E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: “Tragjedia e Gërdecit do të hetohet në çdo qelizë të saj”



Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar dje se tragjedia e Gërdecit do të hetohet në çdo qelizë të saj. Kreu i Ekzekutivit e bëri këtë deklaratë gjatë një vizite të zhvilluar në Vorë, ku përuroi rehabilitimin e rrugës hyrëse që lidh qytetin me autostradën. “Ne patëm një tragjedi të tmerrshme më 15 mars. Një tragjedi e cila duhet të hetohet në çdo qelizë të saj dhe unë kam besim të plotë se kjo do të ndodhë, se hetimi është një detyrim madhor e moral ndaj shpirtrave të atyre që nuk janë më, familjarëve të tyre dhe të gjithë komunitetit”, - është shprehur Berisha. Më tej ai vuri në dukje punën e bërë nga qeveria për t’u ardhur sa më parë në ndihmë banorëve të kësaj zone duke rehabilituar shtëpitë e dëmtuara. “Natyrisht, unë dhe qeveria kemi bërë të gjitha përpjekjet për t’i dhënë përgjigjen më energjike pasojave të kësaj tragjedie të tmerrshme, rikuperimit sa më shpejt dhe zvogëlimit sa më të madh të tyre. Zona po rindërtohet dhe ne nuk do të ndërpresim mbështetjen e fuqishme derisa të vendoset dhe tulla e fundit në këtë zonë, derisa të rindërtohet në këtë zonë dhe rruga, dhe rrugica e fundit”, - është shprehur Berisha, ndërsa ka shtuar se të gjithë banorët do të përfitojnë kompensim dhe do të shqyrtohen të gjitha ankesat që kanë lindur për shkak të ndonjë paqartësie. “Në tërësi është bërë zgjidhja, kompensimi më i gjerë i mundshëm, por duke thënë këtë jam i bindur se ka edhe zemërthyer nga gabimet që mund të jenë bërë. Jam i bindur se ka probleme, të cilat duhet të trajtohen një e nga një. Ndaj dhe i garantoj banorët e të gjithë Bashkisë Vorë se në asnjë moment nuk do të jeni jashtë fokusit të qeverisë. Qeveria do të finalizojë të gjithë projektin e rehabilitimit dhe rindërtimit të plotë të kësaj zone dhe më pas të inkurajimit të madh të biznesit në të”, - është shprehur kreu i qeverisë.

7 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›