E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zoti Tadiç, kërkoni falje për gjenocidin e Serbisë!

Gjatë qetësisë së një të shtune pasdite, me dyshim, i dëgjova vlerësimet tuaja në intervistë për ditoren gjermane "Die Welt". Vrapova të sigurohesha se mos ishin në pyetje gabimet e atyre që më 17 tetor e përkthyen intervistën tuaj - apo atyre nga e ashtuquajtura agjenci shtetërore "Tanjug" dhe nga e ashtuquajtura agjenci joshtetërore "Beta".

Mirëpo, interpretimet e tyre të intervistës suaj përputhen. Atëherë mendova se mos "Die Welt" ua kurdisi disi. Më ra ndërmend se në maj të vitit 1968, studentët e Universitetit të Beogradit iu bashkuan kolegëve gjermanoperëndimorë, duke organizuar protesta në rrugë për shkak të monopolit të kompanisë së Alex Schpringer ndaj "krijimit të papërgjegjshëm të opinionit publik". Kjo kompani edhe sot e boton "Die Welt", së cilës tirazhi i ka rënë nga 1 milion në 209 mijë.

Në intervistën për "Die Welt" vlerësuat se "populli serb është ai që dha kontributin më të madh në përballjen me të kaluarën në Ballkan". Për çdo të 11-in e secilit muaj, në parkun para zyrës suaj, një grup me të zeza lexon më kot letrën e njëjtë, përmes së cilës kërkon që Ju, sikurse pjesa më e madhe e Europës, ta shpallni 11 korrikun si Ditë të Kujtimeve për Gjenocidin e Srebrenicës.

Thatë se ju "fatkeqësisht jeni Presidenti i vetëm që kërkoi falje për krimet e vendit të vet" dhe se ju vinte "shumë keq që presidentët tjerë e lëshuan rastin të kërkojnë falje për krimet e kryera ndaj popullit tim".

Më 25 qershor 2000, në Cavtat, Presidenti malazez, Milo Gjukanoviç, tha: "Dëshiroj që në emrin tim dhe në emër të qytetarëve të Malit të Zi, e në veçanti të atyre që ndajnë bindjet e mia morale dhe politike, t‘u shpreh keqardhje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kroacisë, veçanërisht atyre në Konavle dhe Dubrovnik, për gjithë dhimbjen, vuajtjen dhe humbjet materiale që në ato ngjarje tragjike ua shkaktuan pjesëtarët malazezë të APJ-së".

Më 10 shtator 2003, në Beograd, Svetozar Maroviç, President i Serbisë dhe Malit të Zi, kërkoi falje: "Dëshiroj që të kërkoj falje për të gjitha të këqijat që cilido qytetar i Malit të Zi dhe Serbisë i ka kryer, apo ka synuar t‘ia bëjë, kujtdo në Kroaci". Presidenti kroat, Stjepan Mesiç, ia ktheu: "Shfrytëzoj rastin që ta pranoj këtë kërkim-falje simbolike, ndërkohë që nga ana ime mund të them se u kërkoj falje të gjithë atyre që nga qytetarët e Kroacisë, në cilëndo kohë dhe kudo qoftë, përjetuan dhimbje dhe dëme përmes keqpërdorimit dhe veprimit kundërligjor, apo duke keqpërdorur postin e tyre zyrtar. Flas këtu për cilëndo kohë dhe kurdo që të ketë ndodhur".

Ju, z. President, për herë të parë kërkuat falje katër vjet pas Gjukanoviçit dhe një vit e gjysmë pas Maroviçit e Mesiçit. Ishte kjo në Sarajevë, në vitin 2004, e pastaj në qershor të vitit 2007, në emisionin "Nedeljom u Dva" ("Të dielën në dy"), të televizionit publik kroat.

Dhe për fund, ju thoni se në Jugosllavi "kishte luftë qytetare, në të cilën morën pjesë të gjithë".

