Rusia “pushtohet” nga dopingu
Atletika ruse pëson një goditje të fortë. Dy vrapues, Vladimir Kanaykin dhe Aleksey Voyevodin, kanë rezultuar pozitivë gjatë një kontrolli antidoping. Lajmin e ka bërë të ditur një zyrtar i federatës ruse, i cili ka dashur të mbetet anonim. Kanaykin dhe Voyevodin u kontrolluan befasisht gjatë muajit prill gjatë një stërvitjeje. Kanaykin, ishte ndër favoritët për të fituar në ecjen sportive në 50 kilometra, por tashmë është përjashtuar nga ekipi olimpik, ndërkohë që Voyevodin, nuk ishte kualifikuar për në Olimpiadë. Ngjitet kështu në nëntë numri i atletëve rusë, të cilët duhet të heqin dorë nga Olimpiada kineze për shkak të dopingut. Përjashtimi i Kanaykin dhe Borkinit, pason shkualifikimin e Tatyana Tomashovës, Yelena Sobolevës, Yuliya Fomenkos, Svetlana Cherkasovës, Darya Pishchalnikovës, Gulfia Khanafeyevës e Olga Yegorovës, të akuzuara nga Federata Ndërkombëtare e Atletikë, se nuk kishin dhënë urinën e tyre në rastin e një kontrolli antidoping. Por lajmet të shëmtuara për sportin rus nuk vijnë vetëm nga atletika. Edhe çiklizmi ka hallet e tij. Vladimir Gusev u përjashtua nga skuadra për Lojërat Olimpike për vlera të larta në gjak. 25-vjeçari merrte pjesë në garën me kronometër, të programuar për datën 13 gusht. Në vend të tij do të garojë Denis Menchov.
“PEKIN 2008”
Bush me palestër personale
Palestër e gjitha italiane për presidentin amerikan Xhorxh Bush gjatë qëndrimit të tij në Pekin me rastin e hapjes së Olimpiadës. Do të jetë kompania “Technogym”, furnitori i vetëm zyrtar jo kinez në Lojërat Olimpiket, që do të furnizojë me pajisje palestrën personale të presidentit amerikan në hotelin, ku do të akomodohet Bushi gjatë qëndrimit në Kinë. Pajisjet do të instalohen në brendësi të suitës së tij, ku janë vendosur ndërkohë edhe “makinat e ushtrimeve fizike” të kreut të Shtëpisë së Bardhë.
Flaka mbërrin në Pekin
Flaka olimpike mbërriti dje në Pekin, teksa më 8 gusht do të hyjë në stadiumin kombëtar gjatë ceremonisë përuruese. Flaka u transportua me avion nga Siçuani, provincë ku ndodhi edhe tërmeti që provokoi majin e kaluar gati 70 mijë viktima, që ishte njëherësh edhe etapa e fundit e udhëtimit të saj në botë e në Kinë, përpara se të mbërrinte në Pekin. Sot pishtari olimpik do të bëjë udhëtimin e tij në rrugët e kryeqytetit kinez.
Dopingu merr më qafë brazilianin
Xhakson Kojoroski, sportisti i Kombëtares braziliane së hendbollit, u përjashtua nga skuadra olimpike pasi rezultoi pozitiv gjatë një kontrolli antidoping. Nuk u bë e ditur substanca e ndaluar.
Dy Koretë me një flamur
Dy skuadrat olimpike të dy Koreve janë duke diskutuar mundësinë për të dalë së bashku në ceremoninë zyrtare të Lojërave Olimpike, ashtu si kanë bërë në dy të fundit “Sidnej 200” dhe “Athinë 2004”.
Berisha e Pango “shijojnë” Pekinin
Kryeministri Berisha së bashku me Ministrin e Turzimit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve Ylli Pango mbërrijnë sot në Pekin për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike, “Pekin 2008”. Në këtë vizitë zyrtarët shqiptarë do të takojnë kryeministrin dhe presidentin e Kinës si dhe ministrin e Kulturës të RP të Kinës. Në Lojërat e 29-ta Olimpike, Shqipëria do të përfaqësohet për herë të parë me 11 sportistë në 6 disiplina të ndryshme. Ministri Pango do të ndjekë thuajse të gjitha garat e sportistëve shqiptarë në atletikë, qitje, peshëngritje, mundje, not e xhudo.
Datat e garave
ATLETIKA:
Klodiana Shala, 400 m: 16 gusht (12:00-13:00)
Dorian Çollaku, çekiç: 16 gusht, (10:40-11:40)
NOT:
Rovena Marku, 50m/stil i lirë: 15 gusht (18:30-18:53)
Sidni Hoxha, 50m/stil i lirë: 14 gusht (18:30-18:58)
MUNDJE:
Said Prizreni, M.e lirë, 65 kg: 13 gusht (09:30-10:30)
Elis Guri. M.klasike, 96 kg: 14 gusht (09:30-10:30)
QITJE:
Lindita Kodra
25 m pistoletë me zjarr: 13 gusht (09:00-14:00)
10 m pistoletë me ajër: 10 gusht (09:00-10:15)
PESHËNGRITJE:
Erkand Qerimaj, 77 kg: 13 gusht (19:00-20:40)
Gerti Trasha, 69 kg: 12 gusht (10:00-12:00/19:00-20:40))
Romela Begaj, 58 kg: 11 gusht (12:30-14:00/15:30-17:00)
XHUDO:
Edmond Topalli, 81 kg: 12 gusht (12:00-16:30)
6 Gusht 2008