E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana, Lila stervitet rregullisht, Pejiç mendon per Kastriotin

Mediat sportive paralajmeruan largimin e Liles. Pejiç: Ndaj Kastriotit duam tri piket

Edhe pse mediat trumbetuan gjatë se Andi Lila do të nisej dje drejt Kroacisë (për të firmosur me Dinamon) asgjë nuk ndodhi. Mbrojtësi i krahut të djathtë i bardhebluve u pa dje teksa stërvitej me shokët e tjerë të ekipit, ndërkohë që shtatlarti i Tiranës, Pero Pejiç, u bëri thirrje të tijve që të harronin atë çka u ndodhi në Ballsh.

Lila në stërvitje

Dje, disa prej gazetave më të mëdha sportive “trumbetuan” lajmin se Andi Lila nuk do të ishte më pjesë e Tiranës, ndërkohë që realiteti ishte krejt ndryshe. Lojtari në fjalë, jo vetëm që nuk mori asnjë aeroplan, por përkundrazi, ishte prezent gjatë tërë seancës stërvitore në kryeqytet. Për lajmet që nga dje u kthyen në thashetheme skuadra më e titulluar në Shqipëri nuk mori mundimin për të replikuar, madje para medieve nuk doli as vetë Lila.

Pejiç: Mendojmë për Kastriotin

Para gazetarëve, në kompleksin “Halili”, u paraqit dje sulmuesi kryesor i Tiranës, Pero Pejiç. Shtatlarti nga Kroacia nuk komentoi zërat që lidheshin me Lilën, por përfitoi nga rasti për të “kontestuar” gjykimin e dobët të Metës në Ballsh: “Gjyqtari Kridens Meta na ka dëmtuar në Ballsh dhe për mua nuk duhet të gjykojë më. Madje, ai nuk do të jetë i mirëpritur kurrë më për të gjykuar skuadrën e Tiranës. Meta në Ballsh ka qenë i njëanshëm, duke na dëmtuar hapur, madje gjykime të tilla tendencioze jo vetëm që po i prishin bukurinë futbollit”, - pohoi Pejiç. Më pas shtatlarti i sulmit bardheblu foli edhe për impenjimin e ardhshëm të Tiranës. “Mendoj se që nga sot (dje) djemtë duhet që të mendojnë për kundërshtarin e radhës. Them se Kastrioti është një ekip për t’u respektuar. Ata kanë një skuadër të fortë dhe ne nuk i nënvleftësojmë aspak. Megjithatë, them se Tirana do të kërkojë vetëm tri pikët në këtë takim”, - përfundoi Pejiç.

Java 15

Vllaznia-Skënderbeu

Tirana-Kastrioti

Elbasani-Laçi

Bylis-Flamurtari

Shkumbini-Dinamo

Teuta-Besa

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›