Sipas aktpadisë së Hagës ndaj Sllobodan Millosheviçit, i cili Serbinë dhe Jugosllavinë e personifikoi në të gjitha luftërat, konflikti në Kroaci kualifikohet si "sulm i forcave serbe që përbëheshin nga njësitet e APJ-së, njësitet lokale, njësitet serbe dhe malazeze të Mbrojtjes Territoriale (MT), njësitet e MPB të Serbisë dhe nga njësitet paramilitare, në mënyrë që ta dëbonin me dhunë shumicën e popullatës kroate dhe joserbe nga përafërsisht një e treta e territorit të Republikës së Kroacisë, e cila duhej të shndërrohej në pjesë të një shteti të ri që do të dominohej nga serbët. Pas pushtimit, forcat serbe në bashkëpunim me pushtetet e serbëve lokalë organizuan dëbimet, me qëllim që kroatët dhe popullatën tjetër joserbe t‘i dëbonin nga këto territore. Si rezultat, pothuajse e gjithë popullata civile kroate dhe joserbe ‘në zonat autonome serbe‘ u dëbua me dhunë, u depërtua ose u vra".

Sipas aktakuzës për Bosnjën, Millosheviç, si President i Serbisë, kontrollonte në mënyrë efikase dhe ndikonte esencialisht në pjesëmarrësit e "ndërmarrjes së përbashkët kriminale dhe ai vetë, apo me ndihmën e të tjerëve, i kontrollonte apo ndikonte esencialisht në aksionet e Presidencës së RSFJ, më vonë të RFJ, të MPB serbe, APJ dhe shtabet e MT-së, të cilat nëpër zona të caktuara drejtoheshin nga serbët dhe nga vullnetarët serbë, APJ dhe Ushtria Jugosllave, të cilat morën pjesë në planifikimin, përgatitjen dhe ekzekutimin e shpërnguljes së dhunshme të shumicës së popullatës ‘joserbe‘, kryesisht të myslimanëve boshnjakë dhe të kroatëve të Bosnjës, nga zona të mëdha të Bosnjë e Hercegovinës".

Millosheviçi, gjegjësisht Serbia, i ndihmuan edhe "udhëheqësisë politike të Republika Srpska që të realizojë qëllimin e saj", shkruan në aktakuzë.

Në pjesën e aktakuzës që ka të bëjë me Kosovën, shkruan se prej 1 janarit deri më 20 qershor 1999, "forcat ushtarake të SRJ dhe forcat policore të Serbisë, me përkrahje dhe mbështetje të të akuzuarit, organizuan një fushatë të terrorit dhe të dhunës ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë, me qëllim të nxitjes së një pjese të madhe të popullatës shqiptare që ta lëshojë Kosovën".

Duke lexuar kualifikimin tuaj për "luftë qytetare", ajo ma kujtoi vlerësimin e Borisav Joviçit, kryetarit të Kryesisë së RSFJ, i cili më 27 shkurt 2008, për radion "Europa e Lirë" tha: "Për ne që ishim në pushtet në Jugosllavi dhe Serbi, varianti më i mirë ishte që të gjendej një zgjidhje për Jugosllavinë. Por, nëse kjo assesi s‘ishte e mundur, atëherë, siç parashihej edhe me Kushtetutë, duhej të shpallej referendumi dhe që kufijtë të ndryshoheshin me vullnet të popullit, gjë që natyrisht as kroatët e as myslimanët nuk deshën ta pranonin. Kjo pastaj shkaktoi luftën qytetare".

Armiku juaj i dytë ideologjik, Vojisllav Koshtunica, President i RFJ, pajtohet me ju dhe me armikun e tij ideologjik, Joviç, sepse në gusht të vitit 2002 tha: "Këtu kemi një situatë tjetër - një luftë qytetare që i përfshiu disa gjenerata". Si psikolog, ju e dini më mirë se unë që ekziston një arketip i Presidentit të shtetit, qoftë ai i gjashtëfishtë, i dyfishtë apo i njëfishtë.

* Titulli është i redaksisë

Autorja është gazetare nga Serbia

Marrë nga "Express"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›