E Diel, 1 Nëntor 2026

OPINION/ Koha e kometës apo koha e dashurisë!?

Nga Dr. Përparim Kabo
Fjala, gjesti,lëvizjet, imazhi, e tërë harta e rrugës në film nuk është eklektizëm që vjen nga kompozicioni i veprës! Përkundrazi, e tillë është ajo në misionin iluziv të luftës. 

Kishin filluar rrugëtimin nga gjeneza si paganë të mirë që donin qiellin dhe tokën, kishin ndaluar çapitjen historike dhe qysh në orët e para të Krishtërimit e kishin përqafuar atë kozmogoni të re nën bekimin e të pallmes (lëshimit të zërit) nga Shën Pali në kodrat e Durrësit. Ata ishin detyruar që së paku atje nga viti 740 pas Krishtit përfundimisht të mbeteshin nga Lindja Bizantine, ku themelet e atij civilizimi i kishte vënë një bashkatdhetar i tyre, Konstandini i Madh. Dhe më pas kur Venediku lëshoi Shkodrën, ata ishin zhytur në natën e gjatë osmane. Kishte qenë shekulli i 15-të. Po ata nuk u zhdukën, vijonin të flisnin gjuhën e nënës dhe me to i drejtoheshin qiellit dhe tokës, ëndërrimeve dhe nëntokës ku udhëtonin shpirtrat me mesazhet e tyre mësimplote. Konvertimi në fetë e ndryshme kishte qenë mbijetesë. Udhë tjetër nuk kishte pasur dhe ky kompromis vinte të merrte kostot në fillim të shekullit të XX në këtë ngrehinë dhe nga ata njerëz shumë prej të cilëve kishin humbur, por që mes një fanatizmi dhe ekzotizmi ekzistencial natyror kishin mbetur europianë të mirë. Pa institucione vërtet dhe pa standardizime, por me një natyralizëm që lidhej me “fosilen e gjallë”, shqipen e bekuar dhe me zakonet e sjelljen baritore që ravijëzonin profile të ngrohta njerëzore.
Ata kishin konservuar mjetin universal të komunikimit dhe bashkëshoqërimit, për të gjitha artet njerëzore materiale dhe shpirtërore. Mbi të gjitha kishin siguruar t’u mbetej pa u asgjësuar i patjetërsueshëm kryarti njerëzor, dashuria.
Ishte gjuha e tyre e papushtueshme, që fjalët jetë, dashuri, vdekje dhe zot i kishte krejt të ndryshme, në tingëllimin dhe muzikalitetin njerëzor!
Në ndjenjën dhe në përjetimin, në respektimin dhe në vlerësimin e tyre si energjitë vitale për të gjithë universet!
Ata dashuronin në shqip, e ndiqnin dritën e saj në shqip, e takonin dhe e përkëdhelnin atë në shqip, i përgjëroheshin dhe i falnin jetën dhe gjithçka, asaj: dashurisë njerëzore dhe këtë e realizonin vetëm në shqip. Kishin mbetur me identitetin e tyre pavarësisht kalvarit.
Zoti apo perënditë e një mozaiku fetar të përçudnuar, jo më si në kohën e artë të politeizmit paganë, nuk mund ta pengonin kometën, ndjenjat dhe flokët e saj që të vinin si dashuri për gruan e jetës.
Duhej vijuar jeta sepse ajo është “teologjia” e parë , është feja e parë, ndaj dhe faltorja e parë ekzistenciale. Pa të dhe jashtë saj nuk ka vend, as për ekzistencë dhe as për besim.
I kishte qëlluar këtij populli ndoshta më shumë se të tjerëve ta kishte provuar atë tragjikisht. Jeta e tij e rrezikuar dhe sulmet për t’ia ndryshuar asaj formën dhe ngjyrën, ndjenjën dhe hapësirën e kishin bërë atë më vigjilent,më të kujdesshëm nga njëra anë, dhe tepër të butë me ndjenjën e dashurisë, nga ana tjetër.
Për të nuk kishte pengesa, sepse feja e dashurisë nuk ishte ndarëse por bashkuese. Liria ishte strehuar në një formë të poezisë njerëzore ku prova e identitetit të trimit duhej paraprirë nga sfida e të bërit burrë përmes dashurisë dhe ngjizjes së jetës.
Ajo kishte lindur e tillë dhe përtej atyre pragjeve nuk mund të ishte dashuri e pastër, nëse tinëz në ngrohtësinë mikpritëse dhe naive të saj, treteshin helmet e xhelozisë, urrejtjeve, dhe zinin vend përjashtimet dhe klithmat fanatike për ta mbuluar bukurinë njerëzore, apo strehoj pabesisht shëmtimi i deformimit homoseksual. Apo më keq akoma lëndonin barbarisht përdhunimet mbi femrën e pambrojtur!
