E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthim në parajsë

Gjurmët që lanë artistët italianë në arkitekturën e Tiranës. Në piedestale, murana, piktura, afreske, që asnjëherë nuk janë regjistruar si vepra të mirëfillta të artit

 

Dalja e Shqipërisë nga zgjedha osmane shënoi një moment të rëndësishëm në evolucionin shoqëror të kombit shqiptar, evolucion i cili shtroi një nevojë të ngutshme për ndërtimin e shtetit të parë modern shqiptar. Pa u zgjatur në këtë shkrim mbi ndeshtrashat historike të këtij evoluimi, do doja të theksoja se modelet që, thuajse të gjitha, qeveritë shqiptare aspiruan asokohe, ishin me prirje perëndimore. Në të vërtetë elementet e para të shtetit të ri u skicuan nga qeveria jetëshkurtër e Princ Wiedit, por ato u përvijuan në mënyrë të dukshme nga e ashtuquajtura Republikë e Parë.

Zhvillimi i vrullshëm urban dhe domosdoja e krijimit të aseteve të ndërtesave qeveritare, kish ngjallur nevojën e krijimit të një ikonografie zyrtare të establishment-it shqiptar. U pa shpejt se komplekset arkitekturore kishin nevojë edhe për simbolikën e duhur e cila thjeshtësisht jepet rëndom nëpërmjet sintezave arkitekturore – kështu, autoriteti shtetëror evokohej në mënyrë të drejtpërdrejtë nëpërmjet pikturash murale, apo elementesh skulpturore në fasada e interiere. Kjo ikonografi, e cila fillimisht kishte të bënte vetëm me elemente zyrtare si basorelieve të flamurit kombëtar apo stema të shtetit shqiptar, shpejt fitoi një zhdërvjelltësi edhe në pikpamje të kompozimit dhe abstraksionit, por gjithashtu edhe u "evropianizua" duke përdorur elementë të tjerë më populistë si veglat e punës apo kulturat bujqësore. Në fakt duhet thënë se ndër qytete të Shqipërisë egzistonte një traditë jo e parëndësishme e përdorimit të sintezave arkitekturore, kryesisht në Shkodrën e Gjergj Fishtës a Kolë Idromenos dhe në Korçën e Kristo Sotirit, arkitektë këta që kishin studiuar në Itali e që aplikonin një cilësi shprehjeje e cila - siç konsideron M. A. Giusti - mbartte traditën klasike të rrënjosur në Shqipëri që në kohët e lashta, në bashkërendim me traditën e vendit.

Por hopin e vërtetë cilësor në kuptim të sintezave arkitekturore e dhanë arkitektët, artistët dhe artizanët italianë që punuan në kompleksin e Ministrive, sistemin e Bankave të Shqipërisë, rezidencat qeveritare etj.

Deri më sot, asnjëherë nuk është bërë një inventarizim, as i përafërt, i këtyre veprave të mirëfillta të artit, as nga institucionet që administrojnë këto ndërtesa e as nga institucionet e specializuara - sikundër Zyra Kombëtare e Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore apo Instituti i Monumenteve të Kulturës. Bëhet fjalë për një trashëgimi me vlera të jashtëzakonshme artistike e cila ka shërbyer për të plazmuar dhe konsoliduar tashmë një ikonografi me karakter mjaftueshmërisht lokal për ta konsideruar si trashëgimi kombëtare. Them kështu pasi arkitektura, së bashku me sintezat, pjesë përbërëse e saj, arriti të përputhet si me traditën historike italiane ashtu edhe me atë shqiptare.

Kjo ishtë një detyrë aspak e thjeshtë përballë artistëve e arkitektëve italianë dhe vetëm një profesionalizëm i lartë i sintetizimit të idesë me mjete minimale, pa rënë në manierizëm, u bë garant i realizimit të kësaj sfide. Mjafton të kujtojmë këtu dy elemente ikonografike të ministrive projektuar nga Florestano de Fausto i cili nëpërmjet Yllit të Balshajve dhe kokës së Pirros së Epirit, përvijonte idenë e një aspirate shqiptare lidhur me trojet etnike nga Tivari në Prevezë.

