E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana në krizë totale, stonon ndaj Kastriotit



Mesfushori kroat Matko Djarmati me golin e tij në minutën e 13-të i dhuroi një trepikësh të artë Kastriotit në fitoren 1-0 ndaj Tiranës në kryeqytet, e dyta historike e krutanëve në 18 përballje me 24-herë kampionët e Shqipërisë. Tirana, e cila luajti ndeshjen e fundit pa shikues, e nisi keq fazën e tretë, duke pësuar humbjen e 8-të në 23 ndeshje, pikërisht katër ditë përpara zhvillimit të Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore të Federatës Shqiptare të Futbollit, ku presidenti i saj, Refik Halili, është një nga tre kandidatët për kreun e qeverisë së futbollit, së bashku me dy rivalët e tjerë, Armando Duka (në kërkim të mandatit të tretë) dhe agjentit të njohur të FIFA-s, Rudi Vata (një aleat virtual i Halilit). Në fakt, në tri përballjet sezonale midis dy skuadrave, Tirana është drejtuar nga tre trajnerë të ndryshëm në ndeshjet kundër Kastriotit.
Pas ndeshjes së fazës së parë (java 6), në barazimin 1-1 në “Qemal Stafa (Gjergji Muzaka shënoi për Tiranën; Klevis Roshi për Kastriotin) dha dorëheqjen ish-trajneri kroat i Tiranës, Ilija Lonçareviç. Në ndeshjen e fazës së dytë, të fituar 1-0 nga Tirana në Krujë me golin e Blerti Hajdarit (66’) në stolin bardheblu ishte Alban Tafaj (i pezulluar për një vit nga Komisioni i Disiplinës pas incidenteve në ndeshjen Tirana-Dinamo), ndërkohë që në takimin e fazës së tretë (të humbur 1-0, gol i Matko Djarmatit për Kastriotin), në bankinë ishte Devi Muka. Tirana vazhdon të ruajë vendin e tretë në renditje e që të çon në kompeticionin e Ligës së Europës, por klubi rekordmen përsa i përket titujve (24 kampionate, 13 kupa) është eliminuar në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë nga Besa, duke bërë totalisht një sezon të dështuar.

TIRANA-KASTRIOTI
NDESHJET E KËTIJ SEZONI

Faza e parë
Java 6, 03.10.2009
Tirana-Kastrioti 1-1
Shënues: Gjergji Muzaka 50’/ Klevis Roshi 43’
Trajner i Tiranës: Ilija Lonçarviç

Faza e dytë
Java 17, 23.12.2009
Kastrioti-Tirana 0-1
Shënues: Blerti Hajdari 66’
Trajneri i Tiranës: Alban Tafaj

Faza e tretë
Java 23, 06.03.2010
Tirana-Kastrioti 0-1
Shënues: / Matko Djarmati 13’
Trajneri i Tiranës: Devi Muka

BILANCI HISTORIK
18 ndeshje; 8 fitore Tirana, 8 barazime, 2 fitore Kastrioti. Golaverazhi 30-12

“Liqeni” i Peqinit shtyn Shkumbini-Vllaznia

Shkumbini-Vllaznia, takimi i programuar për ditën e shtunë, do të luhet 24 orë më pas, të dielën, për shkak të gjendjes së rënduar të fushës së Peqinit. Vendimi u morr nga Sektori i Garave pranë Federatës Shqiptare të Futbollit. Në fazën e parë, Vllaznia fitoi 2-0 në Shkodër, ndërkohë që të dytën, Shkumbini fitoi 2-1 në Peqin. Shkumbini ndodhet në vendin e 5-të me 30 pikë, Vllaznia në të 8-in me 26 pikë.

Dinamo-Gramozi, “sofra” në Krujë

Takimi Dinamo-Gramozi do të luhet në fushën asnjanëse të Krujës, pas mbylljes së përkohshme të stadiumit “Qemal Stafa”. Dinamo kryeson kampionatin me 54 pikë, ndërkohë që Gramozi mbyll renditjen me 19 pikë. Në dy takimet midis tyre ka fituar Dinamo: 4-0 në “Qemal Stafa” dhe 1-0 në Ersekë. Nëse për Dinamon, së cilës vetëm matematikisht po i vonohet titulli kampion, parashikohet një ndeshje e dorës së dytë, për Gramozin, në debutimin e tij të parë e të vetëm në Kategorinë Superiore, punët nuk kanë si shkojnë më keq.

Besa-Skënderbeu, Shkëmbi në mes

Besa-Skënderbeu është një takim që pritet të prodhojë emocione, parë dhe ambiciet e momentit të dy skuadrave. Besa, falë dhe hapit fals të Tiranës ndaj Kastriotit (0-1 në Tiranë), duket se ka çimentuar vendin e dytë (40 pikë, +5 nga Tirana), ndërkohë që Skënderbeu i “pasur financiarisht”, por në luftë për mbijetesë, vjen pas dy fitoreve rresht. Gjithsesi, Skënderbeu nuk ka fituar asnjë ndeshje në transfertë gjatë dy fazave të para, teksa fitorja e fundit jashtë Korçës daton, më 25 nëntor 2007. Bledi Shkëmbi lidh të dyja skuadrat, pasi mesfushori korçar në fazën e parë luajti me Skënderbeun, ndërkohë që në fazën e dytë vesh fanellën e Besës.

Laçi-Flamurtari, pa “pistoletë”

Laçi-Flamurtari është një ndeshje që ofron shumë histori brenda, parë dhe atë që ndodhi në përballjen e fundit midis dy skuadrave në Laç, ku u fol për një kërcënim me pistoletë kundër sulmuesit të Flamurtarit, Migen Memelli. Në atë takim, Laçi fitoi 3-2. Laçjanët janë duke bërë sezonin e tyre më të mirë gjatë historisë së 10 viteve tyre në Superligë, vendi i katërt (31 pikë), ndërkohë që Flamurtari nuk fiton në transfertë, qysh nga java e parë e këtij sezoni, kur mposhtën në kryeqytet Tiranën (1-3).

Teuta-Apolonia, aromë hakmarrjeje

Teuta-Apolonia është një përballje midis dy skuadrave të afërta, nisur edhe nga fakti se ndajnë me një pikë (30-29) dhe vendet 6-7, pikërisht pozicionin ku ndahen edhe dy blloqet e mëdha “gjashtëshe”. Apolonia i ka fituar të dy takimet me Teutën, dhe të dyja me rezultatin e pastër 2-0, si në “Loni Papuçiu” të Fierit, ashtu në “Niko Dovanës” të Durrësit.

KATEGORIA SUPERIORE
Java 23

Tirana-Kastrioti 0-1
Shënues: / Matko Djarmati 13’

08.03.2010
Shkumbini-Vllaznia
Dinamo-Gramozi (Krujë)
Besa-Skënderbeu
Laçi-Flamurtari
Teuta-Apolonia

8 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›