E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana gati për hetimet rreth Martyt

Nga Express më 06 janar 2011 në ora 19:13

Lufta çlirimtare e popullit të Kosovës është një nga faqet më të ndritura të lirisë së kombit shqiptar, por edhe të Ballkanit, pasi i dha fund kolonisë së fundit në Europë. Kështu tha të enjten Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë një takimi me ish-kryeministrin e Kosovës, Agim Çeku.

“Pavarësisht se raporti i Dick Martyt, pa asnjë fakt dhe provë, ripërsërit akuza, shpifje dhe trillime të gatuara në Beograd nga Milosevici dhe ultranacionalistë të tjerë serbë, Shqipëria mirëpret dhe është tërësisht e hapur për çdo hetim nga institucione të njohura ndërkombëtare, për çdo problem që lidhet me krimet e luftës në ish-Jugosllavi”, tha Berisha.

Sipas Berishës, autoritetet shqiptare do t’u garantojnë EULEX’it dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës të gjithë bashkëpunimin e nevojshëm për të përmbushur me sukses çdo hetim.

“Ndërsa histeria antishqiptare, e udhëhequr dhe frymëzuar nga Dick Marty, eksponentë të tjerë të racizmit antishqiptar dhe avokatëve të krimeve të Slobodan Milosevicit ndaj shqiptarëve në Kosovë, është thjesht një zgjim i demonëve të urrejtjes antishqiptare, e cila është tërësisht pa të ardhme”, tha ai.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›