ca zërin Morpurgo.

Me atë theksin e vet sicilian, që dukej sikur barte kërcënime, Renato, shifranti i ambasadës, i kishte thënë: “Ju s’keni frikë nga Morpurgo zonja Listri?” - “Frikë? Përse?” - ishte përgjigjur Fiora me zë të lartë. - “Kam frikë vetëm nga vetja dhe nga makthet e mia” .

- Lëri këto, të gjithë e dinë se ti… Meqë ra fjala, më jep një këshillë, - e pyeti Fiora, - si t’ia të bëj me letrat që dërgoj në Itali? Telefoni përgjohet dhe nuk do të doja që edhe…

- Ke dy mundësi… Po t’i dërgosh me postën diplomatike, i lexojmë ne. Me postën normale, i lexojnë shqiptarët… - u skërmit ai.

- Dreq o punë. Duket vërtet si film…

- Po ja që nuk është, Fiora, nuk është aspak! Kjo nuk është lojë… Dhe nëse do të qe kështu, është tepër e rrezikshme. - Dhëmbët e qenit i shkëlqenin me armiqësi. - Dëshiron vërtet të bësh një xhiro për “të hyrë brenda” ritmeve popullore? Po ta mendosh mirë, të hysh brenda nuk është nuk është shprehi edhe aq femërore, nuk të duket? - E provokoi sërish. Jo vetëm sepse po eksitohej nga pamja e këmbëve të saj të kryqëzuara ngjitur e ngjitur, sikur mbante ndonjë thesar aty në mes. Shihte lëkurën e kofshëve dhe përfytyronte pjesën e brendshme, domosdo e lëmuar dhe e ëmbël po ta prekje e që dihej se ku të shpinte. Do të donte ta lëmonte ngadalë me duar nën mbulesë, ta bënte t’i hapte ato këmbë, t’ia tërhiqte brekët mënjanë, t’i fuste gishtat brenda, ta ndiente të lagësht dhe ta shpinte në orgazëm, pa i dhënë mundësi të gërthiste. Ta poshtëronte. Edhe pse trupin e kishte bullafiq, duart i kishin shpëtuar nga tërë ato kurse trajnimi. I kishte të holla dhe i përdorte për kënaqësitë e preferuara, njëlloj si të rregullonte një orë antike apo të bënte dashuri me gratë. Në fund të fundit, që të dyja funksiononin.

- Je kaq i vrazhdë gjithnjë apo vetëm në takimet e para, si puna e atyre riteve të pranimit, në Normalen e Pizës apo nëpër kazerma…

- Nuk e kam idenë se si sillen ata kokorroçët e Normales së Pizës dhe s’ma do mendja që ti të kesh përvojë edhe me kazermat… apo gabohem?

- Tani po e tepron… - Që nga dita e parë, ai ishte përpjekur ta provokonte, pasi të tëra gratë i trajtonte si kurva, por ajo ia kishte treguar vendin faqe të gjithëve.

- Ndoshta nuk kam ndonjë famë kushedi sa të mirë, ndonjë duhet të ta ketë thënë se jam i rrezikshëm… Por e vërteta është se jam i çiltër dhe nga unë nuk ka arsye përse të kesh frikë, pasi nuk kam asgjë për të fshehur.

Morpurgo i kujtonte të ëmën dhe mënyrën e saj për të qortuar fëmijët për çfarëdo gënjeshtre të vogël, por nëse do ta bënte atë krahasim me zë të lartë, e kishte fare të qartë se do ta bënte armik për jetë. Ai pandehte se ishte papa i tërë komunitetit italian të Tiranës. E në disa aspekte edhe ishte.

- Kur nuk ka asgjë për të fshehur, lamtumirë ndjenja faji. Lamtumirë psikiatër... -buzëqeshi Fiora, - por ti nuk po më dëgjon… Mos po shikon gjë detin?

- Të dëgjoj, të dëgjoj si jo… Ndoshta më shumë të shoh ty sesa detin, - buzëqeshi Morpurgo. Ndryshimi i shpejtë i tonit duhej ta godiste, t’ia bënte të fortë ndjenjën e dëshirës. Kishte vajtur ora dhjetë dhe nuk kishte qullosur gjë. - Nuk më pëlqen deti. Ndërsa ti, po. Ti më pëlqen shumë.

Fiora u bë pishman që kishte veshur atë këmishën e hapur, tani që kishin mbërritur te pika konkrete.

