Rajkard: Cana, i rëndësishëm për Gallatasarain
Edhe pse për momentin nuk është në 100% të formës së tij sportive, Lorik Cana konsiderohet si një nga lojtarët me shumë vlera për gjigantin e futbollit turk, Gallatasarain. Këtë e ka konfirmuar vetë trajneri i këtij ekipi, Frenk Rajkard. Tekniku holandez i skuadrës së njohur turke ka dalë dje para mediave ku ka bërë një analizë të thellë të ekipit që ai ka në dispozicion, në prag të ndeshjes së parë të turit të tretë të Europa League, të cilën do ta luajnë sot në shtëpi përballë serbëve të OFK Beogradit. Ish-trajneri i Barcelonës, me të cilën fitoi titullin kampion në Spanjë dhe Champions Leaguen, ka prekur disa nga pikat më të rëndësishme të skuadrës së tij, ndër të cilat ka veçuar edhe Canën, blerjen e re të Gallatasarait gjatë merkatos së kësaj vere. Ai ka konfirmuar besimin e tij te lojtari shqiptar, i cili edhe pse nuk duket se është në formë optimale, për shkak të mbipeshës, shikohet si një nga pikat e forta të ekipit të qytetit të Stambollit në sezonin e ardhshëm. “Lorik Cana do të jetë një lojtar shumë i rëndësishëm për Gallatasarain gjatë këtij sezoni që pritet të nisë, është shprehur Rajkard për mediat turke. Për momentin ai është pa kilogramë mbi peshë. Por unë kam përgatitur për të një program të veçantë dhe shumë shpejt do të mund ta shikonin në fushë”. Gjithsesi, kjo fjali e trajnerit të Gallatasarit, dukek se lë të nënkuptohet, që Cana nuk do të jetë në fushë sot në stadiumin “Ali Sami Jen” (që mban emrin e djalit të Sami Frashërit) për ndeshjen e Europa League kundër serbëve të OFK Beogradit.
#