E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Tiranë/ Arrestohet 28-vjeçari, vidhte llogaritë në Facebook të shqiptarëve në Kosovë dhe u mori 100 mijë euro të afërmve

Një 28-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë në Tiranë këtë të enjte (30 mars), i akuzuar se kishte përfituar nëpërmjet mashtrimit 100 mijë euro. Nëpërmjet një njoftimi, Policia bën me dije se i riu me inicialet L. P., në bashkëpunim me disa persona të tjerë, ka vjedhur llogaritë në Facebook të shtetasve të ndryshëm kosovarë dhe më pas ka komunikuar me familjarët dhe të afërmit e këtyre shtetasve, për t’iu kërkuar shuma të ndryshme  parash, me pretendimin se ishte në spital ose për arsye të tjera.

 Pasi kanë marrë mesazhet në rrjetet sociale, familjarët dhe të afërmit kanë dërguar shumat e parave me anë të rrjetit të transfertave monetare, ndërsa shuma e përfituar nga është mbi 100 000 euro. 

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 7 karta bankare, 2 laptopë, pajisje të tjera kompjuterike dhe 62 mandate të lëshuara nga filialet e rrjetit të transfertave monetare, pas tërheqjes së shumave monetare nga ky shtetas.

I riu u vu në pranga pas disa muajsh hetime, ndërsa vijon puna për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›