E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana, barazim me Stabaek. Kualifikimi vendoset në Oslo

Tirana dhe Stabaek e mbyllin në barazim 1-1 përballjen e parë të turit të parë eliminator në Ligën e Kampioneve. Edhe pse në pjesën më të madhe të lojës kanë qenë superiorë, të besuarit e teknikut Ilija Lonçareviç nuk kanë mundur të përfitojnë nga faktori fushë, për të udhëtuar më të qetë në takimin e kthimit. Bardheblutë u paraqitën pa Memellin, Agollin dhe Toni Pezon, tre lojtarët kryesorë të edicionit të kaluar, që ndihmuan skuadrën të fitonte titullin kampion në Shqipëri. Xhafaj ishte zgjedhur si sulmues i vetëm, ndërsa pas tij Muka dhe Muzaka kishin detyrën të mbështesnin aksionet ofensive. Por, diferenca në formën fizike u duk menjëherë, me kampionët e Norvegjisë, që ishin më të freskët, edhe sepse deri më tani kanë luajtur 18 javë në kampionatin e tyre. Stabaekut i mjaftuan vetëm 43 sekonda për të rrezikuar portën e kryeqytetasve: Berglund tenton fort nga pozicion i prirët, por Nallbani neutralizon pa probleme. Tirana kundërpërgjigjet me Sefën, që nuk gjen portën. Kur kronometri regjistronte 14 minuta lojë, në momentin e parë që miqtë treguan pasiguri, bardheblutë gjejnë rrjetën nga një goditje këndi me Andi Lilën. Por, mbrojtësi i Kombëtares ndodhej në pozicion të parregullt dhe goli anulohet nga gjyqtari austriak, Robert Shërgenhofer. Vendasit provojnë sërish nga goditjet standarde, por Daniel Xhafaj nuk devijon si duhet me kokë. Pikërisht në momentin kur 24 herë kampionët e vendit po kontrollonin lojën, edhe prej faktit se nordikët po vuanin temperaturat e larta, Stabaek kalon në avantazh me Kobajashin. Në të 34-ën, ai përfiton nga gabimi i pafalshëm i Muzakës: pas një harkimi pa pretendime drejt zonës, mesfushori e kontrollon keq topin, duke ia dhuruar japonezit të norvegjezëve që nuk gabon. Fraksioni i dytë i lojës starton me Tiranën menjëherë në sulm, në kërkim të barazimit që nuk vonon. Protagonist i padiskutuar është Sefa që fillimisht tenton nga distanca, ndërsa më pas bëhet iniciator i golit të bardhebluve. Në të 59-n, mesfushori i talentuar driblon mjaft bukur një mbrojtës kundërshtar në kufi të zonës dhe gjuan fort me të majtën: portieri Knudsen grushton, por pa e larguar topin, që shkon te kapiteni Devi Muka, i cili fluturimthi përshëndet rrjetën. Në të 59-n, Lonçareviç bën edhe lëvizjen e parë taktike, duke zëvendësuar Muzakën e dëmtuar me Mohelebin. Tirana tenton në të gjitha mënyrat, por miqtë janë rreshtuar mirë në mbrojtje dhe gjuajtjet nga distanca e largët mbeten alternativa e vetme. Në sekondat e fundit, reparti ofensiv i bardhebluve përforcohet edhe me Abilaliajn, por pavarësisht momenteve të rrezikshme nga të dyja krahët, rezultati 1-1 nuk ndryshon. Ndeshja e kthimit do të luhet të martën e ardhshme, më 21 korrik, në stadiumin "Telenor Arena" të Oslos.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›