Tirana në kaos, nuk dihet kush vendos
është skuadra më e titulluar e kampionatit shqiptar dhe gjithnjë pretendentja kryesore për trofetë më të lakmuar, por në këto vitet e fundit e ka bërë traditë: në pragun e sezonit i hap probleme vetes, pasi nuk po mundet të gjejë harmoninë brenda klubit. E njëjta gjë shoqëron skuadrën edhe në këtë prag sezoni, ku duket se situata është ndoshta pak më rënduar. Tirana luajti në turin e parë dhe të dytë të Europa League, ku në fund u eliminua nga holandezët e Utrehtit. Edhe pse zhgënjeu në sfidën e parë në Holandë, në kryeqytet bardheblutë demonstruan se kanë potencial. Por një ditë pas eliminimit, dolën në pah shumë probleme. Një pjesë e lojtarëve nuk kanë marrë rrogat që prej katër muajsh. Ndërkohë që ka përplasje mes drejtuesve të lartë të klubit. Donatori Refik Halili dhe shefi i klubit, Rauf Dimraj, kanë diferenca të mëdha mes tyre, në lidhje me idetë për të ardhmen e skuadrës. Dhe pikërisht kjo i ka mbledhur dje në një mbledhje urgjente në ambientet e klubit. Burime pranë tyre pohuan se çështja, e cila u bë shkak për këtë mbledhje të papritur, është një listë me emrat e lojtarëve që do të grumbullohen për minifazën e dytë përgatitore të Tiranës. Por kjo listë është formuluar nga shefi i klubit, Dimraj. Kjo nuk është pranuar nga Sulejman Starova, i cili ka theksuar se “jam unë trajneri, listën e bëj vetëm unë se cilët janë futbollistët që më duhen për fazën përgatitore. Divergjenca ka edhe në lidhje me vendin ku do të duhet të zhvillohet kjo fazë përgatitore. Shefi i klubit ka lajmëruar se vendi i përzgjedhur do të jetë Puka, pasi klubi nuk ka anën financiare të mjaftueshme për të shkuar jashtë Shqipërisë. Ndërkohë pala tjetër, ajo e Halilit dhe Starovës preferojnë Maqedoninë. Madje trajneri mësohet të jetë shprehur se “nëse klubi nuk ka para, atëherë unë me paratë e mia do ta çoj skuadrën në fazë përgatitore jashtë Shqipërisë”. Këto divergjenca apo edhe të tjera, kanë qenë temat kryesore të mbledhjes së mbrëmshme, e cila ka vazhduar deri vonë e karakterizuar nga debatet e ashpra mes palëve, që i qëndrojë besnik idesë së tyre. Sot pritet të zbardhet, nëse ka qenë e mundur të gjendet një marrëveshje, e cila do të ishte në të mirë të skuadrës, që po përjeton një periudhë të mbytur nga paqartësia për të ardhmen. Një pjesë lojtarëve janë ende pa kontrata dhe disa prej tyre kanë kërcënuar me largim, nëse situata për të ardhmen e tyre nuk do të qartësohet shpejt. Gjithsesi pak para mbledhjes, në një prononcim të tij, donatori Refik Halili theksoi se “me gjithë problemet aktuale, Tirana do të jetë edhe në edicionin e ardhshëm pretendentja kryesore për titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë. “Kemi një emra të rëndësishëm në skuadër, të cilët kanë treguar në të kaluarën se kanë mentalitet fitues. Në radhët tona kemi lojtarë të Kombëtares, siç është Lila, të cilët vijnë nga ekipet e moshave të përfaqësueses. Po ashtu kemi edhe shumë lojtarë me përvojë. Po ashtu kemi bërë disa blerje gjatë kësaj vere, siç është ajo e sulmuesit Pero Pejiç, i cili pak nga pak po ambientohet me skuadrën dhe shumë shpejt do të jetë njeriu garant i golave bardheblu”.
#