E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana, Lonçareviç shtyn me 24 orë zyrtarizimin e skuadrës për sezonin e ri

Duhej të ishte dita e së vërtetës. Momenti kur Tirana do të publikonte emrat e futbollistëve që do të jenë pjesë në sezonin e ri, ky objektiv është ruajtja e titullit kampion. Megjithatë, gjithçka është shtyrë pas kërkesës së trajnerit Ilija Lonçareviç. Trajneri kroat i ka kërkuar drejtuesve të klubit edhe pak kohë për të reflektuar dhe për të vendosur përfundimisht se cilët do të jenë elementët që kërkon të ketë në dispozicion. "Trajneri vendosi që të mos ta publikojë sot (dje) listën me emrat e futbollistëve që do të qëndrojnë te Tirana", bënë të ditur burime zyrtare pranë bardhebluve. "Ai kërkoi të mendohej edhe pak dhe gjithçka do të zbulohet sot në mesditë".

Më tej, zyrtarët e 24 herë kampionëve të vendit nënvijëzuan se kanë mbyllur bisedimet me ata që do të përbëjnë boshtin e skuadrës dhe forma pritet të jetë vetëm formalitet. "Kemi rënë dakord me pjesën më të madhe të futbollistëve. Më të rëndësishmit, ata që ndihmuan ekipin të fitonte titullin gjatë sezonit të kaluar do të qëndrojnë, pasi janë arritur marrëveshje parimore. Pasi trajneri të publikojë skuadrën e edicionit të ri, do të fillojë edhe firmosja e kontratave. Megjithatë, gjithçka mund të quhet e përfunduar", theksuan drejtuesit kryeqytetas. I vetmi që rrezikon nga "veteranët" është mesfushori Saimir Patushi. Gjithsesi, situata e tij do të shqyrtohet edhe një herë, përpara se të jepet vendimi përfundimtar.

Ndërkaq, dje, Tirana ka zhvilluar një ndeshje miqësore me Kastriotin. Rezultati përfundimtar i ndeshjes ka qenë 3-1 për krutanët, por stafin teknik i bardhebluve nuk u shfaq i shqetësuar, pasi kjo miqësore ishte më shumë një test për të rinjtë. Në fakt, pjesa e parë e takimit, ku janë aktivizuar të gjithë titullarët, u mbyll me avantazhin 1-0 të të besuarve të Lonçareviç. Autori i golit ishte mbrojtësi Andi Lila, që vetëm pak ditë më parë shënoi edhe në derbin me Partizanin. Në pjesën e dytë, në radhët e Tiranës janë aktivizuar të gjithë futbollistët e rinj, që gjatë kësaj periudhe janë stërvitur me ekipin. Pikërisht këtu filloi edhe superioriteti i Kastriotit: skuadra e rikthyer në elitë realizoi tri gola me Pemën, Shametin dhe Grizhën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›