Tirana-Pogradeci në RTSH, Shkëmbi: Do qëndrojmë në Abissnet Superiore

Tirana luan fatet e sezonit në finalen e Play Out-it kundër Pogradecit, që do të luhet nesër në orën 18:00 në “Elbasan Arena” dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në RTSH 2.
Trajneri i bardhebluve, Bledi Shkëmbi ka folur për mediat në prag të kësaj ndeshjeje vendimtare, duke theksuar se skuadra e tij është gati për këtë finale dhe se fundi do të jetë i gëzueshëm për kryeqytetasit.
“Është një sfidë vendimtare, ndeshja e fundit e sezonit. Nuk i druhem faktit të presionit, ndeshje vendimtare dhe futbollistët duhet të bëjnë më të mirën e tyre. Janë të rritur, kuptojnë rëndësinë e këtij momenti. Kemi kaluar vit goxha të vështirë, jam i bindur që fundi do të jetë i gëzueshëm.
E ardhmja te Tirana? E rëndësishme është kjo ndeshje, patjetër që shikoj, çdo trajner kërkon të rrijë sa më gjatë te një skuadër. Ka kohë pastaj për të vendosur dhe për të bërë më të mirën për skuadrën dhe klubin. E rëndësishme të fitojmë këtë ndeshje dhe të qëndrojmë në Abissnet Superiore”, ka thënë mes të tjerash Shkëmbi.