Vendimi i sekuestros, konflikt në SHBA për 3 llogaritë e Kores
Tiranë- Tri llogari bankare të 35-vjeçarit Altin Kore, i arrestuar të premten me urdhër-arrest të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë shkaktuar një konflikt mes bankës JP Morgan dhe Gjykatës së Distriktit Lindor të Teksasit. Bëhet fjalë për llogaritë me vlerë 151 mijë dollarë, të cilat gjykata i sekuestroi në vitin 2008, me pretendimin se Kore ishte përfshirë në një grup të trafikut të kokainës. MAPO ka arritur të sigurojë vendimin e kësaj Gjykate, i cili mban datën 7.09.2008, i firmosur nga gjyqtari Don D. Bush. Sipas këtij vendimi, mësohet se shteti amerikan paraqiti një ankesë penale kundër Altin Kores, duke pretenduar se ai ishte i përfshirë në një grup për shitjen e kokainës. Në të njëjtën ditë, gjykatësi Don D. Bush nënshkroi një urdhër sekuestrimi për tri llogaritë bankare në emër të Kores, pasi nga hetimet kishte rezultuar që fondet në llogaritë e tij kishin ardhur nga përfshirja e tij në aktivitetin e paligjshme të shitjes së drogës. Në të tria llogaritë e tij, u sekuestrua një shumë rreth 151 mijë dollarë amerikanë. Një ditë pas sekuestrimit, më 8 gusht 2008, agjenti special i DEA-s, Tahariiq Gray, ka dërguar në zyrat e “JPMorgan Chase Bank”, e vendosur në Teksas, urdhrin për sekuestrimin e llogarive të konfiskuara në emër të Altin Kores. Pasi i ka dorëzuar urdhrin menaxherit të bankës, ky i fundit i ka bërë të ditur agjentit special të DEA-s se banka rezervon të drejtën për të përcaktuar nëse në llogarinë e klientit ekzistojnë apo jo borxhe ndaj bankës. Vetëm disa ditë më pas, një përfaqësues i bankës i ka dërguar një letër agjentit Gray, duke i komunikuar se Altin Kore i kishte një detyrim prej 217 332.15 dollarësh amerikanë, të cilat i kishte marrë disa vite më parë në formën e një kredie. Duke u ndodhur përpara kësaj situate, përfaqësuesit e bankës iu drejtuan Gjykatës së Teksasit, duke paraqitur provat që tregonin se më datë 6 qershor 2006 Altin Kore kishte marrë pranë kësaj banke një kredi prej 250 mijë dollarësh dhe nuk e kishte shlyer atë. Në këto kushte, banka kërkonte që shumat e sekuestruara t’i kalonin asaj për të mbyllur këtë borxh, por Gjykata e Teksasit, me anë të gjyqtarit Amos L. Mazzanti, më datë 9 shkurt 2010 vendosi që llogaritë e konfiskuara në emër të Altin Kores të qëndrojnë pezull deri në një seancë ballafaqimi me të pandehurin, i cili akuzohet prej drejtësisë amerikane si i përfshirë në trafik kokaine. Përveç akuzave që e presin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Altin Kore pritet të përballet tashmë edhe me çështjen e tri llogarive të ngrira në JP Morgan të Teksasit. Altin Kore u arrestua të premten në Rinas, pak minuta pasi zbriti nga një charter. 35-vjeçari i kërkuar në SHBA po kthehej nga pushimet verore në Antalia të Turqisë, kur ka ndjerë shtrëngimin e prangave në duart e tij. Arrestimi i tij u bë pas mbërritjes së një urdhër-arresti nga Interpol Uashingtoni, përmes të cilit Kore akuzohet për trafik droge në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas urdhër-arrestit të lëshuar nga autoritetet amerikane, mësohet se mbi të rëndojnë një sërë akuzash, duke nisur që nga “bashkëpunim me synim shpërndarjen e kokainës”,“zotërim i një arme zjarri, në vijim të një krimi për trafikim lëndësh narkotike”. Gjykata e Tiranës ka vendosur ndaj tij masën e arrestit për 60 ditë, deri në marrjen e një vendimi për ekstradimin e 35-vjeçarit drejt SHBA-ve.