E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga Van Basteni tek Ibrahimoviç, Milani gjen nje tjeter legjende

Deri me tani Ibra ka shenuar plot 9 gola ne Serine A

Gjithçka nisi në Amsterdam më 2001. Në një turne që luhej në “Amsterdam Arena” midis katër skuadrave (Ajaksit, Milanit, Valencias dhe Liverpulit). Në njërin nga takimet, skuadra e kuqezinjve, e drejtuar nga “perandori” Fatih Terim, gjeti përballë Ajaksin e të rinjve. Ekipin që gjithmonë nxjerr talente. Një i tillë kishte ardhur nga Malmo. Ai quhej Zllatan Ibrahimoviç dhe me aftësitë e tij spikati në tapetin e blertë. Pak minuta pasi kishte filluar ndeshja, menaxheri i skuadrës së Milanit, Silvano Ramaçioni, fiksoi shtatlartin nga Suedia dhe tha: “Ej, ai i ngjan shumë Van Bastenit”. Si Van Basteni? Prapë? A vjen një tjetër vallë si ai? I thonë: “Silvano, ti e di shumë mirë: si ai nuk ka më, nuk lindin më të tillë”. Ramaçioni qeshi nën zë dhe tha: “Do të shohim, do të shohim. Vijani veshin fjalëve të Silvanos, prej shumë vitesh ka parë shumë lojtarë...”.

“Ibrakadabra”

Disa vite më parë kur Kivu luante tek Ajaksi, Zllatani pasi fitoi me “bijtë e zotit” kaloi tek Juventusi dhe mori emrin Ibracadabra. Shtatlarti nga Malmo pasi kaloi në Serinë A me magjitë e tij mori të gjitha trofetë e mundshme,aq sa të gjithë filluan që të vinin shenja barazie midis Van Bastenit dhe tij. Të parit që i kërkuan të jepte një mendim për këtë çështje ishte Leo Benaker (trajneri i Holandës gjatë periudhës kur luante Van Basteni). Dhe Leo, që i dashuron krahasimet, tha: “Po, i ngjan shumë”. Ndërkohë që disa tjerë me skepticizëm treguan: “Janë aty-aty, Marko ka qenë i madh, por Zllatani mund ta arrijë”.

“Mjellma e Utrehtit”

Nga ana tjetër, fenomeni me emrin Marko ka lënë gjurmë si në fusha ashtu edhe në spitale. Gjeniu holandez, që tani kalon ditët në fushat e golfit, gjatë karrierës i është dashur që shpeshherë të lërë katërkëndëshin e blertë për shkak të problemeve në gju (çka e shtynë që të lërë futbollin para kohe, në moshën 29-vjeçare). Gjithsesi, spektakli nëpërmjet të cilit ka shënuar, ka bërë që të mbetet shprehja: “Këto janë gola alla Van Basten”.

Në fluturim

Van Basteni ishte kampioni që kërkonte të klasifikonte më të mirët e futbollit si vendet e aeroplanit. Kështu, sipas tij, tre futbollistë meritonin tri vendet më të mira, ndërsa të tjerët përfundonin të gjithë në “biznes klas”. Në “top klas” ai vinte Pelenë, Maradonën dhe Krujfin. Ndërsa veten e tij e vinte “prapa, në biznes klas, me të tjerët”. Për fat të keq, ka vetëm tri vende. Thoshte dhe thotë. Gjithsesi tani në biznes klas ai është në shoqëri të mirë. Ibrahimoviçi ka hipur prej kohësh. Edhe pse suedezi nuk ka marrë me vete Topin e Artë apo Ligën e Kampioneve, prapëseprapë është një shok i mirë udhëtimi. Të dielën në drekë, kur Milani luajti në Bolonja ndaj vendasve, me lojën që zhvilloi, Ibra ngatërroi shikuesit. Këtao të fundit herë thoshin goditje alla Van Basten, herë thoshin pasime alla Ibra. Pak rëndësi ka, diferencat janë të vogla.

Modelet

Edhe pse Ibra i ngjan shumë Van Bastenit, askush nuk mund të thotë që suedezi është i të njëjtit klas me holandezin. Ibrës për t’u bërë si Van Basteni i mungojnë disa detaje që i vë në pah njëri që nga futbolli merr vesh shumë. Bëhet fjalë për Fabio Kapelon. Don Fabio i ka stërvitur që të dy këta lojtarët dhe në intervistat e tij gjithmonë ka nxjerrë ndryshimet si dhe të përbashkëtat e këtyre dy lojtarëve të mëdhenj: “Marko ka qenë preciz dhe shumë konkret në zonën e rreptësisë së kundërshtarit, ndërkohë që Zllatani është tipi i lojtarit që mban topin dhe ndihmon skuadrën që të dalë jashtë mesfushës së vet. Marko shënonte gola, ndërkohë që Zllatani realizon më pak, edhe pse është më i fuqishëm. Marko ka qenë elegant dhe shumë i devotshëm. Zllatani herë-herë sillet dhe kopjon numrat që bën Ronaldinjo”. Ndryshe nga më parë, sapo mbërriti në Torino, Kapelo i tregoi Zllatanit numrat e Markos. Ai i tregonte se si Van Basteni lëvizte nëpër fushë. Kapelo donte që Zllatani të bëhej si Marko. Një tjetër e veçantë e kësaj historie është edhe vendi ku jeton tani Ibra. Suedezi ka marrë pikërisht shtëpinë ku jetonte më parë Marko Van Basteni. Ibra me golat e tij po bën “me fletë” tifozët pikërisht siç bëri Van Basteni vite më parë. Tashmë Ibra mund të bëjë të madh Milanin që ndryshe nga më parë po e stërvit Masimo Alegri. Edhe ky i fundit nga mediat italiane i afrohet shumë Kapelos. Gjithsesi, përpos këtyre analogjive, vetëm një gjë nuk ka ndryshuar nga Milani i tanishëm me atë të 20 viteve më parë: në pankinë ndodhet ende Silvano Ramaçioni.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›