Po kush qenë këta artistë dhe çfarë ka mbetur prej punës se tyre rinore? Kjo do të jetë një aventurë tërheqëse për kë do të merret me studimin e hollësishëm të tyre, një aventurë që do shpërblejë atë që do ti hyjë këtij hulumtimi të lumtur. Po cekas këtu vetëm disa prej këtyre autorëve të lëvdueshëm dhe diçka nga vepra e tyre, pa pretenduar as në mënyrë minimale se kjo cekase është një vështrim serioz i situatës:

Ndoshta sinjalet e para i dha piktori i njohur livornez Gino Romiti (1881-1967), nxënës i Givanni Fattorit e Guglielmo Micchelit dhe mik i ngushtë i Amedeo Modiglianit. Romitin e sjell në Shqipëri shpërthimi i Luftës I Botërore, ku ai vjen si ushtar i thjeshtë me 1918-ën. Këtu realizon piktura në vaj me dimensione të vogla si dhe shumë vizatime të frymëzuara nga jeta ushtarake (ku ndjehet ndikimi i Fattorit) dhe në mënyrë të veçantë nga peizazhi mbresëlënës lokal, por dhe shtëpitë e shkatërruara, duke krijuar kryevepra të vërteta me gamën e jashtëzakonshme të ngjyrave që përdor. Këto punë rinore, rreth 60 bocete, pikturuar të gjitha në Shqipëri e të ekspozuara në Firence më 1918, i siguruan famën dhe karrierën e ardhme. Mbas tij, një sërë artistësh italianë ku më shumë e ku më pak lanë gjurmët e tyre në piedestale, murana, piktura, afreske (thuajse të zhdukura) etj. Ato që fatmirësisht kanë mbijetuar kanë qenë sintezat arkitekturore, sepse të lidhura ngushtësisht me ndërtesat.

Kështu fiorentini Gherardo Bosio (1903-1941), projektues ekselent që vjen në Shqipëri vetëm në moshën 35-vjeçare – e re për një arkitekt - bashkë me arkitekturën dhe urbanistikën, realizon për pallatet qeveritare të Shqipërisë edhe një sërë bocetesh të grupeve skulpturore të cilat me skrupulozitet i ndjek bashkëpunëtori i tij Giulio Bertë. Bosio pati një formim të jashtëzakonshem duke qënë edhe inisiator i Gruppo Toscano-s, njërit ndër grupet më të rëndësishme arkitekturore të kohës në Itali dhe ndonëse më i madh në moshë, Giovanni Michelucci i famshëm do i përgjigjej ftesës së Bosios për ta drejtuar atë grup. Ardhja e Bosios në Shqipëri ishte porosi e drejtpërdrejtë e Mussolinit, pasi ky individ që kish punuar me sukses në Afrikën Orientale ofronte garancinë e përballimit të problematikave, që nga Planet e Përgjithshme Rregulluese e deri tek dizajni i dorezave të dyerve. Pra Bosio ish dhe dizajnër i talentuar dhe projekton një sërë mobiljesh të mjediseve që konceptonte. Për këtë, me të drejtë, sot, rreshtohet ndër të paktët arkitektë italianë të orderit arkitekt integral. Mobiljet e Bosios, që janë në stil të pastër "deko", shprehin një soliditet e dizajn të sigurtë në formë e realizim. Mobilimi i Pallatit të Brigadave është treguesi më i drejtëpërdrejtë i këtij talenti.

Por ato mobilje elegante, një pjesë e të cilave fatkeqësisht janë dëmtuar ose edhe zhdukur në trazira të kohëve, nuk do të kishin atë cilësi nëse nuk do ishin realizuar në bashkëpunim me dy emra të mëdhej të dizajnit dhe detajeve teknike të mobiljeve (arredo e allestimento): arredatorin Brosio dhe specialistin e sektorit, arkitektin Valfredo Vizzotto edhe ky fiorentin. Vizzotto, sapo ish celebruar me një punë të rëndësishme si kolona përkujtimore Garibaldi në Maddalena të Italisë, kur u komisionua nga Mbreti Zog për të përzgjedhur e realizuar mobilimin e rezidencës së tij private.

