E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana fiton derbin, presion Vllaznisë

 

Java e 18-të e Kategorisë Superiore ishte në shenjën e “2”-shit, pasi katër nga gjashtë ndeshjet e javës së u fituan nga ekipet udhetuese: Tirana fitoi me Dinamon, Partizanin me Bylisin, Apolonia me Flamurtarin dhe Elbasani me Teutën. Edhe barazimi i Lushnjës në Kavajë anon nga ekipet udhëtuese. I vetmi ekip vendas që fitoi ishte Shkumbini me fitoren minimale 1-0 me Vllazninë.
Derbi
Tirana realizoi një fitore spektakolare 2-4 në transfertë midis Tiranës dhe Dinamos, pikërisht në përvjetorin e dytë të ndarjes nga jeta të legjendës bardheblutë e futbollit shqiptar, Arben Minga. Një ndeshje me shumë përgjegjësi e tension në fushë, ku spikasin dy kartonë të kuq për Dinamon, mesfushorin Julian Brahja e më pas dhe portieri Elvis Kotorri, e një për Tiranës, kapitenin Devi Muka. Një tripikësh i madh, që tashmë e çon në kuotën e 33 pikëve, një më pak se Vllaznia kryesuese. Në javën e 19-të, Tirana do të presë Shkumbinin, skuadrën që mposhti në javën e 18-të Vllaznisë, duke i bërë një dhuratë indirekte bardhebluve.
Vllaznia
Shkumbini i Gugash Maganit i bëri një rinisje të bukur pjesës së dytë të kampionatit (Java 18), duke mposhtur 1-0 Vllazninë kryesuese në Peqin. Golin e vetëm të takimit e realizoi me kokë mbrojtësi serbi-boshnjak 23-vjeçar Ahmet Muigradiç në minutën e 17-të. Blerja dimërore e peqinasve ishte dhe lojtari më i mirë në fushë, duke debutuar me gol që në ndeshjen e parë me skuadrën e presidentit Xhavit Ismaili.
Partizani
Partizani ka marrë një tjetër trepikësh dje dhe të kuqtë tashmë kanë filluar të shohin dritë në fund të tunelit. Ka mjaftuar një gol i korçarit Ngjela, për të vulosur suksesin e skuadrës së drejtuar nga Shpëtim Duro. Mbështetja e tifozëve, jo vetëm financiare, por edhe morale, duket se ka dhënë efektet pozitive. Tani kryeqytetasit mund të shpresojnë vërtet për t’ia dalë mbanë dhe për të mbijetuar në Superiore, në këtë sezon tejet të vështirë për të.
Elbasani
Elbasani i justifikoi plotësisht shpenzimet e mëdha financiare në merkaton dimërore me një fitore të rëndësishme  në transfertë kundër Teutës (1-2) “Niko Dovana”. Një gol i rrallë për nga ekzekutimi i Fagut me një goditje të lirë nga 35 metra në minutën e 29-të dhe një tjetër nga Eleandro Pema në minutën e 47-të, i dhanë edhe avantazhin e përkohshëm prej dy golash Elbasanit dhe kënaqësinë e madhe trajnerit Mirel Josa.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›