Dashuria njerëzore mbi pushtetet religjioze dhe atyre të përjashtimit e të izolimit që vijnë prej tyre, kjo mrekulli humane është filli i filmit “Koha e kometës” (Koha e dashurisë-shënimi im P.K) i kineastit Fatmir Koçi që vjen si një produksion gjermano-shqiptar, por me një kamer poetike dhe baritore të një mjeshtri irlandez, Donal Gilligan, që në mënyrë provokuese “Vitin e mbrapsht”, të errët dhe të zymtë të novelës së Ismail Kadaresë, e sheh nga një reze drite që zgjerohet deri në ndriçim të kudotakuar përmes dashurisë që nuk mund të pengohet as edhe nga dogma fetare! Në këtë këndvështrim, Fatmir Koçi ribën një histori tjetër! Ka atje një rotngen filmik të personazheve të novelës, por duke përcaktuar hapësira, dimensione dhe rrugëtime krejt të tjera. Kështu veprohet në art, ndryshe do duhej të prisnim një fotografim filmik të imazheve të veprës letrare, ose thjesht lexim figurativ të imagjinatës sonë mbi atë kumt letrar.
Nata fundamentale, qoftë edhe si hije e së shkuarës së dhembshme, qoftë edhe si pushtet i brendshëm i shpirtrave ende të pazbrazur, kërkonte rekrutimin e viktimave të reja!
Ndërsa vështrimi sy më sy i dy njerëzve kalonte hapësira krahinash, besimesh fetare, zakonesh dhe mendësish me një ndjenjë triumfi.
Ajo(dashuria njerëzore) ishte kalorësja e shpresës, ndërsa gjithnjë një varë mbetej i gatshëm për heroin që do të binte dëshmorë pas 100 vjetëve.
Sepse ata ishin nga raca e atyre që nuk e kanë frikë atë, ndaj të shohin në sy dhe ta japin përgjigjen me besë, me fjalë me pushkë por edhe me opingë mbi “hartat prostitute” të gjeopolitikës poshtëruese për një popull që, nuk di të gënjej kur të jep fjalën e nderit, por që ndjehet i poshtëruar kur zbulon hipokrizinë e premtimeve të pambajtura.
Fjalët; “Mbreti na la motra”, “apo Europa na la, lavirja”; evokojnë datën 7 shtator 1914 kur Princ Vidi e la Shqipërinë në mëshirën e fatit në një udhëkryq të frikshëm.
Shumë kishin humbur dhe vdekur gjatë udhëtimi gati 500-vjeçar të gjatë dhe shkatërrimtar, por ata nuk ishin asgjësuar.
Ishin fragmentizuar në raport me providencën ndaj më 1914(7 mars) kur princ Vidi mbërriti në Durrës si Mbreti i Shqiptarëve, ashtu si kishte vendosur Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 1913-ën, shqiptarët qenë një antroporeligjion i fragmentizuar, në mysliman, katolik dhe ortodoks! Ndërsa ai mbreti i tyre që belbëzonte ndoca fjalë shqip, ishte zgjedhur i besimit Protestant.
Kjo është mbingarkesa historike e parathënë dhe e përvijuar nga qielli në tokë nga kometa historike në nisjen për në një luftë të re, në filmin e fundit të skenaristit dhe regjisorit Fatmir Koçi, “Koha e Kometës”
Nëse nuk i ke si paradhënie këto njohuri në arsyen tënde, ndoshta do të jetë e vështirë të kapësh fillin e filmit i cili në kuptimin artistik fillon atje ku fillon, “vendimi për të shkuar në luftë”, por si ngjarje ai fillon larg dhe virtualisht në perceptimin artistik do të duhet të shkosh thellë për të kuptuar atë që krye murgesha i thotë përball ribërjes nga vetja si vetëdeformim Dervishit predikues, provokativ dhe përçarës; “T’i lëmë gjërat ashtu si edhe kanë qenë”! Ndërsa hoxha e formulon ndryshe bekimin e tij: “Biri im nëse nuk ke vrarë njeri ndiq udhën e jetës dhe mos e braktisë dashurinë tënde”, e cila ishte një dashuri njerëzore.
Ndërsa hamshori homoseksual është më utilitar, kur mëton “mos kërko gjak se gjak do të gjesh, në luftë shkojnë ose ata që nuk kanë se ç’të bëjnë ose budallenjtë”.
