Shkodranët vuajnë shumë për tri pikë ndaj fierakëve
Tri pikë shumë të lodhshme për Vllazninë në një ndeshje të vështirë, si ajo kundër Apolonisë. Kuqeblutë vazhdojnë të jenë larg formës së tyre më të mirë. Në "Loro Boriçi" është luajtur një ndeshje e ekuilibruar. Hera-herës është parë një epërsi e lehtë e fierakëve, që duket se tashmë kanë ndërtuar një skuadër, e cila i bën të besojnë shumë këtë sezon. Pjesa e parë ka qenë e barabartë për të dyja skuadrat, por me pak raste për shënim. Në të dytën u duk sikur Vllaznia ishte rikthyer në fushë me bindjen për të fituar ndeshjen dhe ushtroi 15 minuta presion. Më pas frenat e lojës i morën në dorë fierakët, që krijuan një volum më të madh loje, por që nuk u konkretizua me gol. Rezultati është zhbllokuar vetëm në minutën e katërt shtesë, kur pas një goditjeje këndi, në zonën fierake krijohet një rrëmujë dhe mesfushori Nallbani fut këmbën për të devijuar një top, i cili përfundon në rrjetë.