E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana dhe Elbasani gjenden sërish përballë mes tyre

Tiranë - Sportdashësit do të kenë mundësinë të ndjekin edhe një herë përballjen Tirana-Elbasani, pas asaj të fundjvës për kampionat, e cila përfundoi në barazim 0-0. Takimi i sotëm është i vlefshëm për çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë.

Skuadrat kanë në kontigjentin e tyre futbollistë nga më të mirët e Superligës shqiptare. Në kampionat Tirana renditet e dyta, duke pretenduar të fitojë edhe titullin kampion. Elbasani nuk ndodhet aspak në një pozicion komod, pasi renditet në vendin e shtatë, duke dalë jashtë çdo lloj objektivi të vendosur për këtë sezon. Objektivi primar i tyre mbetet fitimi i Kupës së Shqipërisë.

Tirana dhe Elbasani janë përballur së bashku në 13 edicione. Kryeqytetasit janë kualifikuar 10 herë, ndërsa elbasanasit 3 herë. Në 24 ndeshjet e luajtura Tirana ka fituar 14, Elbasani 5, ndërsa, 5 ndeshje kanë përfunduar në barazim.

Takimi i radhës do të luhet sot në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” në orën 14:30, dhe do të gjykohet nga ndërkombëtari Albano Janku.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›