Materializimin e vizatimeve e projekteve të Pallatit Perandorak e kreu kryemjeshtri Paolo Buffa, njëri ndër emrat e mëdhej të artit të mobilerisë europiane, veprat e të cilit në të vërtetë janë raritete dhe objekt ankandesh të koleksionistëve sot në Itali e botë. Për të siguruar një prodhin gjysmë industrial të një sasie jo të vogël mobiljesh, Paolo Buffa operoi ngushtë me ndërmarrjen milaneze Mario Quarti e cila ende sot konsiderohet lider në sektorin e mobilimit dhe arranzhimit në nivel Europian – mjaft të kujtojmë se në vitet '50, kjo firmë prestigjioze ka mobiluar mjediset delikate të shtesës së Quirinales, godinës presidenciale në Itali. Kuptohet se çfarë rëndësie merr tani regjistrimi, konservimi dhe ruajtja e kësaj trashëgimie delikate sikurse është ajo e mobilimit.

Në harmoni me volumet e interierit dhe arranzhimet funksionale, janë edhe pikturat murale të Pallatit. Ato u realizuan nga piktori dekorator Cavallin i cili përballoi tematika me natyrë klasike, lirike e romantike, por edhe trajtesa të një baroku të lehtë me ngjyra bukolike. Ndonëse Pallati përgatitej për Viktor Emanuelin III, nuk mungojnë temat shqiptare; kështu, bie në sy një pikturë interesante e Cavallinit ku paraqitet një peizazh i Gjirokastrës së periudhës se Ali Tepelenës, por duhet theksuar se një pjesë jo e parëndësishme e trashëgimisë së këtij dekoratori është humbur përgjithmonë.

Skulptura të rëndësishme janë bërë edhe në eksterierin e Bankës së Shqipërisë, një objekt vërtet me vlerë të madhe arkitekturore projektuar nga i talentuari Vittorio Ballio Morpurgo. Bëhet fjalë për basorelieve dhe altorelieve të realizura në terrakotë në sintezë të përkryer me arkitekturën e objektit, por dhe me morfologjinë rifinituriale të Bankës. Artisti që realizoi këto punime imponente është Alfredo Biagini skulptor. Skena nga puna, zbavitja, familja dhe dashuria nuk e kanë humbur aspak sot forcën e tyre evokative dhe as kumtin filozofik se "puna e bën njeriun të bukur".

Mozaikët e interierit të Bankës janë realizuar nga artisti i famshëm muziv Giulio Rosso. Duke patur parasysh kohën e realizimit, kemi të bëjmë me kryevepra të mirfillta të artit muziv të fillim shek. XX. Autori punoi ndër komisionet më të rëndësishme të kohës dhe realizoi edhe mozaikët ekspresivë të Stacionit Qendror Termini në Romë, por edhe ato të Stadiumit në zonën Eur të Romës. Kjo është ndër periodat më prodhimtare të artistit të madh në këto projekte që shprehin gjithë finesën dhe arritjet e Shkollës Friulianë të Mozaikut. Giulio Rosso, ndër përfaqësuesit më të ndritur të kësaj shkolle, vjen në Tiranë i ftuar nga Morpurgo (me të cilin regjistron edhe punë të tjera), në kohën kur bashkëpunonte me artistin e shquar të artit bashkëkohor Gino Severini. Të po kësaj periudhe janë dhe realizimet e tij (në bashkëpunim) për realizimin e 10.000 m2 mozaik të Forit Italik në Romë, si një ndër mozaikët më të mëdhej në botë për kohën. Kuptohet pra, se kemi të bëjmë me një trashëgimi të rëndësishme të përbashkët italo-shqiptare e cila në kuadër të zgjerimit të Bankës së Shtetit do duhet të restaurohet nëpërmjet trajtesave shkencore.

