Tiranë: Firmoset marrëveshja PS-LSI

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama dhe kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, firmosën në Shkodër marrëveshjen për bashkimin në koalicionin Aleanca për Shqipërinë Europiane. Në fjalën e tij, kryetari Rama theksoi se kjo marrëveshje do t'i kthejë shumicës së popullit shqiptar të drejtën sovrane të qeverisjes së këtij vendi.
Rama bëri me dije se është rënë dakord për paktin, i cili nis me një kartë parimesh, që në vija të trasha bazohet ne vullnetin për të realizuar reforma të thella në ekonomi, pavarësi të institucioneve, përmirësim të jetës së shqiptarëve e rol aktiv të bashkëpunimit rajonal të Shqipërisë.
Gjatë fjalës së tij, kryetari i PS-së Edi Rama theksoi "se jeta e re e Ballkanit ku ne jetojmë duhet të dëshmojë atë që ne predikojmë, paqen, stabilitetin, fqinjësinë e mirë, bashkëpunimin rajonal në funksion të jetës së njerëzve dhe mbështetjes së një gjenerate të re të vendeve rajonale", transmeton Top Channel.
"Ne nuk mund të predikojmë paqen e re të kohës së re të rajonit dhe të ushqejmë fantazmën e vjetër të nacionalizmit ballkanik. Pas 23 qershorit, t'ia lëmë arkivave nacionalizmat që ngre krye hera-herës. Ne duam që Shqipëria europiane të mos jetë një sllogan propagandistik, por një projekt politik i një rëndësie të veçantë i një bashkëpunimi të frytshem rajon ne funksion te stabilitetit, si baze për mirëqenien ekonomike dhe sociale te njerëzve që banojnë në këtë zonë të Europës", tha Rama.
Ne fjalen e tij, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta deklaroi se zgjedhjet e 23 qershorit janë një gur provë për të ardhmen e vendit.
"Koalicioni me Partine Socialiste është një koalicion i natyrshëm dhe do të jetë solid dhe afatgjatë, ndaj dua te falënderoj të gjithë miqtë tanë evropianë që na këshilluan të lëmë pas të shkuarën dhe të ecim përpara", tha Meta.
Meta theksoi se në këto kohë krize, Shqipëria ka nevoje për një model qeverisje që të sigurojë punësim, rritje ekonomike, duke zgjeruar programet e përfshirjes sociale.
"Aleanca jonë progresiste do të dije t'i japë përgjigje sfidave të ardhshme. Shqipëria të lerë pas edhe tranzicionin ekonomik dhe të bazohemi te rigjallërimi ekonomik. Ne do të punojmë për një krijuar një shoqëri më të drejtë, më të barabartë, duke i qëndruar besnikë vlerave socialdemokratë për të realizuar aspiratën e të gjithë shqiptarëve për t'u integruar në BE", tha Meta, duke shprehur besimin se nga qyteti i Shkodrës ku po zhvillohet kjo konferencë, do të nisë edhe rruga e fitores së të majtës në zgjedhjet e 23 qershorit./Indeksonline/