Ata ishin luftuar nga të tjerët dhe kishin luftuar për të tjerët!Tani mesazhi kometian i dashurisë ishte, të mos luftonin më mes njëri- tjetrit. Të kuptohej më në fund se jemi dhe duhet të trajtohemi të barabartë si njerëz dhe këtë mund ta bëjë vetëm dashuria.
Ky është një fill poetik dhe filozofiko-imazhik në idenë, lëvizjen, dritën dhe dimensionin dinamik të fotografisë së filmit.
Bukuria njerëzore që nga ajo trupore deri tek ajo shpirtërore zbulohet në mënyrë simbiozike e jepet edhe kur raporti me trupin dhe ndjenjën është e deformuar përmes homogjenizimit steril tek figura e Kuz Babait homoseksual, i cili dhe çiftëzimin e kërkonte si një dyshe me fe të ndryshme.
Bashkëjetesa njerëzore vjen përpara asaj fetare, si një thinjë diturie tek flokët e kometës historike, por njëherësh edhe si një ndjenjë që kapërcen çdo tabu dhe pengesë që mund të vijë nga konservatorizmi radikal i dogmave teogonike.
Martesat e kryqëzuara në individ me fe të ndryshme është ajo që bëri që ky popull të mos humbte, të mos përçudnohej, të mos azifikohesh, pa çka se synetllëku fizik e trembte princin Vid, i cili dinte për botën shqiptare aq sa një rrobaqepës nga Singapori(vlerësimi i Ismail Qemalit për të); dhe të qenit në Europë ai e kuptonte me mos-humbjen e asaj cope lëkure, pasi urdhri për “martirizimin” e saj kishte ardhur nga fanatikët që nuk kishin dalë ende nga pusi i errët osman.
Inercia po ndiqte mentalitetin e një pjese të atyre njerëzve jo si bisht komete, por si një makth përtej të cilit ata nuk shihnin mundësi tjetër ekzistence. Rikthimi i ushtarëve të sulltanit qoftë edhe në një lajm iluziv, ngrinte shqetësimin për të mbrojtur fillimisht dashurinë në trajtën e saj të butësisë dhe ndjenjës, d.m.th, vajzën e brishtë që për jetën dhe dashurinë jepet në kryq pa mëdyshje, duke sfiduar dy here; edhe si femër; edhe si besimtare, sepse ajo përgjërohej tek feja e dashurisë njerëzore dhe jo thjesht tek religjioni.
Ky është kryekumti që ndriçon kometën filmike të Fatmir Koçit, i cili nga natyra ka si identitet duelin për të sfiduar frikën dhe qysh nga filmi “Nekrologjia”, “Tirana viti zero” dhe tani me “Kohën e Kometës”, e ka mundur atë. Ky është fati i eksploratorëve që kurajën artistike e kanë prurje dhe sfidën e kanë formë të provuari për gjetje të reja.
Gjatë gjithë sekuencave të filmit, megjithëse është kohë kur kërkohet të luftohet, nuk shohim vdekje, nuk vajtojmë në mort, dhe nuk llahtarisemi në kasaphanë.
Por si pa u kuptuar çast pas çasti, moment pas momenti, episod pas episodi, ngjarje pas ngjarje, ngrihet, raporti fundamental njeriu-jeta-perëndia, dhe simetrikja e saj tokësore, vjen si “kozmozi njeri” - dhe dashuria që të bën individual dhe të dallueshëm nga ai që po si ty pret të plotësohet nën simbiozën e çiftëzimit, sepse e bukura është liri dhe humanizëm dhe këtë e krijon vetëm dashuria.
Si i drejtohet Anjeza Shestanit (personazhet kryesor), atje ku vallëzoi nën muzikë; “vura re se ju jeni një njeri i bukur” dhe nën qiellin që yjëzohet, ajo la kryet e saj tek shpatulla e tij duke u dehur nga aroma njerëzore e një burri.
Kishte ardhur koha të shpëtohej jeta dhe jo të shpenzohej ajo, pa ç’ka se inercitë post-imperiale kishin afruar tragjedi edhe më therëse. Po kafshohej toka e të parëve dhe kishte filluar tregtia e hartave gjeopolitike, ku çyrekët e mëdhenj shqyheshin nga grykësitë nacionaliste. Muzika e fyellit atje ku natyra njihte kufijtë politik, nuk bënte dot gjeodemarkacion. Tingulli ynë shqiptar ishte krejt i ndryshëm, ishte i thellë dhe gjithësonorik, sepse ishte i vjetër sa vetë ekzistenca jonë, kishte mbetur i pastër, qe ruajtur i pa përzierë dhe i pandotur, ndaj tingëllonte ndryshe, por edhe për një arsye tjetër. Sepse në këtë anë ku ishim ne, kishte edhe një “zanë”, një Anjez, si një “qiell me re dashurie”. Ndërsa në anë tjetër kishte shumë mburrje, shpërfaqej shumë cinizëm dhe shtirje për origjinalitet, si të qenit atje të parët në kohë, derdhej me tepri jerm për autorësi fillestare dhe të qenit guri i parë i fillesës.
