E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, PS: Gjithë rrugët ligjore të rrëzojmë vendimin e KQZ

TIRANE-Partia Socialiste shprehu dhe njëherë sot qëndrimin për rezultatin e KQZ për Tiranën ndërsa bëri të ditur se do të ndjekë rrugën ligjore për ta kundërshtuar atë.
“Rezultati i shpallur nga KQZ me urdhër të Saliut është i pavlefshëm dhe i papranueshëm. Partia Socialiste do të ndjekë rrugën ligjore për të rrëzuar këtë vendim e bindur në drejtësinë e kauzës së saj përpara së cilës asnjë gjykatë e gjykatës, sado i trysnuar qoftë nga pushteti, nuk mund të mbyllë sytë. Pasojat do të ishin shumë të rënda”, u shpreh sot deputetja Olta Xhacka gjatë një konferencë për shtyp.

Duke theksuar se vendimi i KQZ nuk do të pranohet kurrë nga PS, Xhacka deklaroi se KQZ degjeneroi në veprime dhe se populli e pa me fakte këtë. “Me vendimin e saj të pavlefshëm dhe kriminal për shpalljen e Lulzim Bashës fitues në tavolinë, Arben Ristani dhe Sali Berisha u treguan të gjithë shqiptarëve se deri në ç’ pikë ka degjeneruar KQZ-ja. E pa i madh e i vogël sesa haptazi e në ç’ mënyrë primitive u cënua integriteti i kutive të votimit për të manipuluar votat në favor të Lulzim Bashës. E pa i madh e i vogël sesi në pjesën më të madhe të kutive mungonte kodi i pestë, pikërisht ai kod që mbyll hapësirën nga ku zgjedhësit hedhin fletët në kuti. E pa çdo shqiptar e ndërkombëtar sesi gjysma e kutive kishin fletë mangët dhe gjysma tjetër fletë me tepri”.

Sipas PS, Tirana tashmë e ka një fitues sado që humbësi po përpiqet të grabisë fitoren.

“Tirana e ka sot një fitues, fitoren e të cilit e pa e gjithë Shqipëria. Ai është Edi Rama i cili fitoi me dhjetë vota avantazh ndaj Saliut, Lulit, Ilirit, dublimeve, votuesve shëtitës nga mbarë trevat shqiptare. Tirana ka sot dhe një humbës i cili do të bënte mirë të dëgjonte zërin e qytetarëve dhe të pranonte humbjen. Ky është Luli i Saliut, i cili pasi humbi garën zgjedhore, por përpiqet tani me Saliun e për Saliun të grabisë Bashkinë e Tiranës në tavolinën e Ristanit dhe ndonjë gjyqtari të kapur nga pushteti”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›