E do lumturinë
Fundviti është koha e bilancit. Regjisorja Inis Gjoni, e bën një të tillë në këtë rrëfim për gazetën “MAPO”. Pa dyshim që ka qenë një vit i mbarë profesionalisht, por edhe në jetën e saj private. E kënaqur për suksesin e shfaqjes “Vdekja e një mbretëreshe”, ajo ka vendosur të mos bëjë asnjë pushim, por ka nisur punën për një komedi që do të vihet në skenën e Teatrit Kombëtar, vitin 2011. Ndërkaq, si e sheh të ardhmen Gjoni…
Inis, si ka qenë viti 2010 për ju?
Viti, shumë i këndshëm. Shumë i mirë, shumë punë që nuk i kisha planifikuar, siç ishte prezantimi i “Miss Shqipërisë”, (në një kohë që mendoja se do të isha pak më larg spektakleve), përfundimi i masterit më dha shumë kënaqësi, shumë më tepër kënaqësi më ka dhënë shfaqja “Vdekja e një mbretëreshe”, pra jam shumë e kënaqur nga viti 2010. Por 10-vjeçari që vjen, mendoj se do të jetë akoma më i mirë, ashtu si edhe 2011-ta.
Në aspektin profesional apo personal?
Në aspektin tërësor. Njeriu pretendon për më mirë në të gjitha aspektet e jetës.
Duke qenë se kishit kohë që i mungonit spektakleve, ju zgjohet dëshira (aq më tepër pas prezantimit të “Miss Shqipërisë”) për të qenë sërish pjesë e tyre?
Për momentin, absolutisht jo! Megjithatë, unë kam edhe një bindje të brendshme, që nëse më shijon një gjë, në një moment nuk them që kjo gjë nuk bëhet, unë lë gjithmonë një hapësirë. Kjo edhe në rastin e spektakleve, them se për momentin që jam e tërhequr, por kjo nuk do të thotë se nëse gjej një hapësirë të mirë dhe më bëhet një ofertë e mirë nuk e pranoj.
Tërheqja ndaj spektaklit ka lidhje me faktin se doni t’i përkushtoheni edhe më shumë teatrit?
Kam përshtypjen se çdo gjë kërkon një pjekuri profesionale, kërkon të pozicionohesh në zanatin tënd. Mbaj mend që kur kam qenë në shkollën e baletit, përdorej shumë fjala zanat. Në atë kohë nuk më pëlqente shumë dhe mbaj mend që e përsëriste shumë Zoica Haxho, se ky ishte zanati juaj. Mua nuk më pëlqente shumë si shprehje, pro ja që duke ardhur, duke kaluar vitet, më pëlqen më shumë zanati, sesa profesioni. Kështu që them që më mirë të pozicionohem dhe të kanalizohem në zanatin tim, sesa të jem e shpërndarë dhe e pastabilizuar.
Përmendët baletin. Si e kujtoni sot…
Aaaaa. Me shumë mall! Me shumë, shumë mall. Gati nuk e dija që do të më merrte malli kaq shumë për baletin dhe kur kam rast që ndodhem vetëm, në palestër, në shtëpi, ndjej një kënaqësi më të madhe për baletin klasik se ç’kam ndjerë kur kam qenë në shkollë. Kur isha në shkollën e baletit, isha më e tërhequr nga baleti modern dhe shumë më pak ndaj baletit klasik. Ndërsa tani ndjej të kundërtën dhe dëshirën për të kërcyer e shfaq vetëm në balet klasik… Çështje malli…
Ka Inisi pendesa…
Në lidhje me profesionin absolutisht jo. Njeriu gjithmonë thotë do të doja të kisha bërë më tepër, dhe e themi ndonjëherë të gjithë këtë shprehje, por kur e mendoj sesi ka ardhur çdo gjë, se cilat kanë qenë kushtet, sa kam dhënë për kohën kur kam qenë e angazhuar me baletin apo me prezantimin, kështu që them se nuk kam pengje. Ndoshta me teatrin mund të isha marrë edhe pak më tepër, por edhe kur e mendoj tamam, tamam, them se çdo gjë ka pasur kohën e vet dhe çdo gjë është përshtatur në bazë të moshës, në bazë të pasionit.
Kë do të cilësonit si periudhën më të artë të karrierës suaj?
Periudhën më të artë…?! Mendoj se më e arta është ajo kur ti fillon e njihesh. Dhe ajo të duket sikur është më e arta dhe pastaj fillon e bëhet situata më normale dhe besoj se më e arta, në bazë të ndjesisë sime dhe jo në bazë të logjikës, është kur kanë qenë hapat e mia të para, kur e ndjeja që më përkëdhelej sedra, që punoja, që isha pjesë e ekranit.
Çfarë pretendon nga viti 2011?
Në përgjithësi gjithë njerëzit luftojnë për të qenë të lumtur. Nëse lutem që të vazhdoj të jem e lumtur, do të jetë shumë mirë! (Marrë nga MAPO)