Muzika në anët tona ishte bashkëjetesë, në anën tjetër ishte përjashtim, tek ne i këndonte vijimit të jetës në anën tjetër fshihte frikën, se nga çasti në çast, mund të merrej jeta e një njeriu.
Ata filluan të luanin me kërkesën e Anjezës që me ata sytë e thellë si det dhe të kaltër si qiell, dukej sikur ju kishte vënë atyre njerëzve të pastër përpara si partiturë të fatit deklaratën Talmudike:
“Kushdo që shpëton një jetë të vetme është sikur ka shpëtuar gjithë botën, kushdo që shkatërron një jetë të vetme, është si të ketë shkatërruar të gjithë botën”.
Fjala, gjesti,lëvizjet, imazhi, e tërë harta e rrugës në film nuk është eklektizëm që vjen nga kompozicioni i veprës! Përkundrazi, e tillë është ajo në misionin iluziv të luftës. Brenda asaj çrregullie ka një linjë tjetër mjaft të rregullt e harmonike, vetëm me ngjitje, rrugëtimi i dashurisë!
Të bashkuar për të luftuar pavarësisht nga besimi fetar që kemi. Kështu edhe niset çeta me bekimin e priftit dhe uratën e hoxhës së fshatit të humbur e izoluar. Të bashkuar për të jetuar dhe dashuruar. Kishte ardhur koha edhe për të vetëqeverisur bashkë dhe kjo ishte sfida e një epoke të re që, mbaroi dhe nuk filloi me Princ Vidin.
Në këtë trase filmike ka dritë dhe iluminizëm. I vonuar në kohën historike po të krahasohet me Europën, por jo për fajin tonë.
“Dashuria është një forcë aktive tek njeriu, një forcë që rrëzon muret, të cilat ndajnë njeriun nga miqtë e tij, që e bashkojnë atë me të tjerët; dashuria e bën njeriun të kapërcejë ndjenjën e izolimit dhe të veçimit, si edhe e lejon të jetë vetvetja, të fitojë integritetin e tij. Në dashuri ndodh paradoksi që dy qenie bëhen një dhe megjithatë mbeten dy. “(Erich Fromm, “Arti i të dashuruarit” botimi shqip faqe 32-33).
Ata mbeteshin dy në besimet fetare(Anjeza, Shestani) por ishin një si njerëz që “mëkatonin” duke dashuruar përtej atij kufiri teologjik!
Edhe sot ky qëndrim është emancipim civil. Bota po sfidon me këtë tabu!
Njohja po zgjerohej duke kërkuar luftën, por kuptimin mbi gjithësinë fitohet nga dashuria njerëzore, ndaj kur lufta fillon realisht kryetari i çetës së vogël, jep urdhrin, “të vazhdoj muzika e dasmës”!
Ky është një iluminim erotik, ku individi fillon të ndërtoj veten me qëllim që të njohë botën e tij dhe të tjetrit, dhe së bashku të njihen me universin brenda dhe përtej kufijve! Ndofta prag- lufta e ngre ankthin dhe sensibilizon skajshëm këtë shqisë njerëzore! Ky lloj “pacifizmi”për një luftë që nuk ka lidhje me ty, e jep profilin tonë antropologjik më europian se dyshimet, shpifjet, insinuatat apo degradimet që vinin nga Fuqitë e Mëdha dhe fqinjët grykës shoven.
Një grup i zotë aktorësh të befasojnë pozitivisht tek ky film, por mbi të gjithë, janë dy zbulimet, aktorët, Masiela Lusha dhe Blerim Destani, të cilët mrekullisht falin një ‘dritë komete’ interpretative dhe tregojnë se Fatmir Koçi edhe në këtë drejtim është eksplorator i përkortë.
Bishti i kometës është kudo dhe kurdoherë “jashtë dhe brenda” nesh, si flokët e gruas në ajrin fluturues të dashurisë njerëzore! Si lum ai që e takon atë dritë! Ne rendim, ndaj jeta vazhdon…!

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›