Tirana dhe Prishtina, së bashku për Pavarësinë e Kosovës
Institucionet kulturore përgatiten për aktivitetet artistike më 17 shkurt
Data 17 shkurt e këtij viti shënon dhe përvjetorin e tretë të pavarësisë së Kosovës. E konsideruar si një prej ngjarjeve më të rëndësishme për kombin shqiptar, për të festuar këtë ditë institucionet kulturore në Shqipëri dhe në Kosovë kanë filluar përgatitjet për zhvillimin e aktiviteteve dhe veprimtarive të ndryshme kulturore. Festa e pavarësisë së Kosovës, do të sjellë në Tiranë dhe Prishtinë një larmi aktivitetesh, të cilat do të kenë protagonistë artistë të njohur të skenës shqiptare,
si dhe emra të njohur të artit dhe kulturës. Drejtori Artistik i Orkestrës Simfonike të RTSH Oleg Arapi, tregon se në datën 17 shkurt instrumentistët e kësaj orkestre do të jenë në Prishtinë, ku sëbashku me Filarmoninë e Kosovës do të ekzekutojnë vepra kombëtare në Koncertin e Pavarësisë, i cili është dhe një prej aktiviteteve më të rëndësishme kulturore që do të zhvillohen atë ditë në Prishtinë, por ndërkohë që nuk do të mungojnë dhe shumë veprimtari të tjera kulturore, me tematikë kombëtare. Një repertor i zgjedhur, me këngë dhe valle popullore nga të gjitha trevat e shqiptare do të krijojë një atmosferë të ngrohtë dhe të veçantë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe i Valleve Popullore do të sjellë për publikun këtë ditë të shënuar një koncert, i cili do të jetë si një udhëtim në viset shqiptare. E ndërkohë që edhe Drejtuesja Artistike e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore Lejla Agolli tregon se po përgatiten për një koncert madhështor, i cili do të zhvillohet në datën 17 shkurt në Tiranë. Në këtë koncert, ku do të mbizotërojë tradita kombëtare folklorike do të ngjiten në skenë emrat më të njohur të folklorit shqiptar. Po përgatitemi për koncertin që do të zhvillojmë në datën 17 shkurt me artistët e Ansamblit. Në këtë koncert do të ketë një repertor të pasur artistik që do të shfaqet për publikun në ditën e pavarësisë së Kosovës. Kështu në skenë do të jetë Grupi vokal, do të këndojnë emra të njohur të ansamblit. Po kështu do të ketë dhe një larmi vallesh, të cilat do të interpretohen nga valltarët e Ansamblit. Do të jetë Vallja për Adem Jasharin, valle të tjera kosovare, por dhe nga krahina të tjera, nga veriu dhe jugu i vendit, u shpreh Lejla Agolli, drejtuese artistike e Ansamblit. Në koncertin e parë për këtë vit, që do të jetë në datën 17 shkurt dhe i kushtohet Kosovës, veç atyre që përmendi Agolli, në repertor do të jenë dhe Vallja e shqipeve, Vallja e Bajram Currit, kënga Nanë u nisa për në çetë etj. Ndërkohë që ky koncert do të jetë dhe me pjesëmarrjen e artistëve të ansamblit Shota të Prishtinës. Koncerti që do të jepet në Tiranë është menduar që të jepet dhe në Prishtinë. E ndërkohë që këtë vit përvjetori i tertë i pavarësisë së Kosovës, pritet të ketë dhe shumë aktivitete kulturore nga shqiptarët e diasporës. Veç Orkestrës së RTSH dhe AKKVP janë dhe një sërë institucionesh të tjera kulturore që kanë filluar përgatitjet për të festuar këtë datë të shënuar për kombin shqiptar, ku të gjitha aktivitete do të kenë tematikë kombëtare. Ndërkohë që bëhet e ditur se në Prishtinë kjo ditë e shënuar do të festohet mes një atmosfere festive madhështore. Kështu veç koncertit të Filarmonisë së Kosovës, aktivitetet e tjera do të pushtojnë institucionet kulturore, të cilët janë në përgatitjet e tyre më të fundit. Gjithashtu, janë planifikuar dhe koncerte të tjera, panaire dhe ekspozita fotografish. Edhe në vitet e mëparshme, pavarësia e Kosovës është festuar mes një atmosfere, e cila ka mbledhur artistët më të mirë shqiptarë.Nga Julia Vrapi