Tirana, “fushëbeteja” e të mëdhenjve të politikës
Tirana duket se do të jetë “fushëbeteja” e të mëdhenjve të politikës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare për vitin 2009. Edhe pse me numrin më të madh të votuesve, pragu i ulët elektoral, që nënkupton një numër jo të madh votash për të siguruar mandatin e deputetit, duket se do t’i shtyjë kryetarët e partive kryesore parlamentare për të kandiduar të parët në listë në qarkun e Tiranës. Sipas përllogaritjeve me sistemin proporcional rajonal që do të aplikohet në zgjedhjet e ardhshme, qarku i Tiranës shënon pragun më të ulët elektoral, rreth 3.5%. Kjo përqindje e ulët e pragut pritet të sjellë kandidimin në këtë qark jo vetëm të tre “të mëdhenjve” të politikës, Berisha, Rama, Meta, por edhe të kryetarëve të partive të tjera parlamentare, si Gjinushi, Ceka etj. Qarku i Tiranës, në zgjedhjet e fundit, pra ato të 3 korrikut 2005, ku është përdorur sistemi i përzier, maxhoritar dhe ai proporcional, ka pasur në përbërje 20 zona zgjedhore, të cilat kanë nxjerrë po 20 deputetë. Sanksionimi në Kushtetutë i sistemit proporcional rajonal e çon në 32 numrin e deputetëve të cilët do të zgjidhen në qarkun e Tiranës. Në këtë qark, ku përfshihen rrethet e Tiranës dhe ai i Kavajës, numri i votuesve të regjistruar me të drejtë vote është 660 505 votues. Pjesëmarrja në dy proceset e fundit zgjedhore, përfshirë edhe zgjedhjet lokale të vitit 2007, ka variuar midis 45-50% të votuesve, pra rreth 330 mijë vota, çka do të thotë se për të siguruar të paktën një deputet në këtë qark, mjaftojnë vetëm 10 500 vota në zgjedhjet e vitit 2009 në qarkun e Tiranës. Ky numër pritet të jetë nxitës dhe inkurajues për një pjesë të mirë të kryetarëve të partive parlamentare, të cilët, duke qenë të parët në listë, kanë shumë shanse për të garantuar mandatin e deputetit.
Qarku i Tiranës
Numri total i votuesve: 660 505
Rrethet që përfshihen: Tirana dhe Kavaja
Pjesëmarrja në votime: 50%, rreth 330 000
Zonat Zgjedhore: 28
Pragu elektoral 3.5%
Votat sipas pragut: 10 500
Përqindja e PD-së në 2005-n 49.20%
Përqindja e PS-së në 2005-n 38.91%
Përqindja e LSI-së në 2005-n 9.22%
7 Gusht 2008