Tirana fiton thellë ndaj Bylisit, 6-2
Tiranë - Tirana ka arritur të fitojë thellë ndaj Bylisit. 6 gola kanë shënuar djemtë e Tiranës kundrejt dy golave të Bylisit. Vetëm 2 minuta i ka rezistuar mbrojtja ballshiote sulmit të Tiranës, duke pësuar golin e parë me anë të një autogoli të mbrojtësit Nevez. Sulmuesi korçar i Tiranës, Migen Memelli, ka shënuar vetëm 3 minuta më pas, duke dyfishuar rezultatin. Ballshiotët kanë ngushtuar diferencën në minutën e 11-të me anë të Bakiut, por në minutën e 15-të ka qenë Muzaka ai që ka shënuar golin e tretë për Tiranën. Sulmuesi Daniel Xhafaj ka shënuar golin e katërt në minutën e 32-të dhe vetëm 2 minuta më pas Memelli ka çuar shifrat në 5-1. Në fillim të pjesës së dytë ka qenë sërish Bakiu ai ka shënuar për skuadrën ballshiote, por Tirana ka realizuar sërish me anë të sulmuesit të saj kryesor Migen Memellit, i cili e ka çuar rezultatin në 6-2.