Kriza globale frenoi projektet e mëdha energjetike
“Kriza globale financiare ka ndikuar drejtpërdrejt në projektet e mëdha energjetike të parashikuara për t’u zbatuar në vendet e Evropës Juglindore përfshi dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë Kosova dhe Shqipëria. Kompanitë kryesore investitore energjetike të vendeve të Bashkimit Evropian dhe SHBA janë dëmtuar rëndë nga pasojat e rënies ekonomike botërore dhe në këtë mënyrë janë shtrënguar të rishikojnë thelbësisht madhësinë e projekteve si dhe mënyrat e financimit të tyre në kohë. Të njëjtën gjë duhet të bëjnë dhe qeveritë e vendeve te rajonit të Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor përfshi Shqipërinë dhe Kosovën në fushën energjetike”. Përfundimi i mësipërm vjen nga Forumi Ndërkombëtar i Energjisë “Kosova-mundësi energjetike”, që u zhvillua në data 5-6 tetor i organizuar nga Konfindustria në bashkëpunim me KEK/Korporatën Energjetike të Kosovës dhe KOSTT/Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu të Kosovës dhe mbështetur nga Ministria e Energjetikës dhe Minierave të Kosovës dhe ku ishin të pranishëm përfaqësues të kompanive të rëndësishme evropiane energjetike, institucioneve financiare, kompanive ndërkombëtare të konsulencës etj. Në Forum ishte i pranishëm dhe Kryeministri i Kosovës, z. Hashim Thaçi, përfaqësues të qeverive të vendeve të Ballkanit etj. Shembull i qartë i pasojave të krizës financiare edhe në fushën energjetike ishin shenjat e dhëna për tërheqjen e kompanive të tilla të mëdha si RWE/gjermani, ENEL/Itali, CEZ/Çeki etj., nga projekti i ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re” në Kosovë, i parashikuar në fuqi 2100 MGW, bazuar në linjitin sipërfaqësor, që mbahej para disa vitesh një nga projektet strategjike evropiane. Shembuj të ngjashëm të tërheqjes së kompanive të mëdha investitore nga projekte të tjera energjetike ka pothuaj në të gjitha vendet e tjera të Evropës dhe më gjerë si Poloni, Serbi, Rumani etj. Bazuar në të dhënat dhe përfundimin e mësipërm, iu ka kërkuar vendimmarrjes politike të vendeve të Ballkanit Perëndimor përfshi Kosovës dhe Shqipërisë, që duhet urgjentisht t’i përshtaten kushteve të reja ekonomike dhe financiare si pasojë e krizës globale për zhvillimin e projekteve energjetike të parashikuar në vende të tilla.