E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, "Rallyi Princeshës"sot gara e tretë

TIRANE-Dita e sotme, më 6 mars, do të rikthejë në Shqipëri "Rally of Princess", apo Rally-n e Princeshës, një garë që dalëngadalë po kthehet në traditë. Organizatorët e Rally Albania kanë përgatitur gjithçka, ndërkohë që kjo garë, është konceptuar në formën e një parade femrash në timonin e makinave.

Në dy vitet e fundit ajo ka dhuruar momente emocionuese, ndonëse qëllimi i vërtetë nuk është garimi, por krijimi i një tradite femrash në garat e automobilizmit.

Femrat pjesëmarrëse në këtë garë duhet të zotërojnë një patentë të rregullt dhe një makinë, ndërkohë që numri total i pjesëmarrësve do të jetë 50 ekipe, pra 100 femra.

Organizatorët kanë menduar që gara të jetë e hapur për çdo femër që ka dëshirë të marrë pjesë, ndërkohë që ajo vjen vetëm dy ditë para festës së gruas.

"Impakti me publikun dhe me median këtë vit do të jetë më i gjerë", pohohet në uebsajtin zyrtar të Rally Albania.

Edhe këtë herë, organizatorja kryesore e garës është Julinda Dhame, e përhershme në evenimente të kësaj natyre dhe njëkohësisht, një nga krijueset e garës Rally Albania.
Gara
Rally i Princeshës është një garë e krijuar në vitin 1929 në Francë, me "Paris Saint Raphael Ladies Rally" dhe që atëherë është zhvilluar pothuajse çdo vit. Tashmë ajo ka krijuar traditë në shumë vende të botës, ndërkohë që në Shqipëri zhvillohet për herë të tretë. Sipas organizatorëve, ajo do të jetë në një format më të plotë dhe është e krijuar posaçërisht për shijet e femrave. Kjo garë është e tipit "regularity" dhe nuk bazohet në shpejtësi të kohës, por në arritjen sa më afër të një kohe të përcaktuar më parë, që quhet "Target Time". Do të pranohen të marrin pjesë 50 ekipe, që përbëhen nga dy femra në çdo makinë. Gara do të starojë në orën 11.00, ndërkohë që ekipet do të grumbullohen për regjistrim në oborrin e Hotel Rogner që në orën 10.00. Nisja e ekipit të fundit do të bëhet në orën 11.50.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›