Një element tjetër i rëndësishëm të trashëgimisë së vyer artistike italiane në Tiranë, janë skulpturat e parkut historik të Pallatit të Brigadave. Këtu pavarësisht nga humbjet e tmerrshme, kanë mbijetuar grupet më të mëdha të realizuara me mermer Carrare. Skulptori që realizoi pjesën më të madhe të tyre qe artisti i njohur Antonio Maraini. Vlen të theksojmë se ky komision iu dha artistit të njohur kur ai ishte ende drejtues i Bienales se Venecies (deri më 1939), gjë që i shkakton edhe telashe pasi ndonëse fashist, roli i tij kritikohët nga Hitleri për një hapje ideore e në kundërshtim me doktrinën e Bienales. Skulpturat e tij sot kanë një nevojë të ngutshme për restaurim të thellë e profesional gjë për të cilën sot në Shqipëri mungon knoë-hoë i dukur. Vlera e këtyre skulpturave është vërtet e madhe. Nuk duhet të harrojmë se A. Maraini me artin e tij ka realizuar njërën ndër shkallaret më të bukura të Muzeve të Vatikanit në Romë. Megjithatë, vendin e nderit, ndër skulptura të Pallatit e zë një grup në bronz i quajtur "Zana e Bollëkut", realizuar nga skulptori i ri shqiptar Odise Paskali, asokohe i sapokthyer në Shqipëri drejt e nga Akademia e Arteve të Bukura të Romës.

Por këto skulptura nuk do ta kishin atë hir mistik që i rrethon nëse nuk do të qenë ambientuar në Kopshtet Historike Mbretërore. Duhet thënë se këto kopshte u konceptuan nga njëri prej peizazhistëve me në zë të kohës: ai ishte fiorentini Pietro Porcinai (1910-1986), lavdia e kopshtit italian të Novecentos. Që herët kishte bashkëpunuar me Bruno Zevin në përhapjen e teorive të tij nëpërmjet revistës Domus e më pas me Ernesto Nathan Rogers, Oscar Niemeyer, Renzo Piano apo Carlo Scarpa. Në fakt kopështi i realizuar në Shqipëri konsiderohet ndër punët e para të Porcinait dhe më e rëndësishmja për kohën, të cilën ai e realizon me sukses. Pavarësisht nga keqtrajtimi i skajshëm i këtij kopshti dhe deformimit të formës dhe funksionit fillestar, gjenia e Porcinait aty mund të shihet ende. Sot është vërtet i rëndësishëm rekuperimi i vizatimeve origjinale të këtyre kopshteve, pasi restaurimi i këtij ansmbli vegjetal në bazë të rregullave të përcaktuara nga Karta e Firences (për restaurimin e lulishteve dhe kopshteve monumentale) do t'i bëjë të vizitueshme ato. Kujtojmë këtu se ansamblet peizazhistike të Porcinait janë muze të gjallë të cilët vizitohen me bileta në tërë botën: nga Venezuela në Vjenë.

Do doja ta mbyllja këtu diskutimin tim duke nënvizuar se ndonëse këto shprehje artistike të një niveli të lartë nuk u studiuan asnjëherë në mënyrë kritike, ose qoftë edhe akritike, repertet e kësaj periudhe të plleshme, nga pikpamja e arkitekturës dhe artit, më e plleshmja në historinë e Tiranës dhe të krejt vendit, nuk u arrit të mohohen kurrë. Disa breza arkitektësh, urbanistësh e artistësh, me ose pa dashje imitonin brenda sinoreve të ngushtë që përcaktonte politika e epokës së diktaturës kumtin qytetërues të asaj gjenie artistike të shkurtër në kohë por rrezatuese. Në mënyrë dhelpërake gjatë socializmit u përvijua zhvillimi i qytetit thuajse në të njëjtat linja si ai i planifikuar nga Armando Brasini e Gherardo Bosio, por edhe ornamentika, përtej ndikimit jugosllav, rus e më pas kinez, vijoi të ruajë, ndonëse në nivel shpesh rudimental, gjurmët e asaj periudhe "ekstravagante", e cila asokohe pluskonte me ritmin e kohës, nga prirja "deco" në atë të një ekspresioni të "racionalizmit monumental".

Sot muret ideologjike kanë rënë, po ashtu edhe retorika nacionale duket e dalë mode, është koha e studimit shkencor të kësaj trashëgimie të harruar dhe e rivlerësimit funksional të saj, ashtu sikurse po bëhet në Itali e në gjithë Europën e Bashkuar, duke kërkuar në këtë mënyrë jo vetëm te rrënjët tona autoktone, por edhe atë që është ushqyer drejtpërdrejtë në humusin e kulturës europiane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›