Tiranë Kolasin, për ata që nuk i tremben dëborës dhe aventurës
Për të gjithë ata që kërkojnë të kalojnë një fundjavë të qetë jashtë Shqipërisë, ne ju sugjerojmë të provoni qytezën Kolasin, një qytezë me jo më shumë se 3000 banorë, në veri të Malit të Zi.
Si mund të shkoni atje?
Për të shkuar në Kolasin është shumë e thjeshtë dhe ka shumë mënyra. Shqiptarët mund të kalojnë kufirin e Malit të Zi pa paguar asnjë taksë dhe pa patur asnjë vështirësi. Mënyra e parë, ajo më e sigurt sidomos për njerëzit që nuk duan të rrezikojnë është udhëtimi përmes një agjencie. Çmimi mesatar përmes agjencive është rreth 40 Euro vajtje ardhje. Kjo mënyrë është e qetë por nuk të ofron shumë argëtim.
Mënyra e dytë është përmes transportit publik. Nga Tirana mund të nisesh me një furgon deri në Shkodër. Nga Shkodra të duhet të shkosh në Podgoricë (Ka një autobuz që niset ccdo ditë në orën 9 nga Shkodra për në Ulqin e nga Ulqini sërish përmes transportit publik duhet të udhëtoni drejt Podgoricës dhe prej andej në Kolasin). Një mundësi tjetër që mund të shfrytëzoni është transporti me taksi. Në rast se jeni katër vetë që po udhëtoni, atëherë taksia do ti kushtojë secilit 10 euro vajtje dhe 10 euro të tjera për kthimin. Taksinë e gjeni tek stacioni i furgonave ose tek ish monumenti i 5 heronjve të Vigut.
Udhëtimi me tren dhe parkimi pranë Policisë
Nga Podgorica ne ju sugjerojmë që të udhëtoni me tren. Kjo kushton vetëm 2.2 euro, ndërsa udhëtimi me autobuz kushton 5 euro. Udhëtimi nga Podgorica në Kolasin zgjat 1 orë e 30 min afërsisht, si me tren ashtu edhe me autobus.
Në rast se asnjë prej alternativave më sipër nuk bën për ju, atëherë ju mund të shkoni atje me makinën tuaj. Kjo është mënyra më e lirë dhe më e bukur, vetëm duhet të keni leje qarkullimi ndërkombëtare dhe patentë ndërkombëtare. Shumë e rëndësishme në këtë periudhë janë zinxhirët pa të cilat është e pamundur të arrini në destinacion. Rruga zgjat rreth 5 orë, unë ju këshilloj të kaloni përmes kufirit doganor të Muriqanit sepse rruga është më e mirë dhe panorama është spektakolare. Do shikoni liqenin e Shkodres në një pamje që nuk e keni imagjinuar ndonjëherë dhe gjithashtu do kaloni në një tunel 4.3 km të gjatë. Atje do tju duhet të paguani 2.5 euro për makinën.
Ne shkuam pikërisht me makinë deri në Podgoricë. Kërkuam për parkim por ishte e vështirë. Në një hapësirë afër një komisariati policie ne e parkuam makinën pasi biseduam me një oficer policie. Ishte i sjellshëm dhe na tha se makina do të ishte e sigurt. Më pas morëm trenin për në Kolasin.
Në Malin e zi nuk kishin interes për makinat e Shqipërisë! Këtë do e vini re sapo të hyni kur të hasni me makinat më të vjetra dhe më të vogla që keni parë ndonjëherë, e në të njëjtën kohë me makinat më të shtrenjta që ekzistojnë!
Në tren mund të njiheni me plot njerez të tjerë të cilët shkojnë për ski gjithashtu dhe me shumë gjasa do të gjeni edhe shqiptarë të tjerë që janë duke bërë të njëjtën gjë. Shqiptarët duket se janë turistët më të shpeshtë të atij vendi. Problem mund të jetë fakti që shumica e banorëve nuk kupton asnjë fjalë anglisht…
Akomodimi
Mirë do të ishte që hotelin ta pronotoni online, pasi nëse mbërrini vonë nuk do të keni probleme rezervimi. Nëse ndodh që dhomat janë të zëna, pothuajse të gjitha shtëpitë e banorëve lokalë ofrojnë dhoma të lira me qera.
Çmimi i dhomave kushton nga 10 deri 50 euro nata për person. Por çmimi më i shpeshtë është 15 euro. Pothuajse të gjitha shtëpitë janë të ngrohta, por jashtë temperaturat janë ose 0 ose nën 0.
Ushqimi
Ushqimi është shumë i lirë në vendet e destinuara për banorët lokalë, ashtu sicc është edhe shumë i shtrenjtë në vendet tipike për turistët. Përpiquni të ushqeheni në vende që nuk janë detyrimisht buzë rrugës, por të futura mes shtëpive të banorëve: do gjeni ushqim më të mirë dhe më të lirë. Birra më e mirë dhe më e lirë lokale është Pivo, ndërsa uji i vendit quhet Voda.
Nata, korrupsioni dhe Beogradi
Nata nuk ofron shumë aktivitet në atë qytet! Janë vetëm dy bare me muzikë dhe mundësi për të kërcyer por ju, me siguri do jeni aq të lodhur sa nuk do ngriheni dot nga krevati. Njerëzit janë përgjithësisht shumë të dashur në Kolasin, por në vendet e tjera mund ti kenë edhe inat shqiptarët. Policët dhe kushdo tjetër, nëse mësojnë se jeni nga Shqipëria kanë tendencën të korruptohen lehtësisht…
Në kthim, edhe faturinoja i trenit na mori më pak lek dhe nuk na pajisi me bileta, duke na kërkuar të mos flisnim. I gjithë ky komunikim ndodhi vetëm me gjeste sepse ai nuk kuptonte asnjë fjalë anglisht apo shqip.
Treni që kalon në Kolasin ndalon në Beograd. Kjo mund të jetë një altërnativë e mirë për të kaluar një pasdite ndryshe. Mund të shkoni me trenin e mëngjesit në Beograd e më pas të ktheheni me trenin e pasdites. Por nëse nuk keni shumë të holla mund të kaloni një pasdite të bukur edhe në Podgoricë, një vend ende pak i eksploruar.
Në pistën e skive
Çmimi i skive, nëse nuk keni të tilla është disi i shtrenjtë, por ia vlen ta provoni. Për të shkuar në në pistë duhet të merrni një autobus që niset nga qendra e qytetit, ose mund të shkoni me taksi sepse nuk kushton shumë dhe zgjat vetëm 15 minuta. Kur të arrini aty do mahniteni nga madhështia e maleve dhe pistave që ju rrethojnë. Skitë mund ti merrni me qëra në hyrje të pistës. Kushtojnë 12 euro. Ju këshillojmë të shkoni sa më shpejt sepse mbas orës 11 ka mundësi që të gjitha skitë të jenë marrë.
Gjithashtu nëse keni dëshirë dhe guxim të shkisni në malet rreth e rrotull do ju duhet të merrni një kartë për teleferikët që kushton 14 euro për gjysëm dite dhe 18 për gjithë ditën. Kujdes: skitë janë sporti më i rrezikshëm!Duhet të praktikoheni pak përpara se të vendosni të ngjisni deri në rrëzë të malit…
