E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, Policia të zbardhë ngjarjet e vjetra

Policia e Tiranës duhet të punojë më shumë për zbardhjen e ngjarjeve të ndodhura pas 1997. Statistikat e policisë së Tiranës flasin për një zbulueshmëri të 86% të krimeve të ndodhura në 11 muajt e fundit. 

TIRANE- 86 % e krimeve që janë kryer gjatë 11 muajve në Tiranë janë zbardhur nga policia e Tiranës. Statistikat janë bërë publike nga drejtori i policisë së Tiranës, Hamdi Fjorem, i cili nuk ka lënë pa falenduar për këto rezultate edhe punën e dy ish- titullarëve, Muhamet Rrumbullaku dhe Edmond Rizai. Në analizë mungonin Ministri i Brendshëm Bujar Nishani, si dhe zëvendësit e tij Genti Strazimi dhe Iva Zajmi. Sipas Fjoremit janë regjistruar gjithsej 4220 vepra penale ndërsa janë zhvilluar 46 operacione të suksesshme.

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm Agron Kulicaj, përgëzoi për punën e bërë por nënvizoi rastet kur strukturat e policisë së Tiranës nuk koordinojnë me ato të Drejtorisë së Antikrimit të Organizuar. Gjithashtu ai kërkoi më shumë punë për zbulimin e vrasjeve të bujshme të ndodhura pas vitit 1997.

Prokurori i Tiranës, Genti Xholi vuri në dukje buxhetet e pamjaftueshme për faturat e hetimit të krimit dhe mungesën e personelit të plotë në strukturat e reja të policisë.

Avokati i Popullit, i cili mori pjesë në këtë mbledhje theksoi faktin se në komisariate ka ende dhunë. Nga ana e tij Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ahmet Prençi deklaroi se do të bashkëpunojë me institucionin e Avokatit të Popullit për të evidentuar dhe dënuar rastet e dhunës në qeli. Ai premtoi seprocesi për përmirësimin e kushteve në komisariate dhe trajnimet e efektivave janë prioritete të Policisë së Shtetit.

(s.g/NEWS24/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›