Tiranë, 16 persona nën hetim për mashtrim kompjuterik

Policia e Tiranës ka nisur procedim penal për 16 persona të cilët akuzohen për veprën penale “mashtrim kompjuterik” pasi nëpërmjet paisjeve elektronike dhe internetit, kanë realizuar trasmetimin e sinjaleve të kompanive dixhitale në Shqipëri. Burime nga policia bëjnë me dije se gjatë operacionit të koduar "Trasmetimi" ka kontrolluar mbrëmë në disa subjekte tregëtare dhe banesa, të cilat dyshoheshin se nëpërmjet paisjeve elektronike dhe internetit kanë trasmetuar në mënyrë të paligjshme sinjal të disa Kompanive Televizive Dixhitale.
Sipas policisë në kuadër të këtij operacioni policor u zbatuan 16 vendime të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, mbi lejimin dhe kontrollin e ambjenteve në disa subjekte tregtare dhe kontrolle banesash, në të cilat dyshohet se nëpërmjet paisjeve elektronike dhe internetit është trasmetuar në mënyrë të paligjshme sinjali i disa Kompanive Televizive Dixhitale.
Gjatë kontrollit të ambjenteve policia ka sekuestruar edhe aparate të klonuar për marrjen dhe trasmetimin e sinjaleve televizive, sisteme kompjuterike të përshtatur si servera, për administrimin e rrjetit trasmetimit, njësi kompjuterike lap-top, modem, CD dhe karta dixhitale.
Ndërkohë policia po vazhdon hetimet për të identifikuar të tjerë persona të përfshirë, në këtë aktivitet, duke riprogramuar aparatet digitale nëpërmjet sinjalit të internetit dhe duke marrë të dhëna në lidhje me programet e kompanive të ndryshme televizive Dixhitale.