E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana funeral business

 

Edhe në biznesin e kufomave ka xhelozi. Në Tiranë janë rreth 40 agjenci funeralesh që kërkojnë të mbijetojnë. Në një vit në kryeqytet, ndërrojnë jetë rreth 3 500 banorë dhe një agjenci ka afro 90 varrime. Gjysma e tyre kanë mbirë pranë QSUT dhe Spitalit Ushtarak

"Paqja", "Parajsa", "Lamtumirë", "Pëllumbat". Jo. Ai ka gjetur një mënyrë krejt origjinale, për të mposhtur konkurrencën e egër në biznesin e funeraleve: ta quajë agjencinë e tij funerale "Shërbej lirë dhe pa sekser". Thotë se këtë veprim e ka ndërmarrë nga halli dhe jo nga ndonjë ide brilante e lindur beftas në kokë. I lodhur, nga realiteti me të cilin përballet sot kjo punë jo fort e këndshme, 56-vjeçari, Faik Sali, ka vendosur të ulë armët dhe të luftojë me slogane. Ndoshta nuk e besoni, por ja që kjo që do lexoni është sa e vërtetë aq edhe qesharake po ta mendosh. Faikun e gjejmë të ulur në një bar të vogël duke shijuar i qetë orët e mesditës midis shokësh. Në kokë mban kapele sportive ndërsa në gishta rrotullon lehtë gotën e grapës së papërfunduar. Biznesi që ka ngritur nuk është se ka punë të përditshme, e aq më shumë ndonjë lodhje kush e di se çfarë. Kështu që Faiku gjen kohë edhe për të ndërruar ndonjë muhabet me miqtë. Të paktën kështu mendojmë ne, pasi më mirë se ai, askush nuk e di. Gjithsekujt i duket sikur punët në këtë lloj biznesi, shkojnë vaj, aq më shumë po të kihet parasysh numri i lartë i të vdekurve, ndjesë paçin, të cilët kanë humbur jetën gjatë muajit të fundit, si pasojë e tragjedive të njëpasnjëshme që kanë ndjekur vendin. Por ja që gjërat edhe në këtë zanat nuk është se janë shumë të thjeshta.

Edhe në biznesin e kufomave ka xhelozi. Normale, në punë të tilla ku fitohet goxha mirë nuk kanë si të përjashtohen intrigat apo lufta e bërrylave. Për të ushqyer familjen, Faiku thotë, se i duhet të luftojë fort, kundra konkurrencës së pandershme. Në Tiranë janë jo pak por rreth 40 agjenci funeralesh, që kërkojnë të mbijetojnë. Në pamje të parë kjo shifër mund të duket normale për një qytet që numëron afro 800 mijë banorë. Kjo vetëm po të marrësh për bazë numrin e banorëve, se po të hapësh regjistrin e vdekjeve gjërat kthehen në anormale. Në një vit në kryeqytet, ndërrojnë jetë aty te rreth 3 500 banorë. Llogaria është mëse e thjeshtë. Një agjencie i takon në harkun kohor të një viti të ketë mesatarisht diku te 90 varrime, ose 8 varrime në muaj. Këtu duket se lind edhe lufta midis agjencive, të cilat për të rritur numrin e varrimeve, përdorin metoda jo humane, në kundërshtim ndonjëherë edhe me emrat që mbajnë. Pas "Paqes" apo "Parajsës", fshihet historia e dhimbshme e matrapazllëqeve që shfytëzojnë vdekjen si mjet pasurimi. "Shiko mor djalë, kur e kam filluar unë këtë punë, gjërat ishin shumë më të thjeshta se sot. Në atë kohë nuk kishte kaq shumë agjenci funerale sa ka sot. Atëherë laj-thaj vetëm një ishte. Ajo merrej me të gjitha, si me funeralet ashtu edhe me shpërndarjen e druve". Kështu e kujton kohën kur ka punuar në Komunale, Faiku, ndërsa sot me keqardhje vëren se më shumë se shërbim humanitar, vdekja e njerëzve, është kthyer në çështje mbijetese për shumë nga agjencitë funerale të cilat përdorin mënyra jo të ndershme për të pasur punë. Kjo egërsi midis agjencive, shpjegon edhe domethënien e mesazhit "shërbej pa sekser" të përdorur nga Faiku.

