Presidentet e klubeve, takim me Komitetin Ekzekutiv te FSHF-se

Pas dështimit të punimeve të mbledhjes së Ligës Profesioniste, e zhvilluar para dy javësh me praninë e 12 presidentëve të klubeve të Kategorisë Superiore dhe presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, e cila nuk mori asnjë vendim konkret, duket se do të ketë një tjetër mbledhje, këtë herë mes presidentëve dhe Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. “Ky takim që do të zhvillohet në 21 dhjetor në ambientet e FSHF-së, vjen pas kërkesës që kanë paraqitur 7 presidentë të klubeve të Superligës”, - u shprehën dje burime pranë institucionit më të lartë futbollistik në vend. “FSHF ishte e gatshme ta realizonte takimin në një datë më të afërt, por përfaqësuesit e klubeve që kanë nënshkruar kërkesën, nuk arritën që të organizoheshin përpara datës së caktuar”, - theksuan burimet. FSHF do të përfaqësohet në këtë takim nga zv.presidenti dhe disa anëtare të Komitetit Ekzekutiv. Mbledhja e fundit mes presidentëve të Superligës ka nxjerrë në pah disa probleme të futbollit shqiptar, ku presidentët kanë pasur debate të ashpra mes tyre mbi disa pika, ku më e nxehta ka qenë përcaktimi i drejtuesit të arbitrave, që sipas presidentëve të klubeve, duhet të jetë nën varësinë e Ligës Profesioniste dhe jo të FSHF-së si dhe shkarkimi i kryetarit të Ligës, Profesioniste, Kokëdhima. Këto vendime i takojnë Komitetit Ekzekutiv dhe ky duket se është shkaku kryesor i takimit që do të mbahet në 21 dhjetor mes presidentëve të klubeve dhe KE-së së FSHF-së.