E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatimet, ekskluzivitet gjobash ndaj biznesin

 

Biznesi: Ligji i ri i procedurave tatimore, në kundërshtim me të gjithë direktivat e BE-së

 

Ligji më i ashpër ndaj biznesit ka kaluar në Kuvend, sekuestro dhe shitje pasurie për tatimet

Në këtë draft përfshihet edhe neni i famshëm i gjobave parapagim, të cilin qeveria nuk ka pranuar ta ndryshojë edhe pas kërkesave të vazhdueshme të vetë deputetëve të maxhorancës

Projektligji "Për procedurat tatimore" megjithëse ka gjetur kundërshtimin e grupeve të biznesit, ka vazhduar që të ruajë formën e tij të pandryshuar edhe gjatë diskutimeve të fundit në Kuvend. Në këtë draft përfshihet edhe neni i famshëm i gjobave parapagim, të cilin qeveria nuk ka pranuar ta ndryshojë edhe pas kërkesave të vazhdueshme të vetë deputetëve të maxhorancës. Ministri i Financave, Ridvan Bode gjatë diskutimeve në Kuvend, ka pranuar se ky nen mund të ndryshohet vetëm nëse biznesit i hiqet e drejta që të ankimohet në gjykatë. Pra, sipas Bodes, autoriteti i vetëm që duhet të vendosë për biznesin është Komisioni i Apelimit Tatimor. "Vetëm nëse ne do të miratojmë një ligj ku bizneseve u ndalohet që të çojnë në gjykatë këto çështje, mund të biem dakord që gjobat të mos paguhen në parapagim",- ka thënë Bode. Por një kërkesë e tillë sipas përfaqësuesve të biznesit është absurde, pasi askujt nuk mund t'i mohohet e drejta për të dalë para drejtësisë.

***

Projektligji "Për procedurat tatimore" që pritet së shpejt të miratohet në Parlament, sipas biznesit jo vetëm që nuk zgjidh asgjë nga problemet e mëparshme, siç janë çmimet e referencës dhe gjobat apriori, por nga ana tjetër shton edhe një sërë masash shtrënguese për sekuestrimet dhe format e reja të tyre. Janë një sërë nenesh, në këtë draft, që ashpërojnë veprimin e Administratës Tatimore ndaj sipërmarrjes. Kështu, neni 90 i këtij projekti përcakton se, "nëse një tatimpagues nuk ka paguar çfarëdo shume të detyrimit tatimor, Administrata Tatimore, nëpërmjet një urdhri me shkrim i kërkon çdo banke që mban llogari të tatimpaguesit, të bllokojë llogaritë e tij bankare në këtë shumë dhe shuma që Administrata Tatimore kërkon të mbahet nga çdo bankë nëpërmjet urdhrit me shkrim, është e para në radhën e pagesave". Përfaqësuesi i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se "ky projektligj, nga njëra anë rrit jashtëzakonisht shumë të drejtat e institucioneve të fiskut në raport me biznesin, deri në marrjen në kundërshtim me çdo përvojë të vendeve demokratike të atributeve të plota të gjyqësorit, si: bllokimin e llogarive bankare (neni 90); bllokimin e pasurive (neni 91); sekuestrimin e pasurisë (nenet 93, 94, 95) për të arritur deri në shitjen e pasurisë së tatimpaguesve (neni 96) dhe kalimin e detyrimeve për llogari personale të aksionerëve dhe administratorëve (neni 99). Gjithashtu, institucionit të fiskut i jepet e drejta e përdorimit të metodave alternative për llogaritjen e detyrimit tatimor, duke e lënë përcaktimin e rasteve se kur duhet përdorur krejt -subjektive dhe të pakufizuar në numër (neni 71, neni 72) me mundësi të mëdha për subjektivizëm dhe korrupsion për t'i përdorur si bazë ligjore për gjobitjen e bizneseve".

***

Sipas përfaqësuesve të biznesit, projekti vjen në një kohë që, nga ana tjetër, e drejta e ankimit në gjykatë për bizneset është kufizuar praktikisht nga Ligji i Gjobave. Ky ligj shkatërrues lejon që një biznes të shkojë para drejtësisë vetëm pasi të paguhet detyrimi i pretenduar dhe i paprovuar ligjërisht nga institucioni i fiskut, plus 15% të gjobës. Në këto kushte, biznesi, edhe sipas projektit të qeverisë, praktikisht mund të apelojë vetëm në Drejtorinë e Apelimit Tatimor, një institucion me konflikt të qartë interesi dhe që merr plotësisht në praktikë të drejtat e gjykatës (neni 106). Askush nuk jep zgjidhje se çfarë ndodh nëse biznesi i gjobitur pa të drejtë nuk do të ketë mundësi financiare të paguajë detyrimin e supozuar të institucionit të tatimeve, për të marrë të drejtën e ankimit në gjykatë. Në një rast të tillë, biznesi i nënshtrohet sekuestrimit dhe mbylljes dhe askush nuk është në gjendje të provojë me paanësi nëse pretendimi i institucioneve të fiskut ka qenë i drejtë.

Gjithashtu, Konfindustria përsërit kundërshtimin e saj për privatizimin e funksioneve të institucionit strategjik të Tatimeve, pa debat dhe pa arsyetim të hapur publik, nëpërmjet "faktit të kryer" (neni 16). Gjatë diskutimit me grupe të biznesit, qeveria nuk ka marrë parasysh thuajse asnjë nga kërkesat thelbësore të propozuara prej tyre. Kështu, vendosja e çmimeve të referencave për të llogaritur të ardhurat dhe fitimet e biznesit me anë të metodave alternative, është kundërshtuar nga të gjithë sipërmarrësit. Por kjo pikë nuk ka ndryshuar, duke i shtrënguar edhe më tej marrëdhënie shtet-biznes nëpërmjet masave më të shtrënguara administrative dhe gjobave në rritje. Nga ana tjetër, pasi rrit në një mënyrë të pafundme fuqinë dhe abuzivitetin e Administratës Tatimore, projekti sërish nuk i lejon sipërmarrjes mundësi reale që të apelojë vendimet e administratës tatimore në gjykatë, pasi ligji i famshëm i gjobave, është pasqyruar pikë e presje edhe në këtë projekt të ri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›