Zhvendosen te varrezat “5 heronjtë e Vigut”
SHKODER/ RIDVAN DIBRA
Zhvendoset monumenti i “5 heronjve të Vigut”. Dhjetëra qytetarë nostalgjikë ndoqën dje punën e ekskavatorëve, ku për pak minuta, heronjtë u hoqën nga bazamenti i gurtë. Ashtu siç edhe ishte vendosur nga këshilli bashkiak në Shkodër, monumenti do të zhvendoset te Varrezat e Dëshmorëve. Ndonëse me debate të shumta ndërmjet këshilltarëve të djathtë dhe atyre të majtë të këshillit bashkiak, tashmë “5 heronjtë e Vigut” do të “prehen” në një tjetër vend. Të vetmit përfaqësues të forcave politike që reaguan në këtë moment ishin kreu i LSI-së, Ilir Meta, i cili u ndodh në një takim me të rinjtë e Shkodrës, si dhe Ndue Dodo, kryetari i grupit të këshilltarëve socialistë në këshillin bashkiak të Shkodrës. Ata shprehën keqardhje për këtë vendim dhe se figura të tilla duhen nderuar. Aksioni i ndërtimorëve për zhvendosjen e monumentit që ndodhej në qendër të qytetit nisi paraditen e djeshme, rreth orës 10:00. Mjetet e rënda të firmës që kishte fituar të drejtën e zhvendosjes nga ky vend për në Varrezat e Dëshmorëve punuan për rreth 30 minuta. Mjaft qytetarë e ndoqën nga afër këtë aksion, ndërsa mendimet e tyre në lidhje me këtë vendim të këshillit bashkiak ishin thuajse unike. Shumica prej tyre vijojnë t’i qëndrojnë besnikë idesë se projekti për shatërvanin mund të ishte realizuar në një tjetër vend. Ndërsa të tjerë mirëpresin vendimin, duke pritur zëvendësimin me ndërtimin e një ambienti argëtues. Në qendër të tij do të jetë një shatërvan, projekt i cili filloi që dje të vihet në zbatim. Monumenti i “5 Heronjve” ishte vendosur në qendër të qytetit në vitin 1984, aty ku ndodhet edhe teatri “Migjeni”. Vendimi për zhvendosjen e këtij monumenti te Varrezat e Dëshmorëve është marrë në shtator të 2008-ës, me 17 vota pro dhe 9 kundër të këshillit bashkiak. Në fakt, vendimi për heqjen e tij ishte miratuar nga KRRTRSH-ja në vitin 2005, kur kryeministri i asaj kohe Fatos Nano kishte firmosur studimin e planit rregullues të qendrës së qytetit. Ky studim parashikonte largimin e “5 heronjve” dhe ndërtimin e një kolone uji. Vendimi për përcaktimin e vendit të ri se ku do të vendoseshin “5 heronjtë” u shoqërua me debate të ashpra mes këshilltarëve të dy forcave politike të majtë dhe të djathtë, ndërkohë që u kërkua që zhvendosja e monumentit të realizohej vetëm kur të ishte pastruar vendqëndrimi i radhës, pikë në të cilën u ra dakord unanimisht. Shoqata e veteranëve në Shkodër, ashtu sikurse edhe shumë qytetarë, është pozicionuar disa herë kundër vendimit të këshillit bashkiak. Ndërsa kryetari i grupit të këshilltarëve socialist në këshillin bashkiak të Shkodrës, Ndue Dodo u shpreh se, “historia nuk është në dorën e disa individëve as për t’u shkruar dhe as për t’u ndryshuar. Këta mendojnë se historia fillon aty ku fillon pushteti i tyre. Çfarëdo që të bëjnë ata, historia do të mbetet e shkruar dhe ‘5 heronjtë’ gjithmonë do të mbesin heronj”.
Reagon Meta: Figura të tilla duhen nderuar
I vetmi politikan që reagoi dje për zhvendosjen e monumentit historik në Shkodër ishte kreu i LSI-së, Ilir Meta. Ndërsa ndodhej në këtë qytet në një takim pune me të rinjtë shkodranë, Meta ka bërë deklaratën e tij për këtë çështje. “Dua të shpreh keqardhjen për vendimin e bashkisë dhe të autoriteteve lokale në Shkodër për të zhvendosur monumentin e ‘5 heronjve’ nga qendra e qytetit të Shkodrës”. Sipas kreut të LSI-së, ne kemi nevojë që të nderojmë figura të tilla me sinqeritet, përkushtimin e të gjithë atyre njerëzve që u sakrifikuan dhe u persekutuan gjatë regjimit komunist për bindjet e tyre politike. “Gjithashtu ne kemi nevojë që t’i nderojmë e respektojmë dhe të mos i vëmë në diskutim, qoftë edhe me akte të tilla simbolike, që janë të papranueshme, sakrificën më sublime që kanë bërë heronjtë e Shqipërisë për çlirimin e vendit nga pushtuesit”. Lëvizja Socialiste për Integrim ka qenë e para që reagoi dhe pas vendimit që u mor nga Këshilli Bashkiak në Shkodër vitin e shkuar, duke e kundërshtuar atë. r.d