"Që nga viti 2000 kur kanë filluar të çelen agjencitë e para private funerale, në Tiranë, ka plasur një luftë e vërtetë, se kush e kush të fitojë sa më shumë funerale. Po t'i vesh re me kujdes shumica e agjencive janë të përqendruara pranë spitalit "Nënë Tereza". Aty është edhe "ushqimi" i agjencive në pritje të të sëmurëve që ndërrojnë jetë në spital". Edhe vetë, Faiku, ka pasur në këtë zonë, le të themi të majme të kryeqytetit, agjencinë e tij funerale. Thotë se fitonte mirë, por edhe këtu i doli punë me agjencitë e tjera, të cilat nuk e honepsnin dot faktin që shërbente më lirë se ta. Në fakt agjencia nuk është gjë tjetër veçse një dyqan i vogël i cili kryen të gjitha shërbimet e ceremonisë së varrimit. Kështu të paktën funksionon në Tiranë.

"Unë punoj pa sekser, që do të thotë se një funeral nuk e fitoj me ndërmjetës. Kam 30 vite që e bëj këtë punë dhe ia di mirë hilet. Shumica e agjencive në Tiranë, janë të lidhur, pa dashur t'i përfshijë të gjithë, me mjekët që punojnë në spitalin "Nënë Tereza". Nuk është se unë jam më i mirë se të tjerët, por duke parë gjendjen ekonomike të popullatës, kam zgjedhur të punoj pa sekser".

Një varrim, sot në Tiranë, sipas Faikut, duke përfshirë brenda edhe haraçin që kërkon sekseri, kushton jo pak por nga 80 deri në 100 mijë lekë të reja. Këtu përfshihen ndërmjetësi i cili kërkon 30 mijë lekë të reja, arkivoli 450 mijë, dy autobusët, varri 130 mijë, kurorat mbi të nga 10 mijë lekë secila si edhe dreka 6 mijë lekë për person. Faiku shpjegon se po të bëhej ky ritual pa matrapazllëqet midis doktorëve, sekserëve dhe agjencive, kostoja e ceremonisë së varrimit, nuk do t'i kalonte në rastin më të mirë të 50 mijë lekët. "Sigurisht që më janë ofruar shumë sekserë, por nuk kam pranuar. Kjo edhe për shkak të moshës sime. Nuk kam mundësi t'i ndjek të gjitha gjërat. Kam vendosur të ha bukë me këtë biznes sa të kem mundësi". Faiku rrëfen se kjo mënyrë pune e zgjedhur, i ka krijuar jo pak telashe me kolegët. Jo rrallë herë, 56-vjeçarit i ka ndodhur që agjencinë t'ia sulmojnë persona të paidentifikuar, të cilët për të janë lehtësisht të njohur. "Kam pasur shumë probleme, në agjencinë e vjetër pranë spitalit, deri në kohën kur ma prishën fadromat e Ndërtimores. Më kanë thyer edhe xhamat. Edhe atje kam vënë të njëjtën reklamë. Kjo si duket i ka shqetësuar shumë agjencitë që ishin rrotull, të cilat ma shprehnin edhe në sy hallin që kishin ". Të njëjtin reagim negativ i ka krijuar Faikut, vendosja e mesazhit, tashmë jo të çuditshëm, por shumë domethënës, edhe në vendndodhjen e re të agjencisë. "Në një muaj nuk është se kam më shumë se dy funerale. Në zonën ku unë jam vendosur ka të paktën 10 vdekje në muaj. Të tjerët nuk e di se ku shkojnë. Si duket sekserët janë futur kudo, pasi nuk ka shpjegim tjetër". Paçka shqetësimit që ka, ai thotë se nuk do të ndalë punë, megjithëse i duhet të paguajë qiranë e objektit dhe liçencën vjetore, e cila është goxha e kripur. Po kështu thotë se nuk ka ndërmend ta heqë parullën nga koka e agjencisë, "Ç'të bëj, kam 30 vite me këtë punë. Nuk kam ushqim tjetër. Dua apo jo do merrem me këtë punë sa të kem fuqi. Sa për të tjerët nuk është se ma ndjen shumë. As që kam për ta hequr parullën. Kush të dojë le të vijë në agjencinë time, kush nuk do le të shkojë te të tjerët".

