Pakult: Respekt për Vllazninë, kemi kualitetin për të fituar
Të dielën, Rapidi i Vjenës do të përballet në një ndeshje miqësore me Liverpulin me rastin e përvjetorit të skuadrës austriake, por trajneri Peter Pakult e shikon si dytësore sfidën me anglezët: "Për fansat do të jetë një ndeshje shumë e veçantë, por për ne më rëndësishme është ndeshja me Vllazninë. Bëhet fjalë për Europa League dhe në këtë kompeticion ne duam të ecim sa më lart që të jetë e mundur‘. Pakult nuk u trembet shqiptarëve, por ka respekt për ta. Ai i ka ndjekur në ndeshjen kundër Sligo Rovers dhe prandaj e shikon ekipin e tij si favorit, por megjithatë, ai kujton që duhet të jenë të kujdesshëm ndaj Vllaznisë, për të mos përsëritur Farmagustën: "Ata nuk lënë shumë hapësira, kryesisht bëjnë një lojë të llogaritur. Por nuk janë aq të forta sa Farmagusta. Nëse ne arrijmë të bëjmë lojën tonë, atëherë mund t‘ia dalim. E rëndësishme është të mos pësojmë gol". Mungesën e kapitenit Sinani, Pakult e shikon si një avantazh për skuadrën e tij: "Ai ishte lojtari më i spikatur, pothuajse i kudogjendur. Mungesa e tij është në favorin tonë". Trajneri i austriakeve thekson më pas se "nuk do të jetë një ndeshje e lehtë për ne, por ne kemi kualitetin e duhur për ta fituar ndeshjen. Takimi do të luhet sot në orën 19.15 në stadiumin "Gerhard-Hanappi-Stadion", ku deri dje ishin shitur rreth 9500 bileta. Ndërsa Vllaznia ka mbërritur dje në Vjenë me dy mungesa të rëndësishme, portieri Grima dhe Sinani, të dy të pezulluar për shkak kartonësh. Po strategjia e zgjedhur duket se do të jetë mbrojtja, përballë një kundërshtari me shumë eksperiencë në Europë, ndërkohë që pritet të kërkojë golin me sulmuesin e vetëm, të riun Bala. Në dy vitet e fundit që Vllaznia ka arritur të kalojë në turin e dytë, ekipi shkodran ka pësuar shumë gola, duke mos shënuar asnjë. Një fakt interesant janë edhe statistikat, sipas të cilave Rapidi është favorit absolut në këtë takim. Mediat austriake i kanë bërë jehonë faktit se në shtatë përballje me skuadrat shqiptare të zhvilluara në Austri, vendasit i kanë fituar të gjitha. Shorti e ka përballur edhe një herë tjetër Vllazninë me Rapidin në edicionin e Kupës së UEFA të ‘71-‘72, por austriakët fituan në tavolinë, pasi shkodranët nuk u paraqitën për shkak të regjimit totalitar.