- Nëse nuk u shpjegova qartë, dua të bëj dashuri me ty, këtu, menjëherë. - “Ja, pra, këtu, goditja nga poshtë u dha. Në Romë, mund të gëzohen, pasi do shohin që punoj edhe jashtë orarit”. Ndihej i rënë dhe shpresonte që ajo të thoshte jo. Ishte i lodhur, tmerrësisht i lodhur. I lodhur nga Tirana, i lodhur nga vetja.

Fiora e kuptonte që ai po e vinte në provë për motive idiote pune: s’kishte dyshim se kodet morale të Shërbimeve Sekrete lidheshin me Vitin e Shenjtë 1950. Praktikisht në sintoni me Tiranën e 1988-s.

- Përgjigja është jo.

- E përse?

U vështruan me sytë që u shndrisnin, pasi ishin në gotën e tretë të verës dhe nuk kishin ngrënë as edhe një kafshatë. Duke e ditur se sa lehtë preken burrat, sidomos kur u refuzojnë dhe duke mos dashur ta fyente, Fiora mendoi të jepte një përgjigje të kalitur në shkollën leniniste:

- Pasi nuk kryej marrëdhënie seksuale me rrethin e njerëzve me të cilët punoj.

- Dhe përveç kësaj?

- E nga ta di? Flasim një herë andej nga shtatori.

- ǒdreqin do me thënë, flasim andej nga shtatori? Mos më merr gjë për student? Jemi në mars! - Tani nuk ndihej më i lodhur. Një shtrëngim te kofsha e bëri të tërbohej.

- Jo… në shtator që të dy do të ndodhemi në Itali dhe… - bëri shaka Fiora, duke mos ditur më ç’të sajonte. Nuk donte ta armiqësonte, por parapëlqente të ecte në shtigje të shkelura. Morpurgo ishte shumë më ndryshe nga burrat që kishte njohur deri atëherë.

“Po tall prapanicën, qelbësira e vogël, - mendoi ai i acaruar dhe i zhgënjyer, - por këto fjalë, një ditë do ia bëj t’i kapërdijë, me hir a me pahir, bashkë me rrushin tim”.

Përpiqej me të gjitha mënyrat që poshtërimi të mos e vinte poshtë. Po ishte e kotë ta fshihte. Sistemi kishte qëlluar në shenjë. Tani për tani.

“Tërmet në Tiranë”

Toena sjell në shqip romanin historik të shkrimtares italiane Serena Luciani “Një italiane në Tiranë” (Titulli në origjinal “Tërmet në Tiranë”), përkthyer nga Xhimi Lazri. Serena Luciani, ish-drejtorja e Institutit Italian të Kulturës në Tiranë në vitet 1988-1990, në kohën e ndërrimit të sistemeve apo, si tashmë njihet, në kohën e rrëzimit të komunizmit në Shqipëri, ka botuar në Itali para dy vjetësh një roman me temë nga ngjarjet e atyre viteve të trazuara në Shqipëri. Koha e tmerreve të ndërrimit të sistemeve me apo pa dhunë, koha e varfërisë së skajshme të shqiptarëve që e kishin hedhur prej kohësh vështrimin nga Perëndimi, koha e përpjekjeve të dëshpëruara të kastës së vjetër për ta mbajtur në këmbë sistemin e mbyllur gjysmëshekullor, koha e shkëndijave rinore për hapjen dhe emancipimin e shoqërisë shqiptare janë përshkuar si rrallëherë në një roman 500 faqesh të shkruara nga një e huaj që banonte në Tiranë me mision diplomatik, por që ishte drejtpërdrejt apo tërthorazi pjesë e zhvillimeve të vrullshme që kishin përfshirë vendin e vogël enigmatik e të panjohur në mes të Evropës. Por romani nuk përshkruan vetëm linjën historike të zhvillimit të ngjarjeve. I shkruar në një formë të arrirë artistike, linjat në vepër trazohen dhe bëhen interesante nga intrigat që kanë përfshirë pushtetin në rënie, por edhe gjithë shoqërinë shqiptare; linjat e dashurisë dhe të skenave erotike që nuk mungojnë asgjëkund, sado e shtypur dhe e ndryshkur të jetë shoqëria; veprimtaria e strukturave të spiunazheve, mjaft aktive në periudhën e rënies së komunizmit; figurat e personazheve të romanit, të cilët janë lehtësisht të identifikueshme për ata që e kanë jetuar atë periudhe 20 vjet më parë etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›