E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tifozët në krah të Van Gal Rumenige: Javë katastrofë!

HANOVER- Tre humbje radhazi, lamtumirë titullit kampion dhe eliminim nga Kupa e Gjermanisë. Këto rezultate duket se i kanë dhënë fund aventurës së Luis Van Gal në pankinën e Bajernit të Mynihut. Disfata 3-1 e pësuar në Hanover ka bërë që mbi teknikun holandez të vërshojnë kritika të shumta, ndërkohë që drejtuesit janë duke shqyrtuar alternativat për postin e tij. Emra si Matias Samër, Mehmet Sholl apo Oliver Kahn, janë si më të lakuarit për t’u ulur në stolin e gjigandëve bavarezë, madje kjo duket se është një çështje orësh, pasi drejtuesit duan që trajneri i ri të jetë njohur me skuadrën para ndeshjes me Interin në Champions League. Pas humbjes së të shtunës, që ishte e shtata në kampionat për këtë sezon, Bajerni e sheh veten 5 pikë larg vendit të tretë që mbahet nga Hanoveri dhe me pak shanse për të siguruar një vend në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm. Ndërkohë, humbja bëri që tekniku t’i nxirrte futbollistët për stërvitje që ditën e diel, në mënyrë që të përgatisin ndeshjen e javës së ardhshme ndaj Hamburgut. “Kanë qenë 8 ditë katastrofike, kjo është pika më e ulët e sezonit”, ka deklaruar presidenti Karl-Hainc Rumenige, duke nënkuptuar se aventura e Van Gal mund të jetë drejt fundit. Ndërkohë, tifozët e pranishëm të dielën në qendrën stërvitore të Bajernit, janë rreshtuar të gjithë me trajnerin holandez, duke ia hedhur fajin impenjimit të futbollistëve për rezultatet e këqija.

(e.m/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›