E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, bllokohen 37 makina. Policia: Rezultuan të vjedhura dhe mangësi në letra

TIRANË-Policia e Tiranës ka bllokuar 37 automjete të llojeve të ndryshme, të cilat pas verifikimeve në sistemin e Interpolit, kanë rezultuar të vjedhura jashtë vendit, apo kishin mangësi të shumta në dokumentacion.

Në një aksion të dy ditëve të fundit, strukturat e Policisë së Kryeqytetit kanë ndërmarrë një sërë masash, në kuadër të Planit Operacional të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me qëllim bllokimin, sekuestrimin dhe nisjen e hetimeve për automjetet e vjedhura dhe të trafikuara, apo marrjen e masave administrative ndaj automjeteve që rezultojnë me mangësi në dokumentacion, si dhe veshje me xhama të errët, duke ngritur pika kontrolli në zona të ndryshme të Tiranës.

Përmes një njoftimi për mediat, Policia e Tiranës bëri të ditur të enjten se veprimet e uniformave blu janë përqendruar edhe në kapjen e personave që mbajnë armë zjarri pa leje, menaxhimin e trafikut, si dhe rritjen e sigurisë në të gjithë akset rrugore, hyrëse-dalëse të Kryeqytetit.

“Janë marrë masa tekniko-organizative, si dhe janë organizuar shërbime të përbashkëta të Strukturave të Hetimit të Krimit, të Hetimit të Parandalimit te Krimeve, të shërbimeve të Patrullës së Përgjithshme dhe Komisariatet e Ndërhyrjes së Shpejtë, me qëllim realizimin e pergjegjësisë për parandalimin, zbulimin dhe dokumentimin e çdo veprimi të kundraligjshëm dhe kriminal në pikat e segmentet rrugore”, thuhet në njoftimin e Policisë së kryeqytetit.

Gjatë dy ditëve të fundit, Policia njofton se janë kryer verifikimet për 475 automjete, nga të cilat janë bllokuar 37 automjete, pasi kanë rezultuar të vjedhura jashtë vendit, apo kanë pasur mangësi të shumta në dokumentacion.

Gjatë kontrolleve të ushtruara mësohet se janë bllokuar edhe 3 pistoleta, për të cilat janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, ndërsa 9 të tjerë janë ndaluar për veprat penale të “vjedhjes”, “plagosjes”, dhe “kanojes”.
Policia e Kryeqytetit njofton gjithashtu se do të intensifikojë masat në drejtim të intesifikimit të parametrave të rendit e të sigurisë në Kryeqytet.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›