Të njëjtin shqetësim kanë pak a shumë edhe agjencitë e tjera funerale. Edhe ata pranojnë se pa sekser nuk mund të bësh përpara në biznesin e funeraleve. Muharremi, burrë rreth të 60-tave, me pamje babaxhani, po bën thuajse, 7 vite që punon në shërbimet funerale. Ai ka vendosur ta ngrejë agjencinë në zonën ku banon. Thotë se është me letra të rregullta, ndërkohë që ashtu si edhe Faiku pranon se konkurrenca në shërbimet funerale është e egër. "Edhe unë kam punuar me punëtor për njëfarë kohe. Ishte ai që i gjente klientët. Por një ditë më njoftuan të tjerët që personi që kisha punësuar më shiste punën". Me shprehjen "shet punën", Muharremi nënkupton, shitjen e funeralit në një agjenci tjetër konkurrente e cila paguan më shtrenjtë sekserin. Kjo padyshim që bie në kurriz të njerëzve që midis hallit që u ka rënë në kokë, zgjedhin ofertën më të parë që u vjen në dorë pa u menduar dy herë. "Njerëzit kujtohen për shtrenjtësinë e funeraleve, vetëm disa ditë pasi bëjnë llogaritë. Në lagje nuk mund të bësh të tilla marifete, pasi vjen një ditë që morti kalon dhe do përballesh prapë me njerëzit. Ne jemi banorë të zonës dhe nuk duam që të largojmë klientelën duke përdorur matrapazllëqe". Po ajo që i ka dëmtuar më shumë agjencitë funerale sipas Muharremit janë sidomos sekserët e lidhur me mjekët.

Nga një vëzhgim i kryer nga gazeta "Shekulli", rezulton se në dy qendrat më të mëdha spitalore në Tiranë, zhvillojnë biznesin rreth 10 agjenci funerale, ose e thënë ndryshe ¼ e të gjithë agjencive që shërbejnë aktualisht në kryeqytet. Ky numër i lartë i shpërndarjes së shërbimeve funerale gjendet vetëm në dy qendrat spitalore, pasi në zonat e tjera gjithçka mund të cilësohet normale. Madje për t'i pasur në kontroll pacientët që humbasin jetën, disa nga agjencitë, kanë hapur dyqane paralele pranë spitaleve.

"Ky fenomen dëshirojmë apo jo, për momentin është i pandalshëm. Në zonën ku ndodhet agjencia ime ka të paktën 20 funerale në muaj, ndërkohë që faktikisht ne nuk kemi punë për më shumë se 8 të tilla. Këtu duhet të vej dorë shteti, të ndajë funeralet për çdo zonë. Por më shumë se kjo gjë më shqetëson loja jo e ndershme që bëhet nga disa agjenci funeralesh, që u kushton njerëzve shuma të mëdha parash". Muharremi thotë se fatkeqësia në këtë lloj biznesi është mungesa e kontrollit nga instancat përkatëse. Sipas tij, në këtë mes, ata që e pësojnë më shumë janë vetë qytetarët e varfër, të cilët u duhen t'u nënshtrohen çmimeve marramendëse që vendosin midis tyre sekserët dhe agjenci të ndryshme funeralesh. Të gjithë bien në një mendim se pas emrave të paqtë që predikojë parajsën e përjetshme, apo urojnë lamtumirën e fundit, për fat të keq fshihet një histori krejt e pakëndshme që nuk lehtëson por e dyfishon dhimbjen. Kjo histori e cila nuk ka lidhje me humanizmin, por me pangopësinë, nuk ka si të bëjë përjashtim nga realiteti ku jetojmë të paktën edhe për ca kohë. Asnjë nga shërbimet funerale të kontaktuara pranë spitaleve apo më gjerë, nuk e pranon se punon në mënyrë të pandershme e aq më pak të jetë lidhur me "bluzat e bardha". Ata nuk kanë frikë të deklarojnë se një fenomen i tillë është i përhapur në masë. Kjo te të tjerët, pasi vetë nuk pranojnë kurrsesi të jenë të përfshirë në të tilla afera. Kështu qoftë, pasi nëse zërat për "pëllumba falsë" janë të vërtetë, atëherë nuk na ngelet gjë tjetër vetëm të ulim kokën dhe të na vijë turp që kërkojmë të fitojmë edhe nga vdekja kur vdekjes borxh i mbetemi gjithnjë.

Tabela

800 mijë banorë

40 agjenci funeralesh

3 500 banorë ndërrojnë jetë në një vit në kryeqytet

¼ e agjencive shërbejnë pranë dy qendrave më të mëdha spitalore

 

Faiku shpjegon se po të bëhej ky ritual pa matrapazllëqet midis doktorëve, sekserëve dhe agjencive, kostoja e ceremonisë së varrimit, nuk do t'i kalonte në rastin më të mirë të 50 mijë lekët.

"Njerëzit kujtohen për shtrenjtësinë e funeraleve, vetëm disa ditë pasi bëjnë llogaritë. Në lagje nuk mund të bësh të tilla marifete, pasi vjen një ditë që morti kalon dhe do përballesh prapë me njerëzit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›