E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana i falet një 11-metërshi të dyshimtë

Pritej shumë një reagim i Tiranës, por ai ka ardhur vetëm sa i përket rezultatit. Ndërkohë që bardheblutë stonojnë ende në lojë. Një gjë të tillë e konfirmon fakti se në ndeshjen e djeshme, të luajtur në stadiumin "Qemal Stafa", kanë mundur me shumë vështirësi Skënderbeun e saporikthyer nga Kategoria e Parë në fund të sezonit të kaluar. Për të mundur korçarët modestë, kampionët në fuqi i janë falur një 11-metërshi shumë të dyshimtë në minutat shtesë të lojës, i kthyer në gol nga portieri Blendi Nallbani. Java e dytë ka nxjerrë në pah sërish Tiranën në pikë të hallit, e cila nuk po mundet të dalë në lojën e saj më të mirë, ndoshta edhe për shkak të mungesave të shumta që ka pasur në këtë takim. Trajneri Ilia Lonçareviç nuk ka pasur në dispozicion për këtë ndeshje, për shkak të dëmtimit, kapitenin Mukaj, sulmuesit Memelli e Malindi, mesfushorin Muzaka dhe për arsye skualifikimi mbrojtësin Andi Lila. Ndërkohë përballë kanë pasur një skuadër, e cila mund të konsiderohet vërtet modeste për nga mënyra se si është ndërtuar në vetëm pak ditë para fillimit të sezonit dhe për nga objektivat sezonalë që ka (thjesht qëndrimin në kategorinë Superiore). Megjithatë në radhët e saj janë afruar disa futbollistë kroatë, të cilët kanë bërë një paraqitje të mirë edhe dje në "Qemal Stafa". Takimi ka filluar i mirë për bardheblutë, të cilët kanë mundur të administrojnë lojën dhe të ndërtojnë disa aksione, por kanë munguar rastet e mira për të shënuar. Pjesa e parë është mbyllur me rezultatin 0-0. Në të dytën është parë një nivel loje thuajse i barabartë për të dyja skuadrat, por në fushë ka munguar grinta. Të pakta kanë qenë rastet në porta, aq sa mund të numërohen me gishtat e njërës dorë. Miqtë humbën një mundësi të mirë për të shënuar në pjesën e dytë, por porta bardheblu shpëtoi për meritë të portierit Nallbani, i cili ndali me këmbë topin që po shkonte drejt rrjetës. Bardheblutë shkuan vetëm dy herë në zonën kundërshtare, ku në njërin rast tronditën traversën me anë të Sefës, i cili me pak më shumë fat mund të kishte shënuar. Bardheblutë, në dukje disi të lodhur, kanë vuajtur shumë në këtë takim dhe për të zhbllokuar rezultatin është dashur të presin deri në minutat shtesë. Një aksion nga e majta në minutën e parë shtesë, një nga bardheblutë arrin të depërtojë në zonë dhe aty rrëzohet. Edhe pse një rast i dyshimtë, gjyqtari drejton dorën nga pika e 11-metërshit, duke akorduar një penallti për bardheblutë. Ky veprim acaron korçarët, të cilët kanë protestuar ashpër, madje nuk kanë kursyer edhe shtyrjet ndaj arbitrit, i cili sipas tyre kishte dhënë një 11-metërsh të paqenë. Kontestime kishte edhe nga tribuna, ndërsa në fushë për të qetësuar gjakrat hyjnë shumë forca policore. Tirana ia beson portierit Nallbani ekzekutimin e saj: numri 1 i bardhebluve gjuan fort, topi përplaset në traversë dhe përfundon në rrjetë. Ky ishte fundi i takimit, i cili i ka dhuruar edhe tri pikët e para sezonale kampionëve, që pritet të kalojnë një javë jo shumë të qetë për shkak se do të jenë në qendër të kritikave për nivelin e lojës së paraqitur në këtë takim.

Kategoria Superiore

Java 2

Tirana-Skënderbeu 1-0

90‘+1‘ (p) Nallbani

Laçi-Gramozi 1-1

55‘ (p) Nora / 57‘ Hyseni

Shkumbini-Besa 1-2

81‘ Mustafaraj / 3‘ Cikalleshi, 63‘ Mihani

Teuta-Kastrioti 2-1

Mile 16‘ e 84‘ (p) / 28‘ Abazaj

Flamurtari-Dinamo 0-3

37‘ Bakaj, 58‘ Sefa, 64‘ Plaku

Vllaznia-Apolonia 1-0

90‘+3‘ Nallbani

Renditja

Skuadrat N P

1. Dinamo 2 6

2. Besa 2 6

3. Flamurtari 1 3

4. Apolonia 1 3

5. Skënderbeu 1 3

6. Vllaznia 1 3

7. Tirana 2 3

6. Teuta 2 3

9. Gramozi 2 2

10. Shkumbini 2 1

11. Laçi 2 1

2. Kastrioti 2 0



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›