E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana pasurohet me një Kishë të re kushtuar

Kryeqyteti ynë pasurohet me një Kishë të re katolike. Të shtunën më 25 tetor u bë kushtimi i kishës famullitare ‘Zoja Ndihmëtare’ pranë qendrës sociale ‘Don Bosko’ në lagjen Laprakë të Tiranës. Kishën e re në nder të Virgjërës Mari, Zojës Ndihmtare e shuguroi kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit imzot Rrok Mirdita, gjatë meshës solemne në bashkëkremtim me famullitarin, salezianin shqiptar don Dominik Qerimin e shumë ipeshkvij, meshtarë e rregulltarë të ardhur nga të gjitha viset shqiptare. Kisha e re ‘Zoja Ndihmtare’ është fryt i veprimtarisë dhe përkujdesit të Salezianëve, të cilët me qendrën e tyre sociale ‘Don Bosko’ e me shkolla profesionale, prej mese 17 vitesh ndihmojnë e punojnë në formimin e të rinjve të Tiranës pa dallim feje, e tani me ndihmën bujare të miqve, kanë ndërtuar edhe Kishën për besimtarët e shumtë që përbëjnë bashkësinë e katërt kishtare katolike të Tiranës.
Papa në audiencën e përgjithshme: “Dija e vërtetë është dashuria pa interes”/Teologjia e Kryqit, siç na e përshkruan Shën Pali, shkandull për judenjtë e marrëzi për paganët, por urti e Hyjit, i cili e tregon dashurinë e tij në ligështi, ishte në qendër të katekizmit që mbajti dje Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme. Të pranishëm, rreth njëzet mijë besimtarë. Papa, duke vijuar katekizmin kushtuar Shën Palit, vuri sot në qendër të vëmendjes pikën kryesore të teologjisë së Apostullit të Popujve: Kryqin. Benedikti XVI u nis nga ngjarja e jashtëzakonshme e kthimit të Saulit të Tarsit, i cili nga persekutues i të krishterëve, u bë kumtues i palodhur i Krishtit të kryqëzuar e të ngjallur, duke përballuar mijëra rreziqe e vështirësi. Në takimin me Krishtin, atij iu bë i qartë kuptimi kryesor i Kryqit: kuptoi se Krishti vdiq e u ngjall për të gjithë: “Ditë për ditë, në jetën e tij të re, provonte se shëlbimi ishte ‘hir’, se gjithçka rridhte nga vdekja e Jezusit e jo nga meritat, që ai nuk i kishte. Ungjilli i hirit u bë kështu për të, e vetmja rrugë për ta kuptuar kryqin, kriter jo vetëm për jetën e tij të re, por edhe për përgjigjen që duhet t’u jepte bashkëfolësve”. Judenjtë mbështeteshin në veprat e shëlbimit, grekët vinin mbi gjithçka dijen njerëzore, heretikët sajonin një krishterim në përkim me interesat e tyre. Ndërsa për Palin, Kryqi do të thotë shëlbim, do të thotë hir, që Hyji ia dhuron çdo krijese: “Shkandulli’ e ‘marria’ e Kryqit qëndrojnë në faktin se atje ku duket se ka vetëm dështim, dhimbje, disfatë, pikërisht atje është e gjithë fuqia e dashurisë së pakufishme të Hyjit, sepse Kryqi është shprehje e dashurisë, e dashuria është fuqia e vërtetë, që zbulohet pikërisht në atë, që duket si dobësi”. Shën Pali kumton me guxim Krishtin e kryqëzuar. Pëson persekutime e poshtërime, me vetëdijëen se ai që mbron Kryqin, duhet ta paguajë këtë me një çmim tepër të lartë: “Ta pranosh kryqin e Krishtit, do të thotë të bësh një kthesë të thellë në mënyrën e lidhjes me Zotin. Në se për judenjtë shkaku i mospranimit të kryqit është Zbulesa, dmth besnikëria ndaj Hyjit të Etërve, për grekët, dmth për paganët, kriteri i gjykimit për t’iu kundërvënë Kryqit, është arsyeja. Për këta të fundit, Kryqi është ngordhje, marri, mendjetrashësi, dmth gjellë pa kripë, prej këndej, më shumë se gabim, është fyerje ndaj gjykimit të shëndoshë”. Kështu Pali provon shpesh përvojën e hidhur të mospranimit të misterit të Kryqit, që shikohet si i padenjë për t’u përfillur nga arsyeja: “Për ata që, si grekët, e shikonin përsosurinë në shpirt, në mendimin e pastër, ishte e pranueshme që Hyji të bëhej njeri, duke hyrë në të gjithë shtrirjen e hapësirës e të kohës. Por ishte plotësisht e pakonceptueshme pastaj, që një Zot të përfundonte në kryq! E ne shikojmë se kjo logjikë greke është edhe logjika e zakonshme e kohës sonë”.
Kardinali Bertone kërkon që Koncili II i Vatikanit të mbrohet nga interpretimet tendencioze/ “Koncili II i Vatikanit duhet interpretuar në mënyrë të përshtatshme e duhet mbrojtur nga interpretimet tendecioze”. Këtë pohoi kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, në fjalën e hapjes së takimit ndërkombëtar me temë “Koncili II i Vatikanit në papninë e Gjon Palit II”, që vijon në Universitetin Papnor Lateranens. Për Gjon Palin II - kujtoi kardinali Bertone - qe një sfidë e vërtetë, ashtu siç qe edhe për etërit konciliarë, të cilët u impenjuan ta kuptojnë më thellësisht natyrën e Kishës dhe lidhjen e saj me botën, në mënyrë që të mund të parashikonin një ndryshim të përshtatshëm. Kardinali Bertone kujtoi më pas se për Gjon Palin II, Koncili ishte Koncil i Kishës, i Krishtit e i njeriut, sepse të flasësh për Jezusin, do të thotë të flasësh për Kishën e, prej këndej, për njeriun. Pas Koncilit - shtoi sekretari i Shtetit të Vatikanit – në Kishë nisi një lëvizje plot gjallëri, që pati fryte pozitive, por edhe jo pak teprime shqetësuese.Dokumentet konciliare – shtoi në përfundim kardinali Bertone – gjithnjë duke cituar papën Vojtila - nuk e shkëputën Kishën nga e kaluara, por qenë ftesë për t’ia shpjeguar në mënyrë të kuptueshme Ungjillin njeriut të kohëve tona.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›