E Shtunë, 31 Tetor 2026

Azia mes armatimeve dhe arritjeve teknologjike

29-12-2012 / Nga Ilirian Dahri

Zhvillimet e fundit në Azi po zhvendosin gjithmonë dhe më shumë vëmendjen e opinionit publik botëror drejt këtij rajoni. U kryen zgjedhjet në Kinë, Koreja e Veriut realizoi manovrat ushtarake dhe së fundmi në Japoni u rikthyen në pushtet pas zgjedhjeve liberaldemokratët që kanë dominuar politikën japoneze në vitet pas luftës së dytë botërore. Vëmendja dhe kureshtja së fundmi është drejtuar nga Kina sepse kinezët kanë krijuar një sistem të ri navigimi satelitor. Quhet BeiDou dhe është një sistem navigimi satelitor aktiv në rajonin e Azisë por që në të njëjtën kohë shihet edhe si një instrument i pavarësisë ekonomike përballë amerikanëve dhe sistemeve të tyre të avancuara. I njëjti arsyetim mund të bëhet edhe për sistemin europian Galileo. BeiDou që në gjuhën kineze do të thotë Arusha e madhe dhe mbështetet në 16 satelitë pa harruar edhe katër satelitë të tjerë që janë për eksperimente. Zëdhënësi i Zyrës kineze për navigimin satelitor, Ran Chengqi e ka paraqitur performancën e tij si shumë të mirë duke siguruar ndërkaq se sinjali do të jetë shumë i qartë edhe për vendet përreth Kinës. Në një kohë kur europiani Galileo do të fillojë të funksionojë vetëm në vitin 2014, ndërsa rusi Glonas do të rifillojë pas vitesh braktisje kjo arritje e kinezëve ndoshta do të ketë efekte si për rusët por edhe për europianët. Kinezët nga ana e tyre kanë punuar pak kohë për këtë projekt duke arritur në rezultate shumë të mira. Një sistem  që do të jetë aktiv në të gjithë Paqësorin. Flitet ndërkaq se në momentin që do të arrijë në kapacitetin e tij të plotë, prej tij mund të fitohen rreth 63 miliardë dollarë. Kinezët kërkojnë që të gjitha firmat të fillojnë të investojnë në mënyrë që BeiDou të arrijë në maksimumin e kapacitetit të tij. Me këto lëvizje të fundit rajoni po shndërrohet gjithmonë dhe më tepër në një rajon shumë të rëndësishëm për politikën dhe ekonominë botërore. Por edhe problemet nuk mungojnë dhe po vihet re një interes i madh për armatimet. Koreja e Veriut shihet dhe vëzhgohet nga vendet fqinje me shumë shqetësim për paqen e rajonit. Amerikanët pikërisht këto ditë kërkojnë të pajisin me mjete të sofistikuara (Northrop Grumman RQ-4 Global Hawk) aleatët e tyre të Koresë së Jugut. Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama i ka bërë një propozim Kongresit për të pranuar kërkesën e Koresë së Jugut. Koreanojugorët kanë kërkuar mjete që kushtojnë rreth 1,2 miliardë dollarë dhe veçanërisht avionë pa pilotë të cilët janë në gjendje të kontrollojnë hapësira të mëdha. Global Hawk po përdoren nga forcat amerikane por në të njëjtën kohë kanë eksportuar për në Gjermani rreth 5 avionë me një kosto prej 860 milionë dollarë. Ndërkaq avionët amerikanë po pëlqehen gjithmonë dhe më shumë në Azi, po pëlqehen nga australianët, japonezët por së fundmi edhe nga Singapori. Natyrisht më të shqetësuarit janë koreanojugorët sepse armët e Koresë së Veriut paraqesin rrezikshmëri. Koreja e Jugut do të kërkonte që të informohej mbi lëvizjet ushtarake të Koresë së Veriut sidomos pas lëshimit prej tyre të raketës me rreze të gjatë. E ardhmja rezervon kujdes dhe vigjilencë. Agjencia e lajmeve zyrtare e Koresë së Veriut ka njoftuar se presidenti Kim Jong - ka urdhëruar zhvillimin e raketave më të mëdha dhe me një rreze akoma dhe më të madhe veprimi dhe se këto do të shërbejnë sipas tyre vetëm “për një përdorim të hapësirës për qëllime paqësore”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›