E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana e Skënderbeu, barazimqë s’i bën punë askujt

TIRANE- Tirana e Skënderbeu nuk kanë shkuar më shumë se një barazim pa gola, në supersfidën e javës së 17-të, të luajtur sot në “Qemal Stafa”. Ndeshja, që ishte shtyrë për shkak të trazirave të ndodhura në kryeqytet më 21 janar, ka dhuruar pak emocione, pasi të dyja skuadrat janë treguar tepër të kujdesshme në fushën e lojës. Momentet e vetme të bukura kanë ardhur në fund, kur Tirana e Nevil Dedes e ka spostuar lojën totalisht në gjysmëfushën apo më saktë, në zonën korçare. Gjithsesi, goli nuk u duk, madje edhe në një moment që u shënua, gjyqtari Lorenc Jemini dhe asistenti i tij Rezart Zhuli nga Gjirokastra, gabuan fatalisht, duke e anuluar pa të drejtë.

Bëhet fjalë për një moment deciziv të takimit, pasi ishte minuta e 83-të dhe Pero Pejiç realizoi një gol që mund të ishte i fitores. Arbitri anësor e dha jashtë loje, por në të vërtetë sulmuesi kroat ishte mbi një metër në lojë. Më tej, për t’u veçuar edhe tifozët e dy skuadrave, që kanë qenë të shumtë në “Qemal Stafa”. Atmosfera në të vërtetë ka qenë e jashtëzakonshme, ndërsa ndeshjes i ka munguar vetëm goli. Ndërkohë, barazimi është një rezultat që nuk i vlen asnjë prej dy skuadrave në objektivat që ato kanë këtë sezon. Skënderbeu, me këtë ndalesë mbetet 5 pikë larg Flamurtarit kryesues, ndërsa Tirana është 10 pikë më poshtë kreut, ç’ka do të thotë se çështja e titullit kampion, për ta mund të quhet edhe zyrtarisht e mbyllur. “Ky barazim për hir të së vërtetës nuk i bën punë askujt”, deklaroi pas ndeshjes trajneri i Tiranës Nevil Dede.

“Unë bëra tre zëvendësime në pjesën e dytë, por nuk rezultuan efikase. Nuk i dhanë lojës atë energji që unë prisja. Goli i anuluar? Nuk i komentoj arbitrat”, shtoi Dede. “Si fillim kam dëshirë të flas për atmosferën e bukur të krijuar nga tifozët, - deklaroi trajneri i Skënderbeut Shkëlqim Muça. – Ishte vërtet diçka e bukur, një ambient ideal për futboll. Sot na penalizoi mungesa e Shkëmbit, megjithatë them se jemi ende në garë për titullin”, shtoi ai.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›